Kërko

Vatican News

Sri Lanka. Nga Shenjtërorja e Shëna Ndout, ftesa për të mos e harruar Kishën

Sapo hyn në Shenjtëroren e Shëna Ndout, në Kolombo, nis menjëherë të njihesh me historinë e krishterimit në Sri Lanka e, posaçërisht shikon gjurmët e tmerrit, pas sulmeve kundër të krishterëve, që kremtonin Pashkët. Nesër, sipas kardinalit Ranjith, mbase do të hapen edhe shkollat katolike. Në kishat e tjera të vendit, kremtimet fetare vijojnë, ashtu si edhe masat e rrepta të sigurisë.

R. SH. - Vatikan

Vizita në Sri Lanka me fondacionin “Ndihmë për Kishën që Vuan”, shumë pranë vendit aziatik me një sërë projektesh, është shtegtim në shtigje martirizmi. Në Shenjtëroren kushtuar Shëna Ndout të Padovës, duken ende krejt qartë shenjat e sulmit të 21 prillit. Ishin tetë, shpërthimet që mbollën vdekje e terror në vend. I pari nisi pikërisht në këtë kishë, në rrethinat e Kolombos. Kaloi pothuajse një muaj nga ajo ditë. Në shenjtëroren, ende plot me plagë, ka nisur puna për rindërtimin, e financuar nga qeveria, Besimtarët e shohin këto ditë kishën e tyre të rrethuar në të katër anët me skela, që flasin për ardhmëri. Për shpresën se së shpejti kisha do të rikthehet në shkëlqimin e  parë. Në këtë shenjtërore, aq të dashur për gjithë vendin, dje u kremtua Mesha në një dhomë të qelës, në katin e dytë, plot me shtatore të Shenjtit të Padovës, të të gjitha madhësive, të shpëtuara nga shpërthimet. Një mrekulli, edhe kjo! Të shumta, masat e sigurisë e po aq të shumtë edhe të rinjtë e të rejat pjesëmarrës në Meshë. 176 prej tyre janë jetimë. Kanë humbur të paktën njërin nga prindërit gjatë sulmeve të pareshtura të fundamentalistëve islamikë.

Kisha srilankeze kërkon të mos harrohet   

Në Kolombo, atë Jule Raj Fernando, drejtor i Karitasit të Sri Lankës dhe rektor i Shenjtërores së Shën Andout, ku në të njëjtën ditë mbetën të vrarë qindra besimtarë, mendon se tani gjëja më e rëndësishme është t’u jepet ndihmë psikologjike njerëzve të tmerruar nga sulmet, posaçërisht fëmijëve, që panë nënën a babain të plagosur, ose duke u vdekur në prehër. Në takimin me gazetarët e misionit të Ndihmë për Kishën që Vuan, në Sri Lanka, kërkojnë vetëm një gjë: “Të mos harrohen!”. Ndërsa presin që kremtimet në këtë kishë të rifillojnë muajtë e ardhshëm. Nesër - tha Kardinali Ranjith - besojmë se do të hapen edhe shkollat katolike. Ndërkaq, në kishat e tjera, kremtimet zhvillohen gjithashtu nën kontroll të rreptë.

Lidhja e Sri Lankës me Shën Anduen e Padovës

Zanafilla e Kishës së Shën Andout në Kolombo duhet kërkuar në periudhën e sundimit holandez, në shekullin XVIII. Në Shenjtëroren, kushtuar në vitin 1834, ishte edhe një  shtatore e Shëna Ndout, ku ruhej një pjesë e gjuhës së Shenjtit. Shpëtoi mrekullisht, krejt e pacënuar nga shpërthimet. Duke mbetur gjithnjë simbol i rrënjëve të krishterimit, që e sollën në vend, në vitet 1500, misionarët portugezë, të cilët kapërcyen Oqeanin Indian, për t’i mbartur reliket e Shenjtit të Padovës në anën tjetër të botës. Ku nuk mundi t’i hidhte në erë as tërbimi fundamentalist.

Të devoçëm të Shëna Ndout nuk janë vetëm të krishterët

Shenjtërorja vizitohet vazhdimisht nga turma besimtarësh, të çdo gjuhe e të çdo feje, ndonëse vetëm 6% e banorëve të Sri Lankës, rreth 1,7 milionë, janë katolikë. Por edhe vetë Shëna Ndou vijon të shtegtojë nëpër ishull. Në vitin 2010 reliket e Shenjtit të Padovës i vizituan të gjitha dioqezat e vendit. Më se tre milionë njerëz: të krishterë, budistë, hinduistë e myslimanë u mblodhën ato ditë së bashku, rreth Shenjtit të Mrekullive. Shenjë e ndritur, që bashkon e ngjall shpresa për një Sri Lankë të çliruar nga plaga e terrorizmit! 

 

20 maj 2019, 13:24