Kërko

Vatican News
 Vetrate della Chiesa interno Vetrate della Chiesa interno 

Shenjtorët e javës 19 – 26 maj

Më 19 maj, kalendari kishtar përkujton shën Pjetrin Celestino, shën Krispinin nga Viterbo e shën Ivo-n. Ungjilli i kësaj së diele nga Gjoni na kujton se Jezu Krishti, bariu ynë, Ai është udha që na prijnë te Ati Hyjnor, e vërteta që na bënë të lirë, jeta që na mbush me gëzim e dashuri.

R.SH. - Vatikan

E diel 19 maj, Kisha katolike kremton të Dielën e 5-të të kohës së Pashkëve. Gjithnjë më 19 maj, kalendari kishtar përkujton shën Pjetrin Celestino, shën Krispinin nga Viterbo e shën Ivo-n. Ungjilli i kësaj së diele nga Gjoni na kujton se Jezu Krishti, bariu ynë, Ai është udha që na prijnë te Ati Hyjnor, e vërteta që na bënë të lirë,  jeta që na mbush me gëzim e dashuri.

Të hënën 20 maj, kalendari kishtar përkujton shën Bernardinin nga Siena, françeskan, shën Lidien e Shën Aurën, martire nga Ostia afër Romës.  Liturgjia e ditës na fton të mos e humbasim identitetin e krishterë, e të kujtojmë urdhërimin e Jezusit: duajeni njëri-tjetrin, ashtu siç ju kam dashur unë ju, deri në flijimin e jetës.

Të martën më 21 maj, kalendari kishtar përkujton shën Kristoforin Magalanes, meshtar e shokët e tij martirë në Meksikë dhe, Shën Eugjenin Mazenod, ipeshkëv i Marsejës, themelues i Oblatëve të Zojës së Papërlyer. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.

Të mërkurën më 22 maj, kalendari kishtar përkujton shën Ritën nga Kasha, rregulltare agostiniane dhe Shën Julianën, virgjër e martire. Liturgjia e ditës na kujton se i krishteri është i thirrur të jetë dëshmitar i dashurisë së Krishtit. Për t’i qëndruar besnik kësaj thirrjeje, duhet të kërkojë dritë e forcë nga Shpirti Shenjt, që është dashuria e Birit dhe e Atit.

Të enjten më 23 maj, kalendari përkujton shën Gjon Batistin de Rosi, meshtar romak. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është gjithmonë me ne: na e ka premtuar ai vetë. Edhe pse nuk e shohim, Shpirti i Tij Shenjt e gjallëron fenë tonë, na forcon, na ndriçon e na ngushëllon. 

Të premten më 24 majKisha katolike kremton festën e Zojës Ndihmëtare. Asaj i drejtohen besimtarët me lutje e përgjërime, që të ndërhyjë pranë Atit Qiellor për hallet e dertet e secilit. Kjo Zojë e Bekuar nderohet në shumë treva shqiptare, ku Nënës së Krishtit i janë kushtuar kisha të lashta e të reja. Po në këtë ditë, përkujtohet edhe shën Vinçenc Lerini.

Të shtunën më 25 maj, kalendari përkujton shën Bedën, meshtar benedektin e Doktor i Kishës, shën Marinë Madalenë de Paci, virgjër dhe shën Gregorin VII, papë. Liturgjia e ditës u tërheq vëmendjen të krishterëve të mos shkëputen nga Krishti, sepse pa Të nuk janë më të zotë për asgjë. Nëse qëndrojmë të bashkuar me Krishtin, edhe sprovat më të rënda të jetës japin fryte të mrekullueshme.

Të dielën e ardhshme më 26 maj, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën VI të kohës së Pashkëve, gjithnjë më 26 maj, kalendari përkujton shën Filip Nerin, themelues i Kongregatës së Priftërinjve të Oratorit; shën Eleuterin papë e shën Simetrin, martir. Liturgjia e ditës na kujton këngën e Psalmistit: “Vetëm në Zotin pushon shpirti im”. E Jezusi na siguron: “Lum ata që vuajnë, sepse do të ngushëllohen”. 

18 maj 2019, 18:15