Kërko

Konferenca e shtypit e Caritas Internationalis Konferenca e shtypit e Caritas Internationalis 

Fillon në Vatikan, asambleja botërore e Karitasit: të varfërit në qendër

“Të varfërit në qendër” të Asamblesë së 21-të të Përgjithshme të Caritas Internationalis, që filloi sot në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

“Të varfërit në qendër” të Asamblesë së 21-të të Përgjithshme të Caritas Internationalis, që filloi sot në Vatikan. Në orën 17.00, Papa Françesku kremton meshën për hapjen e kësaj asambleje, në Bazilikën e Shën Pjetrit. 

 “Një familje njerëzore, një shtëpi e përbashkët”

Tema e asamblesë së sivjetme është pikërisht “Një familje njerëzore, një shtëpi e përbashkët”. Objektivat e strategjitë e saj u paraqitën sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit, nga kryetari i Karitasit Ndërkombëtar, kardinali Louis Tagle, dhe nga sekretari i përgjithshëm, Michele Roy.

“Këtë vit - tha kardinali Tagle - janë regjistruar 450 delegatë nga 150 organizata dhe konfederata të Karitasit e ky është rekord”. Përsa i përket temës, kardinali shpjegoi lidhjen me Enciklikën e Papës “Laudato si”. Duam të nënvizojmë, theksoi ai, përgjegjësinë e të gjithëve si qenie njerëzore, si vëllezër dhe motra, për të qenë një familje e vetme, e cila ka të njëjtin humanitet e të njëjtat ëndrra e dëshira për të ardhmen e fëmijëve e për një botë më të drejtë.

Ekologjia e gjithanshme, ekologjia njerëzore dhe ekologjia e ambientit

Kardinali Tagle përmendi temat, për të cilat Papa Françesku ngul këmbë në enciklikën “Laudato si’”: ekologjia e gjithanshme, ekologjia njerëzore dhe ekologjia e ambientit, që mund të zhvillohen pa i kundërvënë njerëzit. Të paktën, nënvizoi prelati i lartë, kjo është përvoja e Karitasit.

Në kuadrin e asamblesë, dje, janë mbajtur edhe dy forume: njëri për gratë e tjetri për të rinjtë. Përsa u përket grave, kardinali Tagle saktësoi se “nuk mund të flitet si duhet për njerëzimin, pa u dhënë dinjitet njerëzor grave”.

Të ndryshojmë modelin e zhvillimit

“Këshilli - shpjegoi Michele Roy, sekretar i përgjithshëm i Karitasit, i cili largohet pas tetë vjetësh në detyrë - ka vendosur ta vazhdojë këtë linjë sepse sfida më e madhe aktuale është ajo e mbijetesës së njerëzimit. E shohim mirë se modeli i zhvillimit gjatë tre dekadave të fundit nuk është i mirë, duhet ta ndryshojmë, por kjo nuk pasqyrohet në nivelin politik. Është urgjente të ndryshojmë modelin e zhvillimit”.

E në qendër të këtij kuadri, Karitasi Ndërkombëtar ka vendosur të varfërit, siç kërkon vazhdimisht Papa Françesku. Gjatë asamblesë do të diskutohen 17 objektiva strategjike për këtë qëllim.

23 maj 2019, 17:07