Kërko

Vatican News
 Shën Jozefi, punëtor Shën Jozefi, punëtor 

1 maj, festa e Shën Jozefit punëtor

Përkujtohet sot Shën Jozefi, ati tokësor i Jezusit, zdrukthëtar! Dëshmon se edhe puna më e përvuajtur, mund ta bëjë njeriun pjesëmarrës në planin hyjnor të shëlbimit. Punëtorët e krishterë e nderojnë si Pajtor.

R. SH. - Vatikan

Kovaç, zdrukthëtar, karpentier. Shën Jozefi i ushtronte të gjitha këto mjeshtri - siç na e tregojnë Ungjijtë -  e, sidomos, ishte fati i Marisë e ati tokësor i Jezusit. Me jetën e tij prej punëtori të ndershëm, Shën Jozefi e fisnikëron punën e dorës, me të cilën mban famijen Shenjte e merr pjesë aktive në planin e shëlbimit.

Jozefi, “i Drejti”.

“i Drejti”. Kështu kujtohet në Shkrimin Shenjt, me epitetin “i Drejti”, që në gjuhën biblike do të thotë “ai, që e do dhe e respekton ligjin, parë si shprehje e vullnetit të Zotit”. Jozefi e bën këtë! Pasardhës i shtëpisë së Davidit, mbret e profet, është ende i ri, kur fejohet me Marinë. E, ashtu si  vasha e tij, edhe ai i thotë “po” një engjëlli, që e viziton në gjumë, për ta siguruar se shtatzania e Marisë ishte fryt i Shpirtit Shenjt. E tipari i tij krysor është fshehtësia. Kur Jezusi nis jetën e tij publike, në Dasmën e Kanës,  Besëlidhja e Re nuk e kujton më; ndoshta pse kishte vdekur. Por ne nuk e dimë as ku e as kur, e aq më pak, ku u varros!

Puna, pjesëmarrje në planin hyjnor

Ashtu si gjithë etërit e kohës, që u mësonin mjeshtrinë bijve, kështu bën edhe Jozefi me Jezusin. Na e kujtojnë Ungjijtë, që shpesh e quajnë Krishtin “i biri i karpentierit”, ose “zdrukthëtarit”. Mund të themi, prandaj, se Jozefi, më shumë se gjithçka tjetër, përfaqëson dinjitetin e punës, e cila është detyrë e përsosje e njeriut që  ushtron, kështu, sundimin e tij mbi Krijimin, vijon veprën e Krijuesit,  i ofron shërbimin bashkësisë e jep ndihmesën në planin e shëlbimit. Jozefi e do punën e vet. Nuk  e  dëgjojmë kurrë duke u ankuar se u lodh. Di të jetë gjithnjë i kënaqur, sepse nuk kërkon pasuri, as nuk e lakmon jetën e të pasurve. Për të, puna nuk është mjet për të kënaqur epshet, por për të mbajtur familjen. Pastaj, si hebre që ishte, respekton pushimin e fundjavës e merr pjesë rregullisht në të gjitha kremtimet! Nuk duhet të na çudisë aspak ky konceptim fisnik i punës, edhe më të përvuajturës, punës së krahut: na e kujton Besëlidhja e Vjetër, në të cilën Zoti simbolizohet herë si vreshtar, herë si bujk e herë si bari!

Festa e Shën Jozefit, zejtar

1 Maji, si festë e Shën Jozefit punëtor, nisi të kremtohej zyrtarisht nën Papninë e Piut XII, për t’i ndihmuar punëtorët të mos e humbisnin kuptimin e krishterë të punës. Por edhe Piu IX e pati njohur, në një farë mënyre, rëndësisë e Shën Jozefit si punëtor, kur e shpalli Shenjtin Pajtor universal të Kishës. Parimin e punës, si mjet për shëlbimin e amshuar, e rikujton edhe Gjon Pali II, në Enciklikën e tij “Laborem Exercens”, në të cilën e quan “Ungjilli i punës”. Thuhet, pastaj, se edhe kardinali Roncalli - më pas Gjoni XXIII - kur u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit, pati menduar të quhej Papa Jozef, nga që kishte devocion të madh për atin tokësor të Jezusit.

Devocioni i shqiptarëve për Shën Jozefin

Edhe devocioni i shqiptarëve për Shën Jozefin është aq i madh, sa një murgeshë italiane, që po e intervistonim, sapo ishte kthyer nga Shqipëria në Romë, pohoi para mikrofonit tonë: “Isha në Shqipëri. U takova me Patër Zefin. Pastaj fola me dom Zefin e me imzot Zefin… Insomma… në Shqipëri të gjithë burrat quhen Zef!”. Kujtojmë, pastaj, se edhe në listën e të Lumëve të Kishës shqiptare, viktima të komunizmit, nuk mungon emri i Shën Jozefit:  e kishte i lumi Atë Zef Maksen!

Së fundi, të devoçëm të Shën Jozefit qenë një mori shenjtorësh, që jetuan pas tij. Po mjaftohemi të kujtojmë Shën Terezën e Avilës!

01 maj 2019, 14:31