Cerca

Vatican News
 Skenë nga kremtimi i Udhës së Kryqit Skenë nga kremtimi i Udhës së Kryqit 

Udha e Kryqit dhe traditat e krishtera të Javës së Madhe

E Diela e Larit i parapriu kremtimeve të Javës së Madhe, që nisi sot e do të arrijë kulmin me të Dielën e Ngjalljes. Nga e Mërkura e Madhe, tek e Premtja e deri tek e Diela e Pashkëve, kishat vendase organizojnë një mori ritesh kolektive popullore e fetare. Tejet të pasura traditat, që i përkasin një universi të larmishëm

R. SH. - Vatikan

Sot, me të Hënën e Madhe, nisi edhe Java e Madhe e Pashkëve 2019. Në këto çaste kulmore të viti liturgjik, në Vatican News, Gabriella Marucci, antropologe sociale dhe specialiste e traditave fetare, shpjegon cilat nga këto rite kolektive janë ende të pranishme, e edhe vlerat e tyre:

“Traditat janë ende gjallë. Edhe sot, në Itali e në mbarë botën katolike  kremtohen qindra rite kolektive, me shfaqje kishtare, shpesh të frymëzuara pak a shumë nga faqet ungjillore të Javës. Vetëm në Itali numërohen më se trimijë. Univers ritual, shumë i pasur, që del nga Kishat, për të përshkuar rrugët e për t’u ndaluar në Sheshet, në mënyrë që të gjithë të mund të marrin pjesë. Në se jo drejtpërdrejt, të paktën tërthorazi, nga dritaret e shtëpive a në kalim”.

Atëhere mund të themi se ekziston edhe një përshpirtëri popullore, që e pasuron atë fetare?

“Po. Veç duhet kujtuar se disa dekada më parë Kreshmët dhe Java e Madhe kremtoheshin të para si një korp i vetëm, që i përfshinte gjithë bashkësinë në sjelljet pendestare. Kështu besimtarët ishin shumë më të vetëdijshëm se po përkujtohej e po rijetohej një dramë e vërtetë kozmike: vdekja e Birit të Zotit! Por edhe fitorja e jetës mbi vdekjen. E Pashkët këtë kremtojnë. Jetën, që ngadhënjen mbi vdekjen. Sot kjo pjesëmarrje kolektive, shoqërore, nuk ndjehet më fuqimisht, si dikur. Kreshmët kalojnë pa vëmendjen e dikurshme kolektive, sepse në to nuk merr më pjesë e gjithë bashkësia. I besohen më shumë individit, besimtarit, që i jeton sipas devocionit vetjak. Ndërsa Java e Madhe mbetet gjithnjë tepër rëndësishme. Posaçërisht ritet e Triditshes së Pashkëve ndiqen me pjesëmarrje  jashtëzakonisht të madhe e  edhe me emocione të thella  shpirtërore”.

A mund të na kujtoni disa nga traditat, që lidhen me Javën e Madhe?

“Kremtimet Javës së Madhe vijojnë të kenë rëndësi të madhe. Nisin me të Mërkurën e Madhe, me kremtime e procesione. Protagonistë, në mbarë botën, janë sivëllezëritë laikale, të miratuara nga Kisha, me  veshjet e tyre të posaçme. Veshje të përmortshme. Vishen kështu gjatë gjithë javës, sidomos gjatë procesioneve. Mbajnë mbi shpatulla baldakinë të rëndë e shoqërohen nga instrumentistë e këngëtarë, për të përfunduar me rikujtimin e skenës së Mundimeve. Jashtëzakonisht prekëse, këto procesione, që organizohen pak a shumë në të gjithë botën katolike, ndonëse janë më të ndjeshme në vendet mesdhetare”.

Si lindi riti i procesionit të krishterë e, posaçërisht, Udha e Kryqit e së Premtes së Madhe?

“Procesini ka qenë përherë një nga mënyrat, përmes të cilave njerëzit manifestojnë pjesëmarrjen e tyre në një ngjarje, si të donin të thoshin: “Jemi këtu, me simbolet, që duhet t’i kujtojnë gjithë botës çfarë po bëjmë e kë po kremtojmë!”. Diçka që vjen në kohët tona nga thellësitë e lashtësisë. Procesioni përfaqëson një lloj kohe të pakohë. Ndërsa e Premtja e Madhe  është apoteozë, sepse përkujton flijimin e Birit të Zotit për njerëzit e për krishterimin”.

15 prill 2019, 13:16