Cerca

Vatican News
 Drita hyjnore Drita hyjnore 

Ora e Zotit

Duhet të durosh në heshtje! Deri sa të vijë “ora e Zotit”. Na kujtoi Papa, të Dielën e Larit!

R. SH. - Vatikan

Çdo njeri ka çaste të ndritshme e çaste të errta në jetë. Herë rrezet e diellit “alegorik” ia mbushin shpirtin me dritë. E herë tjetër, mbi shpirtin njerëzor dyndet errësira e dendur, që paralizon çdo perspektivë.

Është loja e djallit - na kujtoi Papa në të Dielën e Larit- që luan me njerëzit e jo më pak, edhe me institucionet…

Në çastet e errta, kur emri yt merret nëpër gojë nga e gjithë bota e djalli u prin përgojimeve, të lind natyrshëm dëshira të flasësh, madje të bërtasësh në kupë të qiellit.

Por pas britmës sate, djalli, që kënaqet pa masë nga kjo lojë - nxit britma të tjera, “mediatike”, edhe më të fuqishme. E shpërthen në universin tënd- e edhe më tej, ajo që Shekspiri i madh e pati quajtur “Shumë zhurmë për asgjë”.

Atëherë? Ç’duhet bërë?

“Në çastet e errësirës e të trazimit të madh - na kujtoi Papa të Dielën e Larit - duhet heshtur, duhet pasur guximi i heshtjes, i një heshtjeje të butë, jo ankimtare. Butësia e heshtjes do të na bëjë të dukemi edhe më të ligshtë, më të përulur. Duhet duruar në heshtje, me sjelljen e Jezusit. Duhet përmbajtur zemërimi. E atëhere djalli,  duke marrë zemër, do të zbulohet! Do të dalë në shesh pa maskë.

Duhet të durosh në heshtje! Deri sa të vijë “ora e Zotit”. Ora, kur Zoti do të zbresë në fushën e betejës sate e do ta bëjë të vetën!

Fjalë inkurajuese për çdo njeri e, sidomos, për kë e do me të vërtetë Kishën e Krishtit, që kërcënohet posaçërisht nga “triumfalizmi dhe mendësia e botës”.

15 prill 2019, 15:59