Kërko

Vatican News
Udha e Kryqit në Jeruzalem Udha e Kryqit në Jeruzalem  (ANSA)

Mesazhi i Patriarkëve dhe i krerëve të Kishave të Jeruzalemit për Pashkë

Mesazhi i Pashkëve, që Patriarkët dhe krerët e Kishave të Jeruzalemit u drejtojnë besimtarëve këtë vit, është ftesë për lutje që të ruhet "statusi shumëfetar e shumëkulturor i Jeruzalemit e të gjitha fetë abramitike të shohin në të vetëm qytetin e paqes e të qetësisë".

R.SH. - Vatikan

“Jeruzalemi, qyteti i ringjalljes, është fener shprese dhe jete. Qyteti i jetës është edhe qytet i paqes e i pajtimit. Prandaj, statusi shumëfetar e shumëkulturor i Jeruzalemit duhet ruajtur, që të gjitha fetë abramitike të shohin në të vetëm qytetin e paqes e të qetësisë. Të vijojmë të lutemi për një paqe të drejtë dhe afatgjatë në Jeruzalem e në gjithë botën”. Ky është thelbi i Mesazhit të Pashkëve, që Patriarkët dhe krerët e Kishave të Jeruzalemit u drejtojnë besimtarëve këtë vit, duke i ftuar të luten “me vendosmëri për të gjitha rajonet ku mbretëron dhuna dhe ankthi, që prekin sidomos njerëzit e pafajshëm dhe vendet e kultit”.

Dëshmitarë të Ringjalljes

         “Në lutjet tona – lexohet në tekst – kujtojmë edhe të gjitha gratë e fëmijët, që pësojnë dhunë e padrejtësi në gjithë botën. I ftojmë të gjithë të respektojnë dinjitetin e çdo njeriu dhe të ecim së bashku drejt plotësisë e begatisë së jetës”. Duke përmendur fenë e të parëve në kumtin e engjëllit “Nuk është këtu. Është ringjallur…”, duke dëshmuar se Krishti e mundi vdekjen, Patriarkët dhe krerët e Kishave të Jeruzalemit i ftojnë “ndjekësit e krishterimit në gjithë botën dhe, në veçanti, popullin besimtar në Tokën Shenjte e në Lindjen e Mesme, të marrin forcë nga kremtimet e Pashkëve. Të gjithë ne – urojnë ata – qofshim dëshmitarë të ringjalljes, përmes promovimit të vlerave të Zotit tonë të Ringjallur, që është Udha, e Vërteta dhe Jeta; përmes përfshirjes aktive në jetën e Kishës dhe të mbarë shoqërisë”.

Mesazhi mban firmën e 13 Patriarkëve dhe ipeshkvijve

         Mesazhi mban firmën e 13 Patriarkëve dhe ipeshkvijve, ndër të cilët, Patriarku greko-ortodoks Teofil III, Administratori apostolik, imzot Pierbattista Pizzaballa i Patriarkatit latin të Jeruzalemit dhe Rojtari i Tokës Shenjte, atë Françesk Patton. Ata kujtojnë se me Pashkët e Krishtit, “fjalën e fundit nuk e ka vdekja, por Zoti i jetës”. Si besimtarë, theksojnë, “jemi të thirrur të ecim në jetën e ringjallur të Jezusit, jetë në begati, jo në skamje. Përmes jetës, vdekjes e ringjalljes së Tij, Jezusi i rikrijoi të gjitha gjërat... Festa e ringjalljes na kujton se dinjiteti njerëzor duhet respektuar e nderuar”. Njerëzit janë krijuar në shembëllim e në përngjasim me Zotin, prandaj janë të barabartë para Hyjit. Pashkët, përfundojnë Patriarkët e krerët e Kishave të Jeruzalemit, janë kohë, në të cilën kremtohet familja njerëzore në dritën dhe në begatinë hyjnore.

19 prill 2019, 14:33