Cerca

Vatican News
Universi Universi 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Mateut dhe izotropia

Në këtë emision, të dashur dëgjues, do t’ju japim disa këshilla praktike për leximin e Ungjillit sipas Mateut, megjithëse janë parime, që vlejnë për çdo Ungjill. Bazohemi, si gjithnjë, në librin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Fillimisht, duhet thënë se Ungjilli nuk është roman, prandaj për të nuk është i përshtatshëm leximi sasior e horizontal. Nuk është fjala për të shfletuar shpejt e shpejt tekstin, nga fjala e parë e deri në atë të fundit, me dëshirën për të ditur si përfundon historia. Finalja nuk është pjesa më e rëndësishme. Është e tillë vetëm në masën me të cilën ka bërë të mundur shkrimin e vetë Ungjillit, por teksti ungjillor është si universi në të cilin jetojmë: izotrop. Nuk është fjalë fort e bukur, por na ndihmon të kuptojmë diçka nga ky shkrim i mistershëm. Kozmologjia na mëson se sjellja dhe karakteristikat e trupave izotropë - si, për shembull, drita - janë të njëjta në të gjitha drejtimet. Kur themi se universi është izotrop, pohojmë se ai nuk ka ndonjë qendër, nga e cila, po të largohemi, kemi ndryshime të materies. Universi është po ai në të gjitha anët e, në çdo pikë të tij, mund të përceptojmë të tërën. Që këndej vjen edhe emri uni-vers (njëlloj në të gjitha drejtimet), pasi fsheh në vetvete sekretin, që kardinali-matematicien e astronom gjerman, Nicola Cusano, e shihte në Zotin: “Hyji – thoshte ai – është një rreth, qëndra e të cilit ndodhet kudo, ndërsa perimetri askund”.

Nëse Zoti është kështu, nëse universi studiohet në këtë mënyrë, edhe Ungjilli e zotëron këtë veti e nuk lexohet në shtrirjen e tij, pasi çdo pjesë është e barabartë me të tërën, e pasqyron dhe e zbulon atë. Ungjilli lexohet në thellësi. Duke u ndalur pa nxitim, siç bën shkencëtari, i cili, në një fije bari sheh e ndjen krejt universin. Kështu, në çdo faqe sado të vogël të Ungjillit sipas Mateut, gjejmë gjithçka.

Në shikim të parë, në të gjithë Ungjijtë, vetë universi duket jo homogjen, për t’u bërë pastaj, homogjen, në një shkallë më të gjerë. Natyrisht, shkrimi e greqishtja e përdorur, aftësitë e autorit, ambienti dhe rrethanat historike në të cilat është shkruar teksti, materiali bazë etj., janë faktorë, që krijojnë ndryshime dhe e prishin homogjenitetin, por izotropia mbretëron në çdo rresht, falë Big Bang-ut nga i cili ka lindur ky univers: Jezu Krishti është ngjallur dhe jeton bashkë me Shpirtin e vet në bashkësinë e krishterë e në botë. Në Të, Mbretëria e Zotit iu afrua njeriut. Kjo do të thotë se nuk duhet të lexojmë tregimin e të ndjekim historinë, por, thjesht, duhet të dëgjojmë e t’i japim mundësinë këtij Shkrimi të na zbulojë Fjalën, të na komunikojë forcën e këtij Big Bang-u, të këtij shpërthimi nga i cili zu fill gjithçka! Qendra e Ungjillit është kudo, në çdo fjalë të tij!

18 prill 2019, 13:04