Cerca

Vatican News
Kisha famullitare ‘Zoja Rruzare’ në fshatin Bishtazhin, Gjakovë, dhe përkujtimorja e martirëve të këtij komuniteti kishtar shqiptar Kisha famullitare ‘Zoja Rruzare’ në fshatin Bishtazhin, Gjakovë, dhe përkujtimorja e martirëve të këtij komuniteti kishtar shqiptar 

Martirët katolikë shqiptarë të komunitetit kishtar të Bishtazhinit të Gjakovës

Në muajin prill të vitit 1941, pikërisht më 13, 14, e 15 prill, të Premten e Madhe të Pashkëve, të Shtunën e Madhe të Pashkëve dhe të Dielën e Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit, ndodhi vrasja barbare e masakra ndaj katolikëve shqiptarë të fshatrave të komunitetit kishtar të Bishtazhinit të Gjakovë.

R.SH. - Vatikan

Në muajin prill të vitit 1941, pikërisht më 13, 14, dhe 15 prill, të Premten e Madhe të Pashkëvetë Shtunën e Madhe të Pashkëve dhe të Dielën e Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit, ndodhi vrasja barbare e masakra masive ndaj katolikëve shqiptarë të fshatrave të rrethit të Gjakovës.

Martirët janë shenjë e dashurisë më të madhe pёr Zotin dhe njerëzit, janë dëshmitarë që u vendosen e kanë ecur gjurmëve të Krishtit deri në dhurimin e jetës, për të pohuar të vërteten e Ungjillit, pёr tё ruajtur identitetin kombëtar, pёr tё mbrojtur vendlindjen.

Vrasjet, masakra ndaj mase 72 besimtarëve katolikë shqiptarë, posaçërisht tё famullisё kishtare ‘Zoja Rruzare’ tё Bishtazhinit, qe organizuar e planifikuar mirë nga kundёrshtarёt e shqiptarёve katolikё dhe kundёrshtarёt e bashkёjetesёs ndёrvёllazёrore tё besimtarëve tё feve tё ndryshme në ato treva, nga urrejtja ndaj fesë së krishterë katolike “in odium fidei” e për të destabilizuar bashkëjetesën shoqërore në Gjakovë e në Kosovë. Përveç se nё fshatra tё famullisë ‘Zoja Rruzare, pati vrasje edhe nё katunde tjera tё komunës sё Gjakovёs.

Njoftimi, denoncimi i vrasjes sё besimtarёve katolikё shqiptarё tё famullisё Kishtare ‘Zoja Rruzare’ tё fshatit Bishtazhin, në mënyrë të veçantë u bё nga famullitari i asaj kohe i këtij komuniteti, meshtari Dom Lukë Filiqi. Kontributi i këtij prifti famullitar, njeri përkushtuar në rrugën e Zotit dhe në shërbim të popullit e vendit, në ndriçimin e së vërtetës së kësaj ngjarjeje të tmerrshme është i jashtëzakonshëm, madje vendimtar.

Dëshmitë e pakta tё kësaj tragjedie, janё a duhen tё jenё në arkivin e zyrës së Kishës famullitare ‘Zoja Rruzare’ të fshatit Bishtazhin, komune të Gjakovës, në Librin e të Vdekurve të vitit 1941, nr. 28-78, faqe 94-100. Këtu janë regjistruar emrat e besimtarëve katolikë shqiptarë të vrarë e të masakruar, por sipas janë mbledhur dëshmitë e çmueshme të banorëve, të atyre që i kanë përjetuar ato vrasje e masakra, sipas të cilëve numri i të vrarëve është shumë më i madh. Vetëm në xhaminë e fshatit Rugovë janë të vra 67 vetë. Dёshmi tjera tё çmueshme, mjerisht, nuk janё ruajtur nga ata, tё pandërgjegjshëm, qё i trashëguan tё dhёnat  e dëshmitë. Po kështu, duhet thёnё se arkivat e shtetit tё asaj kohe, nuk janё hulumtuar.

Më 6 nëntor 2016, në fshatin Smaq të Gjakovës, me kremtimin e Meshës u përurua Kisha e vogël kushtuar Martirëve të Shenjtë e të Lumtur. Po mё 2016, me rastin e 90-vjetorit të themelimit të famullisë kishtare ‘Zoja Rruzare’  në Bishtazhin dhe masakrës së 72 besimtarëve të këtij komuniteti kishtar shqiptar të vitit 1941, me nismën e famullitarit të komitetit kishtar ‘Zoja Rruzare’ në Bishtazhin, dom Marjan Demajt dhe me bashkëpunimin bujarë të shumë anëtarëve të këtij komuniteti, në tetorin e 2016 u ngrit një Memorial përkujtimor në oborrin e famullisё ‘Zoja Rruzare’ nё fshatin Bishtazhin. Kёshtu, martirёt e lartёpёrmendur kanё njё shenjё pёrkujtimi e nderimit publik, sё paku nga komuniteti i famullisё ‘Zoja Rruzare’. Do ishte diçka me vlerё, sikur dёshmia dhe gjaku i kёtyre martirёve, që flijuan jetën për Fe e Atdhe, tё konsiderohet edhe nё nivelin e dioqezës sё Prizren-Prishtinës.

Ja lista e 72 martirëve të vrarë më 1941

1. Ton Lushi, Kryetar i Shoqërisë së Eukaristisë Shenjtë, biri i Ndue Nikollës, me fe katolike, i lindur në vitin 1904 në Bishtazhin ku edhe banonte, në moshën 37 vjeçare të Premten e Madhe, më 11 prill 1941; në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Ishte i rrëfyer dhe i kunguar të Dielën e Larit, më 6 prill 1941. Krhz. librin e të lindurve nr. rrjedhës 659, për vitin 1904. Nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar, është varruar në Talec, më 18 prill 1941.

2.  Gjoni, biri i Mark Nokës, me fe katolike, i lindur në vitin 1889 në Bishtazhin, me banim në Bishtazhin, të Premten e Madhe, më 11 prill 1941, në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Krhz. librin e të lindurve nr. rrjedhës 545, për vitin 1899. Nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar, është varruar në Talec, më 18 prill 1941.

3.  Marku, biri i Çup Hilit, me fe katolike, i lindur në Smaq në vitin 1891, me banim në Bishtazhin, të Premten e Madhe, më 11 prill 1941, në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Krhz. librin e të lindurve nr. rrjedhës 615, për vitin 1891. Më 18 prill 1941 është varruar në Talec nga famullitari, Dom Luka Filiq.

4.  Mikeli, biri i Çup Hilit, me fe katolike, i lindur në Fshaj, në vitin 1906, me banim në Bishtazhin, të Premten e Madhe, më 11 prill 1941, në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës me bajoneta është i bërë copa-grimë. Krhz. librin e të lindurve nr. rrjedhës 615, për vitin 1906. Nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar, është varruar në Talec, më 18 prill 1941.

5.  Lleshi , biri i Gjin Prenqit, me fe katolike, i lindur në Romajë, në vitin 1885, me banim në Smaq, të Premtën e Madhe, më 11 prill 1941 në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Krhz. librin e të lindurve nr. rrjedhës 485, për vitin 1885. Më 18 prill 1941 është varruar në Talec nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar.

6.  Nou, biri i Mark Vorfit, me fe katolike, i lindur në Marmull, në vitin 1906, më banim në Fshaj, të Premten e Madhe më 11 prill 1941 në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Ishte i rrëfyer dhe kunguar të Dielën e Larit, më 6 prill 1941. Krhz. librin e të lindurve nr. rrjedhës 465, për vitin 1906. Më 18 prill 1941 është varruar në Talec nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar.

7.  Zefi, biri i Gegë Pjetër Radit, me fe katolike, i lindur në vitin 1900 në Smaq, me banim në Bishtazhin, të Premten e Madhe, më 11 prill në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë, duke ia prerë edhe kokën. Krah. librin e të lindurve nr.rrj. 573, për vitin 1900. Më 18 prill 1941 është varruar në Talec nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar.

8. Marku, biri i Zef Ndout, me fe katolike, i lindur më 2 mares 1910 në Bishtazhin, ku edhe banonte, të Premten e Madhe, më 11 prill në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës, i lidhur këmbësh e duarsh, me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Krah. librin e të lindurve nr.rrj. 561, për vitin 1910. Më 18 prill 1941 është varruar në Talec nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar.

9. Pali, biri i Zef Nout, me fe katolike, i lindur në vitin 1913, në Novosellë të Poshtme, me banim në Bishtazhin, të Premten e Madhe, më 11 prill në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës, i lidhur këmbësh e duarsh, me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Krah. librin e të lindurve nr.rrj. 561, për vitin 1913. Më 18 prill 1941 është varruar në Talec nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar.

10.  Nou, biri i Mark Çupit, me fe katolike, i lindur në Smaq, në vitin 1895, me banim në Bishtazhin, të Premten e Madhe, më 11 prill në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës, me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Krah. librin e të lindurve nr.rrj. 603, për vitin 1895. Më 18 prill 1941 është varruar në Talec nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar.

11.  Llesh Mark Gjoka (Fshaj) i vrarë më 11 prill 1941 në Kodër të Gradishit, me fe katolike.

Këta u vranë dhe u masakruan në mënyrën më mizore në xhaminë e Rogovës, më 11 prill të vitit 1941, të Premten e Madhe.

Ndërsa më datat 12, 13 dhe 14 prill u vranë edhe 53 shqiptarë të tjerë. Po japim edhe emrat e tyre:

– Gjergj mark Çupi (Bishtazhin),

– Binak Nikollë Gjoka (Lushi), Bishtazhin,

– Pren Binak Lasku (Bishtazhin),

– Zef Kolë Gjoka ( Smaq),

– Pashk Kolë Gjoka (Smaq),

– Prenk Frrok Kola (Lasku), Smaq,

– Nue Gjin Kola (Lasku), Smaq,

-Gjon Gjin Kola (Lasku), Smaq,

– Tun Gjin Kola (Lasku), Bishtazhin,

– Nikollë Gjin Kola (Lasku), Smaq,

– Musë Gjin Kola (Lasku), Smaq,

– Palush Ukë Noci (Bezhi), Dol,

– Nue Frrok Preni, Kushavec,

– Dedë Nue Preni, Kushavec,

– Nikollë Pren Nikolla (Biçi), Dol,

– Martin Zef Mark Leka (Dol),

– Prenkë Gjin Bardhoku (Dol),

– Musë Nue Prenka (Dol),

– Nikollë Mark Biba (Dol),

– Lëkë Mark Biba (Dol),

– Tomë Noc Bezhi ( Dol),

– Nue Prenkë Tahiri (Dol),

– Nrecë Prenkë Tahiri (Dol),

– Tomë Nrekë Gjini (Dol),

– Tunë Prenkë Gjini (Dol),

– Gjokë Nikollë Leka (Dol),

– Gjokë Prenkë Lleshi (Dol),

– Nrecë Dedë Bardheci (Marmull),

– Mark Gjin Marku (Marmull),

– Gjergj Mark Nikollë Rrasi (Marmull),

– Ukë Nrecë Marku (Marmull),

– Nikollë Nrecë Marku ( Marmull),

– Prenkë Palok Lleshi (Marmull),

– Hil Nikollë Deda (Marmull),

– Nue Prenkë Nikolla (Marmull),

– Zef Nue Prenkë Nikolla (Marmull),

– Pjetër Llesh Nou (Marmull),

– Nrecë Mark Sherri (Marmull),

– Mark Pren Nreca (Bërdosanë),

– Pren Bibë Pren Karaqi (Bërdosanë),

– Bibë Pren Biba (Bërdosanë),

– Gjokë Pren Bibë Karaqi (Bërdosanë),

– Dedë Jak Nrecë Kola ( Marmull),

– Zef Pashk Mark Nou (Troshan), foshnje,

– Pashke Gjon Prenk Kola, foshnje nga Ujzi. 

Mbi martirёt e pёrmendur, ja dhe një dëshmi nga Pjetër Domgjoni

“Tri ditët e Pashkëve të vitit 1941 të gjithë katolikët e rrethit Gjakovës kanë pas: xhamë e vaji dhe gjak e lotë, tregonte shpesh herë, me lotë në sy, nana jonë. I kam pas vetëm 13 vjeç, - tregonte nana - kur PETKI, ma pat vue manxerrën në gjoks tuj m’bërtitë: Kallëzo ku janë burrat? E unë prej frikës ia fillova me kjajtë e ai me za edhe ma të madh bërtiste: Kallëzo se të vrava? Mandej ka ardhë nji tjetër ushtar e i ka bërtitë Petkit: Hiqja manxerren prej gjoksit fëmijës, more i poshtër, ku e di ajo se ku janë burrat. E së bashku me ushtarët tjerë, kanë shkue e kanë marrë: babën tem së bashku me 15 mashkuj tjerë, bile ndër ta ka kenë edhe nji babë me djalin 16 vjeç e i kanë çue në lug të Kabashit dhe i kanë ba rresht e ma së parit e kanë vra djalin 16 vjeç e mandej të gjithë. Na as s’kemi guxue me i marrë kufomat, por thonë se këta burra i patën vorrosë gratë e Markagjinve në vorre të Kodërnezhsë.
Po burrat tjerë, oj nanë? Burrat tjerë: Me gra, me fëmijë e bagëti, për me pshtue gjallë, e patën kalue Drinin e kjenë strehue në katundet Gexhe e Radoste dhe katundet tjera të fesë myslimane, por që ishin vllazënit tonë të nji gjaku.
Këto vrasje me pushkë, u banë në katundin e Marmullit, të dielën e Pashkëve, më 15 prill 1941. Kurse në katundin e Bishtazhinit, nji grup burrash sipas shenimeve të arkivit 11, por sipas banorëve të Bishtazhinit shumë ma tepër, i kanë marrë e çue në xhami të Rugovës e ma së pari i kanë detyrue me u falë e mandej me bajoneta, i kanë ba copa e grima. Kurse grupin tjetër, po ashtu, e kanë çue në xhami të Rugovës dhe e kanë detyrue me u falë e, mandej, pas shpine i vranë me rrafale plumbash. Prej atij grupi, shpëton gjallë Marka Çupi dhe kthehet në Bishtazhin, katundi i tij i lindjes. Këto vrasje e masakra janë ba të Premten e Madhe të Pashkëve, më 13 prill 1941.
Vrasje të tilla masive janë ba edhe në të gjitha katundet tjera, e unë këtu po i veçoj NOUN, GJONIN, TUNËN, NIKOLLËN, MUSËN DHE PALUSHIN. Të gjithë djemtë e GJIN KOLË LASKUT prej fshatit Smaç, të cilёt së bashku me mashkujt tjerë të asaj familjeje, i kanë vra të Shtunën e Madhe, më 14 prill 1941. Thonë se në atë familje ka qenë shtatëzanë nji grue, e cila ma vonë ka lindë djalë, tuj e përtri përsëri familjen. Kurse në katundin Ujzë, pasi i kishin vra të gjithë antarët e familjes Gjon Prenkë Kolës, vrasin edhe PASHKEN, (foshnjën e gjashtë ditëve). Poashtu në fshatin Pjetrashan, pasi i kishin vra të gjithë antarët e familjes Pashk Mark Ndout, komunistët, vrasin edhe anёtarin e fundit të kësaj familjeje: ZEFIN, (foshnjën e një dite). Vrasje e masakra bahen edhe në katundet tjera si: Kusar, Dol, Fshajë, Kushavec, Raçë, Brdoasanë, Trravë, Moglicë, Dujakë e tj.

Po cili ishte shkaku i atyne vrasjeve e masakrave gjatë atyne tri ditëve të Pashkëve?
Komunistët gjakovarë donin me na zhbi prej faqes së dheut. Ky ishte shkaku. Unë tjetër shkak nuk di. Unë kur jam kthye prej lufte, në shpi teme, i kam gjetë tre mashkuj të vramë prej komunistëve gjakovarë. Mu përgjegj plaku 96 vjeçar, Toma i Marka Gjinit, prej katundit Marmull.

Po i kujtojmë këto vrasje për të mos harrue ata besimtarë dhe burra të vërtetë si Hilin e Nikollë Dedës e me dhjetëra e me dhjetëra besimtarë shqiptarë tjerë, që u vranë dhe masakruan nga komunistët gjakovarë, gjatë atyre PASHKËVE TË PËRGJAKURA, vetëm e vetëm pse ishin besimtarë katolikë shqiptarё. Në shenjë nderimi e respekti ndaj këtyre martirëve të fesë e të kombit.
I përjetshëm kjoftë kujtimi i tyne.

Ashtë për të ardhun keq se asnji herë nuk asht shkrue për këto vrasje e masakra masive të organizueme prej gjakovarëve e në bashkëpunim me çetnikët serbë mbi besimtarët katolikë të asaj ane. Por ashtë për t’u admirue dalja në ndihmë e besimtarëve myslimanë shqiptarё për shpëtimin e vëllaznive të tyne të nji gjaku, por me besim të krishtenë. Komunistët e Gjakovës ndoshta kanë pas për qëllim që të mbjellin urrejtje në mesin e dy besimeve të shqiptarëve, por mundi u ka shkue kot.

Gjatë luftës së fundit që ndodhi në Kosovë. Banorët e Gexhës, Radostes e katundeve tjera të bregut Drinit, me burra, gra e fëmijë kanë kalue Drinin dhe kanë dalë dhe janё strehue në fshatin Marmull. Ka familje dhe shtëpi në Marmull që ua kanё rregullue strehimin dhe i kanë mbajtë me bukë, vëllaznitë myslimanë shqiptarё, deri në gjashtëdhjetë vetë, e madje me ditë me radhë, derisa kanë ardhë çetnikët serbë e i kanë përzanë edhe prej Marmullit. Drini i ndanë apo i lidhë besimtarët katolikë shqiptarё me besimtarët myslimanë shqiptarё të fshatrave që përmendem, e vende vende i kanë edhe arat e përzieme, por nuk mbahet mend kurrë të ketë ndodhë ndonjë incident edhe ma i vogël, e. prite o Zot, ndonji rrahje mes atyne banorëve.

13 prill 2019, 09:00