Kërko

Vatican News
2019.03.01 Vangelo della domenica 8.a domenica Anno C 2019.03.01 Vangelo della domenica 8.a domenica Anno C 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 8-të gjatë vitit kishtar "C"

Kush flet keq për tjetrin është hipokrit dhe nuk ka guxim t’i shohë mangësitë e veta.. Ungjilli i kësaj së diele, e ngreh zërin kundër hipokrizisë, kundër fjalëve të këqija e thashethemeve. “Pse e shikon lëmishten në sy të vëllait e nuk e sheh traun në syrin tënd?”. Kjo pyetje e Jezusit, i flet ndërgjegjes së çdo njeriu, në të gjitha kohërat.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 8-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik....

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 8-të gjatë vitit kishtar "C"

Leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit, të kësaj së diele, i kujtojnë njeriut, të krishterit nё veçanti, ndershmërinë, sinqeritetin, koherencën, gjykimin e drejtë në mendime, në të folur, në veprime. Fjala, me një fjalë, zbulon, e nxjerr nё pah njeriun, shpirtin e tij, zemrën e tij.

Edhe kёtё tё diele tё 8-tё tё kohës gjatë vitit kishtar vazhdon leximi i kreut tё 6-tё Ungjillit tё Lukёs, nё tё cilin ungjilltari na sjell mësimet e Jezusit drejtuar dishepujve tё vet dhe turmës sё njerëzve qё duan tё hyjnë nё Mbretërinë Hyjnore.

Kështu, nё fragmentin e Ungjillit, pjesa e fundit e fjalimit drejtuar apostujve, Jezusit u flet dishepujve e shpjegon si duhet të jetë me sjellje në jetën e përditshme ai që dëshiron të jetë ithtar i Zotit dhe të ecën pas Tij, drejt Mbretёrisё sё Zotit.

Jezusi, me shëmbëlltyra dhe shembuj kurioz, në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, përshkruan si është njeriu sё brendshmi, në zemër, si është i krishteri i vërtetë. “Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga visari i mirë i zemrës së vet; njeriu i keq nxjerr të keqen nga visari i keq; sepse goja i qet çka i ka zemra”. Pastaj duke u nisur nga imazhi i pemës, pohon “nëse pema është e mirë, jep fryte të mira”, e na fton, kështu, të jemi të koherent, parimor, tё mirë, tё drejtё. Jezu Krishti do qё tё jemi si Ai, zemёr butё e tё pёrvujtё.

“Si është punuar një pemë, pohon Leximi Parë nga libri Siracidit - e dëftojnë frutat, kështu edhe “fjala e zbulon mendimin e njeriut. Mos e lavdëro njeriun para se të dalë në pah në të folur”. Pra, Leximi Parë paraqet disa norma të urtisë formuluar nga një njeri i ditur, i urtë i Israelit, Siracidi. Ai i ftonte bashkëqytetarët e vet të jenë të matur, sepse njeriu i matur bëhet i urtë, dhe si pema e mirë jep fryte të mira.

Shën Pali në Leximin e Dytë u kujton të krishterëve se Krishti ka sjell fitoren mbi mëkatin e mbi vdekjen edhe për ne, e kjo duhet të na nxis të impenjohemi të jemi tё qёndrueshёm, tё palёkundshёm e tё pёrparojmё  “në veprën e Zotit”, tё vetёdijshёm se mundi nuk mbetet i pafryt, nё Zotin.

                                                      Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë   Sir 27, 4-7

Profeti Oze përdor imazhin e dashurisë mes bashkëshortëve për të përshkruar dashurinë e Hyjit për Izraelin.  Shpesh, Izraeli dje dhe Kisha sot, shfaqen të pabesë ndaj dashurisë së Hyjit. Por profeti e di se Hyji është më i madh se zemra jonë.  Përtej pabesisë Hyji, sot ashtu si dje, vazhdon t’i ofrojë popullit të tij mundësinë e një kthimi të vërtetë.

Lexim prej Librit të Siracidit

Nëse s’e mban veten në frikën e Zotit, së shpejti do të përmbyset shtëpia jote. Sikurse kur tundet shosha, mbesin zonakët, kështu edhe mungesat e njeriut dalin në pah në të folur. Enët e vorbëtarit i sprovon furra, njerëzit e drejtë i sprovon vuajtja. Si u punua një pemë e dëftojnë frutat, kështu edhe fjala e zbulon mendimin e njeriut. Mos e lavdëro njeriun para se të dalë në pah në të folur. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 92

Është bukur t’i këndojmë emrit tënd, o Zot

Është punë e mirë të shpallim dashurinë në mëngjes e gjatë natës besnikërinë tënde,

se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua,

kënaqem për veprat e duarve të tua.

I drejti lulëzon si palma,

rritet porsi cedri i Libanit.

Të mbjellë në shtëpinë e Jakobit

lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.

Japin fruta edhe në pleqëri,

janë të kërthndeztë e plot shëndet,

për të shpallur se Zoti është i drejtë:

Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!

Lexim i i dytë 1Kor  15,54-58

Palit i kanë vënë në dyshim aktivitetin e tij misionar; dhe korintianët arrijnë deri në atë pikë sa t’i kërkojnë të demonstrojë që ai është apostull.  Pali përgjigjet: “Letra ime e besueshme jeni ju vetë.  Nëse Kisha juaj është me të vërtetë një bashkësi e frymëzuar nga Shpirti, nëse ju jetoni në bashkim me Hyjin, kjo do të thotë që puna ime baritore ka qenë një punë jete dhe jo vdekjeje”.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, kur ky trup i shkatërrueshëm të veshë pashkatërrueshmërinë, dhe ky trup i vdekshëm të veshë pavdekshmërinë, atëherë do të shkojë në vend fjala e Shkrimit shenjt: ‘Vdekja u përpi në fitore. O vdekje, ku është ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt?’ Thimthi i vdekjes mëkati; fuqia e mëkatit ligji. Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë. Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, të jeni të qëndrueshëm, të palëkundshëm, e përparoni vazhdimisht në veprën e Zotit, të vetëdijshëm se mundi juaj nuk mbetet i pafryt në Zotin. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja.

Hape, o Zot, zemrën tonë, që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.

Aleluja.

Ungjilli   Lk 6, 39-45

Jezusi tregon që Ati ka përgatitur për Birin e tij tryezën martesore. Krishti, i biri paraqet vetveten si dhëndër, burim dhe arsye gëzimi. Prania e Jezusit bën të fillojë një situatë e re fetare.  Personi i tij bëhet rregulli i gjithçkaje, në Të gjithçka është e re dhe gjithçka është e amshuar.  E reja e krishterimit qëndron në vetë jetën e Jezusit që dhuron Shpirtin e tij në historinë e të gjithë neve.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “A mund t’i prijë i verbëri të verbrit? A thua s’do të bien të dy në gropë? Nuk është nxënësi më i aftë se mësuesi; por, çdo nxënës plotësisht i aftësuar do të jetë si mësuesi i vet.  Po pse e shikon lëmishten në syrin e vëllait tënd e nuk e sheh traun në syrin tënd? Si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Vëlla, ndal ta heq lëmishten që ke në sy’, ti që nuk e sheh traun në syrin tënd? Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd.

Nuk ka pemë të mirë që jep fryt të keq, as pemë të keqe që jep fryt të mirë. Çdo pemë njihet prej frytit të saj. Nuk mblidhen fiq nga murrizi, as nuk vilet rrush nga ferra. Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga visari i mirë i zemrës së vet; njeriu i keq nxjerr të keqen nga visari i keq; sepse goja i qet çka i ka zemra”. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

O Zot, të falënderojmë për dashurinë tënde

Të falënderojmë për dorën

që vazhdimisht na zgjat.

Të falënderojmë që na do

me gjithe varfërinë tonë

dhe mosmirënjohjen tonë.

Të falënderojmë që vazhdon të na duash edhe kur e refuzojmë dashurinë tënde.

Të falënderojmë për të gjitha dhuratat e tua, për miqësinë, muzikën, ngjyrat,

gjërat e bukura.

Të falënderojmë për dhuratën e Birit tënd, Jezus, që është bërë njeri për të na ridhënë miqësinë e tij;

të falënderojmë që ke dashur të rrish me ne në sakramentin e Eukaristisë.

Të falënderojmë për jetën e amshuar

që ke mbjellë në ne.

Të falënderojmë për të gjitha dhuratat e tua, o Zot.

                                                  Thashethemet janë kriminale, sepse vrasin Zotin dhe të afërmin

Kush flet keq për tjetrin është hipokrit dhe nuk ka guxim t’i shohë mangësitë e veta. Fjala e Zotit e posaçërisht Ungjilli i kësaj së diele, e ngreh zërin kundër hipokrizisë, kundër fjalëve të këqija e thashethemeve, që kanë një përmasë kriminaliteti, sepse sa herë flasim keq për vëllezërit tanë, imitojmë gjestin vëllavrasës të Kainit.

“Pse e shikon lëmishten në sy të vëllait e nuk e sheh traun në syrin tënd?”. Kjo pyetje e Jezusit, në Ungjillin sipas Lukës, i flet ndërgjegjes së çdo njeriu, në të gjitha kohërat. Pasi nënvizon përvuajtërinë, Jezusi përmend të kundërtën e saj, atë sjellje të urryer ndaj të afërmit, për të cilën bëhemi gjykatës të vëllezërve tanë. E këtu, Jezusi përdor një fjalë të fuqishme: hipokrit.

Ata që jetojnë duke gjykuar të afërmin, duke folur keq për të afërmin, janë hipokritë, sepse nuk kanë forcë, nuk kanë guxim të shohin mangësitë e veta. Për këtë, Zoti Jezus nuk thotë shumë fjalë. Më pas, thotë se ai njeri, që ka urrejtje kundër vëllait në zemër, është vrasës… Edhe Shën Gjoni Apostull, në Letrën e tij të parë, e thotë qartë: ai që e urren vëllain e vet, ecën në errësirë; kush e gjykon vëllain e vet, ecën në errësirë.

E kur i gjykojmë vëllezërit, edhe sikur mendimin tonë ta mbajmë mbyllur në zemër, e kur flasim keq për ta me të tjerët, bëhemi të krishterë vëllavrasës. Një i krishterë vrasës… Nuk e them unë këtë, e thotë Zoti. E këtu, s’ka vend për lojëra. Nëse flet keq për vëllain tënd, e vret. E ne, sa herë bëjmë kështu, imitojmë gjestin e Kainit, vrasësit të parë të historisë. Në këtë kohë, kur flitet shumë për përçarje e për luftë dhe kur kërkohet paqja, duhet t’i kthejmë sytë nga Zoti e jo nga Kaini. Thashethemet – mos tё harrojmë – shkojnë gjithnjë drejt përmasës së kriminalitetit. Nuk ka thashetheme të pafajshme.

Gjuha, na kujton shën Jakobi Apostull, është për të lëvduar Zotin, por kur e përdorim për të folur keq për vëllain, ose motrën tonë, e vrasim Hyjin, pasi vrasim imazhin e Zotit në vëllain tonë. Ndokush mund të thotë se filani i meriton thashethemet. Por s’mund të jetë gjithmonë kështu. Shko, lutu për të! Bëj pendesë për të! E pastaj, nëse është e nevojshme, fol me atë person, i cili mund të ndryshojë. Por mos ua thuaj të gjithëve!

Shën Pali ishte mëkatar i madh e thoshte për vetveten: ‘Më parë qeshë blasfemues, salvues dhe arrogant. Por gjeta mëshirë’. Ndoshta askush prej nesh nuk blasfemon – ndoshta. Por nëse ndokush bën thashetheme, sigurisht që është salvues dhe arrogant. T’i lutemi, pra, Zotit për ne, për krejt Kishën, që të na japë hirin e kthimit nga kriminaliteti i thashethemeve në dashurinë, në përvujtërinë, në butësinë, në zemërgjerësinë dhe në shpirtmadhësinë ndaj të afërmit.

01 mars 2019, 16:44