Kërko

 Papa gjatë përhimjes, në Bazilikën e Shën Sabinës, në Aventin Papa gjatë përhimjes, në Bazilikën e Shën Sabinës, në Aventin 

Java e kaluar, me Papën e me Kishën katolike

Një javë me Papën e me Kishën katolike: nga thirrja e Françeskut për zhdukjen e dënimit me vdekje, tek thirrja e Këshillit ndërfetar në Shqipëri për “Dialog e rrugëzgjidhje e konflikitit”, Ukraina, në provën e votës e tek e Mërkura e Përhime…

R. SH. - Vatikan

Në Bruksel, kuvend mbi dënimin me vdekje. Papa: “Duhet zhdukur në të gjitha vendet”.

Papa Françesku i nxit qeveritarët dhe të gjithë ata, që kanë pushtet në vendet e tyre, të bëjnë hapat e nevojshme për zhdukjen e plotë të dënimit me vdekje:

“Dinjiteti i njeriut nuk humbet kurrë, edhe kur bën krimet më të shëmtuara. Jeta është dhuratë për t’u mbrojtur e burim i të  gjitha  dhuratave e të drejtave të tjera”. Kështu Papa Françesku përsëriti, përmes një videomesazhi, thirrjen për zhdukjen e plotë të dënimit me vdekje. “Askush nuk mund të vritet e të privohet nga mundësia për ta përqafuar përsëri bashkësinë, që e plagosi dhe e bëri të vuajë. Dënimi me vdekje është shkelje e rëndë e së drejtës, që ka çdo njeri për të jetuar” - thekson Papa, në një videomesazh, drejtuar pjesëmarrësve në kuvendin e mbajtur këto ditë nga Parlamenti evropian, përfunduar më 1 mars. Takimi organizohej nga Ojq “Ecpm” (Together Against the Death Penalty – Së bashku kundër dënimit me vdekje), në bashkëpunim me Koalicionin Botëror kundër dënimit me vdekje.

Kreshmë 2019. Papa: agjërim, lutje, lëmoshë

Në tekstin e Mesazhit papnor për Kreshmët 2019 lexojmë: “T’i themi jo logjikës, që na nxit për të pasur gjithçka, gjithnjë më shumë, menjëherë, gjë që ngjall lakmi, etje për pasje dhe mungesë të plotë interesi ndaj tjetrit”. Kjo është logjika, në bazë të mesazhit papnor të Kreshmëve - siç nënvizoi kardinali Peter Turkson, prefekt i dikasterit vatikanas për zhvillimin  e gjithanshëm njerëzor, duke folur për Dokumentin papnor në Sallën Gjon Pali II, në Vatikan, të marten e  kaluar, më 26 shkurt.

“I krijuar në ngjasim e sipas shëmbëlltyrës së Zotit, njeriu është pjesë e ndërlidhur dhe e ndërvarur nga bota e krijuar - nënvizoi kardinali Turkson. Njeriu konsiderohet si kryeprift i krijimit. Burri e gruaja  përfaqësojnë vetë krijimin. Prandaj veprimet e tyre kanë pasoja rrënjësore  mbi fatin e tij”.

E prej këndej, thirrja e Papës drejtuar besimtarëve në Mesazhin kreshmor: “Të heqim dorë nga egoizmi, nga vetëvlerësimi, t’ia ngulim fort sytë Krishtit, gjithnjë pranë vëllezërve e motrave në vështirësi. E ta pranojmë në jetën tonë “fitoren e Krishtit mbi mëkatin dhe mbi vdekjen”. Me lutje, agjërim e lëmoshë!

Papa rikthehet në Aventin, për të kremtuar të Mërkurën e Përhime

Liturgjia e së Mërkurës së Përhime, pas së cilës, edhe procesioni pendestar, do të nisin, sipas traditës, nga Bazilika e Shën Anselmit, për të përfunduar në Bazilikën Shën Sabinës, në Aventin.

Edhe sivjet Papa Françesku do të rikthehet në Aventin, për të kremtuar të Mërkurën e Përhime, ditë me të cilën nisin Kreshmët. Sipas njoftimit  të Zyrës së kremtimeve liturgjike papnore, më 6 marsin e ardhshëm, do të mbahet një kremtim, në formën e “Stacioneve” romake,  kryesuar nga Papa Françesku. Në orën 16.30, në Kishën e Shën Anselmit, në Aventin, do të nisë liturgjia “Stacionale”, pasuar nga procesioni pendestar drejt Bazilikës së Shën Sabinës.

Në procesion - gjithnjë sipas Zyrës së liturgjive papnore - do të marrin pjesë kardinaj, kryeipeshkvij, ipeshkvij, murgjër benediktinë të Shën Anselmit, etër domenikanë të Shën Sabinës dhe disa besimtarë. Në përfundim të procesionit, në Bazilikën e Shën Sabinës, do të kremtohet Mesha me ritin e bekimit të hirit dhe të përhimjes.

Kardinali Pell në burg, në Melburn. Selia e Shenjtë: “Nuk është më prefekt”  

I hiqet liria me kusht kardinalit australian George Pell, të nesërmen e vendimit, që e deklaroi fajtor për shpërdorimin e dy 13 vjeçarëve, kur ishte ipeshkëv i Melburnit. Tani kardinali Pell është në burgun e kryeqytetit të Australisë, në pritje të leximit të vendimit, parashikuar për 13 mars.

 Menjëherë pas vendimit gjyqësor,  zëdhënësi i përkohshëm i Vatikanit, Alessandro Gisotti, përmes një tweet-i, njoftoi se kardinali Pell nuk është më prefekt i Sekretarisë për Ekonominë, duke nënvizuar, më pas, se “Kongregata për Doktrinën e Fesë do ta shqyrtojë këtë rast, në mënyrat e në kohët e caktuara nga normativa kanonike”. Kard. Pell mund të dënohet me 50 vjet burg.

Këshilli ndërfetar në Shqipëri: “Dialog e rrugëzgjidhje e konfliktit”

“Trazirat politike në vendin tonë, me pasoja të drejtpërdrejta mbi  shoqërinë dhe ekonominë, e jo më pak edhe mbi ardhmërinë e rinisë, krijojnë një situatë paqartësie e shkelin mbi shpresën e një populli  të fortë, por të vënë në prova të rënda nga historia”. Këtë thekson Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë lidhur me situatën e vështirë në vend, në një deklaratë, përmes së cilës shpreh shqetësimin e thellë dhe i fton politikanët shqiptarë “për dialog, vetëpërmbajtje e zgjidhje të konfliktit, që e bën Shqipërinë gjithnjë më të varfër, i nxit shqiptarët të ikin nga vendi, i ligështon institucionet demokratike e, sidomos, e dëmton rëndë figurën e Shqipërisë në botë”.

Liderët fetarë i nxisin gjithë shqiptarët “ta ushtrojnë fort virtytin e shpresës: atë shpresë, që vijon të plagoset ditë për ditë. Ndërsa të gjitha palëve politike u kërkojnë “t’i japin fund dhunës verbale e fizike si dhe prirjes për ta poshtëruar kundërshtarin politik”. “Shqipëria ka nevojë për rrugëzgjidhje pozitive, në dobi të gjithë shoqërisë!” - shkruajnë anëtarët e Këshillit Ndërfetar.

Ukraina, në provën e votës. Shevchuk: “Jo”, populistëve, të korruptuarve,  të dhunshëmve!

Ukrainasit do të shkojnë drejt kutive të votimit dy herë gjatë 2019-tës. Të diel, më 31 mars, turni i parë, do të  jetë ai i zgjedhjeve presidenciale. Më pas, në tetor, ai i zgjedhjes së parlamentit. Fortlumturia e Tij, Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës greko-katolike të Ukrainës, e sintetizion kështu situatën në vend:

“Që prej një viti Kisha greko-katolike e Ukrainës lutet për mbarësinë e zgjedhjeve e, pak ditë më parë, botoi një “përkujtesë” kushtuar përgjegjësisë së qytetarit e figurës së politikanit të krishterë. Përkujtesa do të lexohet në të gjitha famullitë”.

01 mars 2019, 14:46