Kërko

 Imzot Fabio Dal Cin duke përshëndetur Papën Imzot Fabio Dal Cin duke përshëndetur Papën 

Papa në Loreto: imzot Dal Cin “faleminderit që zgjodhët Shtëpinë e Shenjtë për të nënshkruar dokumentin kushtuar të rinjve"

“Prej kohe Ju shprehët dëshirën të shtegtoni në Shtëpinë e Shenjtë, por edhe ne ju prisnim. E ja, të gjithë së bashku këtu, të lumtur që ju kemi mes nesh e ju dëgjojmë”. Këto, fjalët e para të përshëndetjes së imzot Fabio Dal Cin, kryeipeshkëv i Loretos, drejtuar Papës Françesku.

R. SH. - Vatikan

 “Prej kohe Ju shprehët dëshirën të shtegtoni në Shtëpinë e Shenjtë, por edhe ne ju prisnim. E ja, të gjithë së bashku këtu, të lumtur që ju kemi mes nesh e ju dëgjojmë”. Këto, fjalët e para të përshëndetjes së imzot Fabio Dal Cin, kryeipeshkëv i Loretos, drejtuar Papës Françesku, para fjalimit të tij në Sheshin e Shenjtërores, menjëherë pas Meshës në Shtëpinë e Shenjtë dhe nënshkrimit të Nxitjes apostolike kushtuar të rinjve.

“U mblodhën këtu, sot, meshtarë, rregulltarë, nga Loreto e dioqezat e tjera të Markeve, me ipeshkvijtë e tyre; e akoma, të ardhur nga shumë qytete e kombe të tjera”. Kjo, fotografia e parë realizuar me fjalë në përshëndetjen drejtuar Atit të Shenjtë nga imzot Dal Cin. “U mblodhën sot  këtu miq, besimtarë e jo besimtarë, që në Shtëpinë e Shenjtë gjejnë idealin e përbashkët, vendin ku jetohet e konkretizohet bashkëjetesa plot respekt dhe bëhet realitet dëshira për ta ndërtuar së bashku paqen. E janë, në radhë të parë, edhe të sëmurët, të cilët sapo arritën në Shtëpinë nazaretane, e ndjenë fuqimisht praninë e Marisë, që është këtu, ku ata presin shërimin shpirtëror e fizik. Shumë, duke mos mundur të jenë sot mes nesh, na ndjekin nga shtëpia përmes radios e televizionit. Janë, posaçërisht, familjet: ato, që kanë nisur udhën e përshpirtërisë, propozuar nga shenjtërorja si dhe ata, që pësuan shumë nga tërmeti e presin të rikthehen në shtëpitë e tyre. E në këtë skaj të Tokës Shenjte të gjithë gjejnë hirin për të rifilluar dhe fuqizojnë thirrjen e tyre misionare. Janë këtu edhe një mori fëmijësh, adoleshentësh, të rinjsh - ja një grup, që i përfaqëson të gjithë - të cilët nga “po”-ja e Marisë marrin forcë për ta pranuar planin e Zotit në jetën e tyre.

“Faleminderit që zgjodhët Shtëpinë e Shenjtë për të nënshkruar dokumentin, fryt i Sinodit kushtuar pikërisht atyre. E edhe për shprehjen e dëshirës, që Qendra Gjon Pali II e Loretos të bëhet vend i aktualizimit konkret, pikërisht aty, ku çdo i ri ndjehet si në shtëpinë e  vet”- ky falënderimi i ipeshkvit.

“Ju sot po e inkurajoni edhe një herë mbarë Kishën t’i drejtohet Marisë  e  t’ia besojë veten Asaj, në përpjekjen për të përshkuar udhën e mëshirës e të mikpritjes, me përvujtëri e thjeshtësi. Prania juaj pohon universalitetin e kësaj Shenjtëroreje, rojtare e gurëve, të cilët dridhen ende ngazëllueshëm nga tingujt e  asaj “po" që e përtëriu botën.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, të gjitha kambanat e Markeve - ashtu siç e kujtoi ipeshkvi në përshëndetjen e tij – tingëlluan njëherësh në festë - një koncert kambanash - kujtoi imzot Dal Cin. Përshëndetja më e përzemërt  që kjo tokë e bukur i drejtoi Françeskut, për shërbesën e tij papnore!”.

25 mars 2019, 13:01