Kërko

Ipeshkvi i Eparkisë së Ungrës, imzot Donato Oliverio Ipeshkvi i Eparkisë së Ungrës, imzot Donato Oliverio 

Fillojnë kremtimet për 100-vjetorin e Eparkisë arbëreshe së Ungrës

Vit jubilar për Eparkinë arbëreshe të Ungrës, në Kalabri. Mbushen 100-vjet nga themelimi i saj përmes Kushtetutës Apostolike "Catholici fideles" të Papës Benedikti XV, që mban datën 13 shkurt 1919.

R.SH. - Vatikan

Të enjten e kaluar, më 7 shkurt, në Kozencë, në selinë e Seminarit të Eparkisë  Arbëreshe të Ungrës, u mbajt një konferencë shtypi për paraqitjen e programit të kremtimeve të 100-vjetorit të Eparkisë arbëreshe.

Paraqitja e ipeshkvit, imzot Donato Oliverio

Ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliverio, paraqiti nismat, që do të karakterizojnë kremtimet e 100-vjetorit. Viti përurohet të mërkurën, më 13 shkurt,orën 16.30, me Litugjinë Hyjnore kremtuar në katedralen e shën’Kollit të Mirës, në Ungër, ku do të marrë pjesë edhe kardinali shqiptar Ernest Simoni, një nga të mbijetuarit e komunizmit në Shqipëri; prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri; ipeshkvi i Horës së Arbëreshëve, imzot Giorgio Demetrio Gallaro; ipeshkvij të rajoneve të tjera italiane dhe ipeshkvij nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Hungaria dhe Ukraina, përveç mijëra meshtarëve.

I pranishëm, presidenti dhe autoritetet shqiptare

Të mërkurën, do të jetë në Ungër, edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, së bashku me ambasadoren në Itali, Anila Bitri, dhe me të ngarkuarën me punë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Dodaj. Të shumta, autoritetet civile e ushtarake e, madje, siç nënvizoi me gëzim imzot Oliverio, edhe një përfaqësi nga bashkësia me origjinë shqiptare në Pallagorio të Kalabrisë, megjithëse jo e ritit bizantin.

Posta e Vatikanit emeton një pullë për arbëreshët

 Më 11 shkurt, pra, nesër, Posta e Vatikanit emeton një pullë përkujtimore të 100-vjetorit të Eparkisë së Ungrës. Imzot Oliverio njoftoi edhe se në mars, do të publikohet Katekizmi i Kishës Katolike Bizantine, ndërsa të shtunën, më 18 maj, në Romë, do të paraqiten dy vëllime të historisë së Eparkisë së Ungrës.

Ditët e Romës, në maj

 Pikërisht në Romë, do të zhvillohen një sërë veprimtarish, për disa ditë me radhë. Të premten, më 24 maj, një delegacion i Eparkisë do të pritet zyrtarisht në Qurinale nga presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella; pasditen e po asaj date, në Altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit, do të kremtohet Liturgjia Hyjnore. Të shtunën paradite, 25 maj, Papa Françesku do të takohet me bashkësitë arbëreshe në Sallën Pali VI, në Vatikan. Një të diel, në muajin qershor, në Raiuno, do të transmetohet drejtpërdrejt Liturgjia Hyjnore nga Ungra. Imzot Donato Oliverio i ftoi arbëreshët ta jetojnë me gjithë shpirt këtë vit hiri të 100-vjetorit të Eparkisë.

Doracaku i kremtimeve

Për këtë qëllim, është përgatitur edhe një doracak me titull “Eparkia e Ungrës: një dioqezë e vogël katoliko-bizantine për besimtarët arbëreshë, pararendës të ekumenizmit modern”. Vëllimi prej 96 faqesh e 260 fotografish, niset nga ardhja e arbëreshëve në Itali, në shekullin XV dhe përshkon të gjithë periudhën deri në ditët e sotme, kur Eparkia e Ungrës ka 30 bashkësi famullitare.

Mbi domethënien e këtij jubileu eparkial a dioqezan të Ungros, ta dëgjojmë Papasin arbëresh Antonio Belusci...... 

Mbi domethënien e këtij jubileu eparkial a dioqezan të Ungros, ta dëgjojmë Papasin arbëresh Antonio Belusci
09 shkurt 2019, 18:29