Kërko

Vatican News
Hebrenj Hebrenj  (ANSA)

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i dytë i Makabejve

Të enjten e kaluar ju folëm për Librin e parë të Makabejve, që trajton një çast të historisë së hebrenjve, në shekullin II para Krishtit. Libri i dytë i Makabejve flet për të njëjtën histori lufte, vuajtjesh e ngadhnjimi, por ka disa pjesë gati teologjike, që i sigurojnë një vend të rëndësishëm së paku, në traditën fetare të mëvonshme, që rrjedh nga Besëlidhja e Vjetër. Bazohemi, si gjithnjë, në vëllimin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Në kapitullin e shtatë të Librit II të Makabejve ndeshemi me një skenë, që me të drejtë, është bërë legjendare: atë të martirizimit të shtatë vëllezërve dhe të nënës së tyre trimëreshë. Para kësaj pjese, në Bibël nuk gjejmë diçka të ngjashme, sepse kurrë nuk ishte kremtuar martirizimi kaq fuqishëm, siç tregohet këtu. Nëse mendojmë për gjestet e Danielit dhe të heronjve të tjerë hebrenj, të cilët, pavarësisht se të vegjël, mundin tiranë, galeria biblike është mjaft e gjerë: Davidi, Sansoni, Esteri, Judita… Por, deri në këtë Libër, Izraeli nuk e pati ruajtur kujtesën e heronjve të mundur. Do të fillonte pikërisht me shembullin e kësaj nëne, që u jep zemër të bijve të mos e braktisin fenë e të parëve, megjithëse i sheh kur i rrjepin të gjallë.

Nëna trimëreshë e shtatë bijtë e saj martirë

“Posaçërisht e mrekullueshme dhe e denjë për kujtim bujar qe nëna, e cila, duke parë se si në një ditë i vdiqën shtatë djemtë, qëndronte plot guxim, në fuqi të shpresës, që e kishte në Zotin. Ajo e qortonte secilin prej tyre në gjuhën e të parëve dhe, e fortë në ndjenja bujare, duke e përforcuar butësinë femërore me guximin burrëror, u jepte zemër e u thoshte: ‘Nuk e di se si u krijuat në kraharorin tim, sepse unë nuk jua dhashë shpirtin as jetën, as nuk jua dhashë trajtën e gjymtyrëve secilit prej jush. Por e di se Krijuesi i botës, që e ka plazmuar gjininë njerëzore dhe ua dha të gjithëve prejardhjen, do t’jua kthejë, në mëshirën e vet, e shpirtin, e jetën, sikurse ju tani po e përbuzni vetveten për dashurinë e ligjeve të tij” (2 Mak 7,20-23).

E në fjalët e nënës, që e sfidon mizorinë e tiranit me guximin e vet, duket feja e Izraelit, që i kundërvihet urtisë së paganëve:

“Po të përbetoj biro, shikoji qiellin e tokën e gjithçka është në ta e dije se Hyji i ka krijuar nga asgjëja dhe se po në këtë mënyrë ka qenë krijuar edhe gjinia njerëzore. Mos e druaj këtë ‘kasap’, por ji i denjë për vëllezërit e tu dhe pranoje vdekjen, që të të gjej bashkë me ta ditën e mëshirës” (2 Mak 7,28-29).

Teologjia e Librit të dytë të Makabejve

Me pak fjalë, kjo nënë pohon atë fe, të cilën tirani dëshiron ta zhdukë:

·        Fenë në një Zot, që e ka krijuar botën nga asgjëja e jo nga sende paraekzistuese, siç thoshin grekët.

·        Besimin në jetën përtej vdekjes, ku lidhjet e jetës tokësore nuk do të zhduken.

Në rrëfimin e nënës përqendrohet besimi në krijimin “ex nihilo” (nga asgjëja), që nuk pohohet as në Librin e Zanafillës, si edhe besimin në ringjalljen e të vdekurve dhe në lidhjen me ta, për të cilët, për herë të parë në Bibël, kërkohet lutje.

Pikërisht për këtë, kulti i shenjtorëve martirë makabej është pranuar në kishat e krishtera, madje, shën Augustini flet edhe për një bazilikë, ngritur në Antioki, në kujtim të tyre.

Në mënyrë më prozaike, në vitin 1932, bota hebraike themeloi të ashtuquajturat “Makabiade”, të cilat janë ekuivalenti hebraik i Lojrave Olimpike. Kremtohen çdo dy vjet, në mënyrë të alternuar, në Izrael, ose në një vend evropian.

Pyetjet, që ngre Libri i dytë i Makabejve

Leximi i dy Librave të Makabejve, në epokën tonë, kur terrorizmi fetar ka arritur të ngrejë jo pak kryet, shtron disa çështje. Deri ku mund të arrijë zelli për Zotin, kur sulmohemi e persekutohemi? A ekziston mundësia për dhunë e deri për luftë, për hir të besimit në Hyjin? Një pjesë e botës së fesë mendon se po dhe e justifikon këtë pikërisht me Librat e Makabejve. Një pjesë tjetër mendon se nuk duhet vepruar kurrë me dhunë, në emër të Zotit. Gjithsesi, mbetet fakti se në Bibël, lavdërohet shpesh lufta e armatosur në emër të Hyjit.

Besëlidhja e Re e refuzon dhunën fetare

Janë çështje të Besëlidhjes së Vjetër, që kapërcehen me Besëlidhjen e Re, pasi Jezu Krishti, me predikimin e me vdekjen e Tij, i jep fund lidhjes së tmerrshme ndërmjet dhunës dhe fesë, siç e thotë përmbledhtas një autor i njohur dhe ekspert i kësaj fushe, si René Girard:

“Në mundimet e Krishtit, vrasja fetare refuzohet kategorikisht për herë të parë. Krishti ofrohet si viktimë për t’u zbuluar të vërtetën njerëzve. Në vend që të flijojë të tjerët, Krishti ofrohet si viktimë për t’u thënë njerëzve se është plotësisht kundër dhunës”.

Nëse ndokush nuk është i kënaqur e dëshiron të gjejë gjilpërën në kashtë, mund të kujtojë gjithnjë Jezusin, që, me zellin e Tij fetar për shtëpinë e Atit të vet Qiellor, përzë tregtarët dhe shitësit nga tempulli i Hyjit. Feja sjell zellin, impenjimin, madje, edhe zemërimin. Kundër kujt e për çfarë është e drejtë të përdoret ky i fundit? Librat e Makabejve na sjellin ndërmend edhe këtë pyetje.

28 shkurt 2019, 13:13