Kërko

Vatican News
Papët, për Shën Gjon Boskon Papët, për Shën Gjon Boskon  (© SDB)

Papët, për Shën Gjon Boskon

Me 31 janar Kisha katolike kremton festën e Shën Gjon Boskos, Shenjtit të rinis, shenjt i madh i kohëve moderne, pajtor qiellor i studentëve e i botuesve, meshtar torinez.

R. SH. - Vatikan

Prej më se 150 vjetësh, gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”  përshkruan, përmes një mori shkrimesh, portretin e Shën Gjon Boskos (1815-1888), që kremtohet sot nga Kisha Katolike.

Duke u bazuar pikërisht tek e përditshmja vatikanase, po kujtojmë shkurtimisht takimet e Shenjtit të të rinjve me Papët dhe vlerësimet e disave prej tyre për dom Boskon…

Më 23 janar 1869 Shenjti i Valdoco-s u takua me Piun IX. Gjatë bisedës, i foli hollësisht për shoqërinë saleziane, duke i kërkuar për të miratimin papnor. Për këtë takim gazeta vatikanase shkruan se u shkëmbyen disa batuta. Ndërmjet tyre, ajo përmes së cilës dom Bosko profetizoi një papni të gjatë për Papën Mastai Ferretti: “Nuk do të jetoni vetëm ditët e  Pjetrit, por shumë më tepër” - pati pohuar në përfundim të këtij takimi.

Në këto kohë iu desh të shkonte 15 herë në Romë, duke bërë udhëtime të lodhshme, për t’u pritur nga Papa jetëgjatë. Me të cilin Shenjti lidhi një miqësi të ngushtë!

Papa Pali VI, në një fjalim drejtuar Salezianëve, pati kujtuar takimet e Dom Boskos me Papët, duke nisur nga Piu IX dhe Leoni XIII – Papa që inkurajoi Shenjtin, ende në moshë rinore, për të vijuar me Piun XI, që do ta lartonte në nderimet e altarit – me Piun XII dhe Gjonin XXIII,  të cilët e vijuan ta vlerësojnë lart  Familjen rregulltare, themeluar nga Dom Bosko.

Papa Luciani, në papninë e tij të shkurtër, nuk foli drejtpërdrejt për Salezianët, por citoi Shën Françeskun e Sales, të cilin Gjon Pali I do ta quante “model shenjtërie për dom Boskon”.

E vetë Karol Wojtyla, Papa shenjt, themelues i DBR-së, në letrën Iuventum patris, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së Shën Gjon Boskos,  më 31 janar 1988, skicoi, me dy penelata, portretin  e Shenjtit, duke e shpallur “Atë e mësues i rinisë; një nga themeluesit më origjinalë të Instituteve rregulltare të Kishës, me devocion të thellë ndaj Marisë Ndihmëtare e Nënës së Kishës, shembull i dashurisë për nevojtarët, për të mirën e Kishës e të shoqërisë, mjeshtër i  një paktike gjeniale pedagogjike, që na e la si dhuratë të çmuar, për t’u ruajtur e për t’u çuar më tutje”.

Benedikti XVI, në vitin 2008, me rastin e Kapitullit të përgjithshëm të Salezianëve, u shpreh kështu për veprën e shenjtit piemontez: “Të shpëtonte shpirtrat, pikërisht sipas fjalës së Shën Pjetrit, qe i vetmi qëllim i jetës së Gjon Boskos”.

I lumi Michele Rua, pasardhësi i parë i Themeluesit të Salezianëve, e përmblodhi gjithë jetën e Shenjtit të rinisë, me këto fjalë: “Nuk bëri asnjë hap, nuk tha asnjë fjalë, nuk vuri dorë në asnjë vepër, që të mos kishte si synim shpëtimin e rinisë. Në të vërtetë, nuk pati për zemër asgjë tjetër, veçse shpëtimin e  shpirtrave”.

30 janar 2019, 18:36