Cerca

Vatican News
Indigjenët bartin kryqin e DBR-ve Indigjenët bartin kryqin e DBR-ve 

DBR-ja e Panamasë: nis Takimi botëror i rinisë indigjene

Njëmijë të rinj nga e gjithë bota për t’u lutur e për të shkëmbyer mendime e përvojë, në përgatitje të Ditës Botërore të Rinisë e me vështrimin drejt Sinodit për Amazonën.

R.SH. - Vatikan

Nis nesër në Soloy, dioqezë panameze e Davidit, Takimi i parë botëror i Rinisë indigjene (Imgi). Kryeipeshkvi i Panamasë, imzot José Domingo Ulloa, konfirmoi pjesëmarrjen e më se 1000 të rinjve, që deri në datën 21 janar, para se të marrin pjesë në DBR-në e sivjetme, do të ndajnë së bashku kulturën e tyre mijëravjeçare dhe shpresën e krishterë. Në qendër të takimit, pa dyshim, lutja, por edhe dëgjimi i dëshmive të bashkëmoshatarëve të impenjuar në mbrojtjen e tokave e në luftën kundër shfrytëzimit të ambientit. Të rinjtë do të vizitojnë edhe fshatra vendase e shpella rituale.

Nga Krakovi në Panama

         Ky takim bëhet në vazhdën e trashëgimisë së DBR-së së Krakovit dhe frymëzohet nga fjalët e Papës Françesku, i cili i fton të rinjtë jo vetëm “ta kujtojnë të kaluarën”, por të kenë “guximin e së tashmes” dhe të jenë “shpresa e së ardhmes”. Logoja e ngjarjes përbëhet nga një rreth, ku përfshihet një kasolle kashte – shtëpi tradicionale e shumë popujve indigjenë – simbol i bashkësisë, së bashku me një kryq, që përfaqëson udhën e çdo besimtari me Krishtin, “plotësim i shpresës për popujt tanë”, siç nënvizojnë organizatorët. Të pranishme edhe kakao e misri, “fryte të shenjta për shumë popullsi mesoamerikane”. Nuk mungon lidhja e fuqishme me Tokën Mëmë, shprehur përmes rrënjëve, që dalin nga shkronja “M”, si edhe një kamaleont i vogël, i cili “fton të respektohet gjithësia e krijuar prej Zotit e larmia e saj”.

Drejt Sinodit për Amazonën

         Takimi hap simbolikisht Ditën Botërore të Rinisë, me të cilën do të bashkohet, për të shikuar më pas drejt Sinodit për Amazonën, që do të mbahet në tetor, në Vatikan. Është hapi i parë për të debatuar mbi sfidat e fesë, mbi vështirësitë, kërcënimet e shpresat e realiteteve indigjene, siç pati kërkuar Papa Françesku janarin e kaluar, gjatë vizitës në Puerto Maldonado. “Kemi nevojë që popujt autoktonë të mbrujnë Kishat lokale amazonike, nga pikpamja kulturore”, pati thënë Ati i Shenjtë, duke denoncuar interesat ekonomike, që nuk respektojnë tokën e njeriun.

16 janar 2019, 13:22