Kërko

Vatican News
Logo e Udhëtimit Apostolik të Papës Françesku në Emiratet e Bashkuara Arabe Logo e Udhëtimit Apostolik të Papës Françesku në Emiratet e Bashkuara Arabe 

Katolikët e Gjirit Persik, entuziastë për Papën në Abu Dabi

Rreth 2 mijë banorë të Gjirit Persik do të udhëtojnë drejt Abu Dabit për të marrë pjesë në meshën e kremtuar nga Ati i Shenjtë të martën e ardhshme, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Emiratet e Bashkuara Arabe, për Konferencën ndërkombëtare ndërfetare “Vëllazërimi njerëzor”.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku shkon në Emiratet e Bashkuara Arabe për të dëshmuar se feja në Zotin bashkon dhe nuk ndan. Përgatitjet për vizitën e Françeskut janë tashmë, kah përfundimi e "kjo vizitë e Papes Bergoglio në Arabinë Saudite do të jetë bekim për të gjithë”: kështu deklaron koordinatori katolik, atë Michael O’Sullivan.

Në rajon, jetojnë rreth 2 milionë katolikë, shumica e të cilëve punëtorë emigrantë nga India dhe Filipinet. 1.5 milionë prej tyre banojnë në Arabinë Saudite, ku lejohen të praktikojnë fenë, por nuk mund të shkojnë në kishë, pasi në atë vend, nuk ka asnjë ndërtesë për kultin e krishterë. Gjithsesi, sipas lajmeve të fundit, Arabia Saudite mund të lejojë së shpejti ndërtimin e kishave, si rezultat  i reformave të princit trashëgimtar Mohammed bin Salman.

Jo gjithë katolikët mund të shkojnë në Abu Dabi

Vikariati Apostolik i Arabisë Jugore, që përgjigjet për gjithë katolikët në Gjirin Persik, ka të drejtë të japë vetëm 2 mijë ftesa për meshën e Papës: Shumë famulli, në vendet përreth, si për shembull, në Oman, janë organizuar minutin e fundit, pasi akoma nuk e dinin nëse mund të shkonin. Disa të tjerë nuk mund të shkojnë edhe nëse kanë ftesa, pasi bileta e avionit është tepër e shtrenjtë. E të tjerë akoma nuk kanë mundësinë të marrin viza, nëse nuk i sponsorizon dikush, për shembull, punëdhënësi.

 Agjencia e lajmeve nga Lindja e Mesme, “The National”, vë në dukje shumë nga këto raste, duke nënvizuar se gjithsesi, shumica e katolikëve janë entuziastë për konferencën ndërkombëtare në Abu Dabi dhe për simbolikën, që paraqet vizita e Papës në promovimin e tolerancës fetare.

Përgatitjet për pritjen e Papës

Përgatitjet për vizitën e Françeskut janë tashmë, kah përfundimi. “Ndërsa i afrohemi vizitës së Papës në Emiratet e Bashkuara Arabe, shohim se ajo merr gjithnjë e më tepër formë. Shpresojmë e lutemi që çdo gjë të shkojë mirë e që kjo vizitë të jetë bekim për të gjithë”: kështu deklaron koordinatori katolik, atë Michael O’Sullivan. Qeveria e Abu Dabit ka vënë në dispozicion qindra autobusë për ata, që do të marrin pjesë në meshë, ndërsa masat e sigurisë janë tashmë gati. Të martën, në stadiumin Zayed, priten rreth 135 mijë besimtarë.

Dy libra për t’i njohur më mirë të krishterët e Arabisë

Për t’i njohur më mirë të krishterët arabë, mund të lexohen dy libra. I pari titullohet “Një ipeshkëv në Arabi. Përvoja ime me islamin”, me autor vetë vikarin apostolik të Arabisë Jugore (Emiratet, Omani dhe Jemeni), ipeshkvin e Kishës lokale, imzot Paul Hinder, frat kapuçin. Janë dy, binarët në të cilat mbështetet teksti. Nga njëra anë, ç’do të thotë të jesh katolik në tokën e shenjtë të islamit, pa mundësinë për ta jetuar plotësisht lirinë fetare, por vetëm atë të kultit. Imzot Hinder tregon edhe për dialogun dhe konfrontimin e përditshëm me botën islamike, në nivele të ndryshme: personale, institucionale dhe akademike.

Realiteti shumëkulturor dhe shumëetnik i  Kishës

Nga ana tjetër, në libër përshkruhet realiteti shumëkulturor dhe shumëetnik i  Kishës, me mijëra punëtorë aziatikë, kryesisht nga Filipinet dhe India. Janë ata, që kanë hedhur rrënjët e krishterimit në vend. Tashmë, arrijnë gati në 1 milion e gjysëm, 50% e katolikëve të Lindjes së Mesme. Në Vikariatin e Arabisë Jugore ka besimtarë nga 100 kombe të ndryshme e famullia e Shën Marisë në Dubai, me 300 mijë besimtarët e saj, është më e madhja në botë.

Dialogu me islamin

 Imzot Hinder e konsideron udhë të detyrueshme dialogun me myslimanët, përndryshme bota aktuale e globalizuar nuk mund të funksionojë si duhet. Në Gjirin Persik ka vështirësi për këtë, prandaj, jo pa arsye, shmanget termi “dialog ndërfetar” e në vend të tij, përdoret “dialog ndërmjet feve”. Në libër, ipeshkvi denoncon pa doreza kushtet çnjerëzore, në të cilat punojnë emigrantët në vendet e Gjirit Persik: “Jetojnë të gjithë në kafazë modernë, ndërsa ndërtohen kulla luksi për vendasit”. Tema e shfrytëzimit të emigrantëve preket edhe në librin tjetër me titull “Ne, të krishterët e Arabisë”, shkruar nga italianja Chiara Zappa (botuar nga Emi). Reportazh, që u botua fillimisht në faqet e revistës “Bota dhe misioni”, ku, pëmes intervistave të shumta dhe një retrospektive të kujdesshme historike, hidhet dritë mbi kushtet e jetesës së pakicës së krishterë në Gadishullin Arabik.

31 janar 2019, 08:24