Cerca

Vatican News
 Kremtimi i Krishtlindjes në Egjipt Kremtimi i Krishtlindjes në Egjipt  (AFP or licensors)

Lutje për paqen, në ditën e Krishtlindjes për Kishat lindore

Krishtlindje, sot, sipas kalendarit julian, për miliona të krishterë, të shpërndarë në të katër anët e botës, ku Krishti u prit si Zot e Shëlbues!

R. SH.- Vatikan

“Të lutemi për paqen në mbarë botën”! “Të lutemi, që Zoti t’i mbushë me gëzim të gjithë njerëzit”: kështu i përgjigjet Patriku Tawadros, kreu i Kishës kopte-ortodokse, urimit të Krishtlindjes, “në shenjë bashkimi”, ndërmjet të krishterëve, drejtuar dje nga ana e Papës Françesku besimtarëve të Kishave Lindore, katolike e ortodokse, që ndjekin kalendarin julian.

Në botë vijojnë krimet, sepse mungon dashuria

Në një videomesazh, drejtuar të gjithë koptëve të botës, patriku i Aleksandrisë, kujton se “Krishtlindja është mundësi për ta mbushur shpirtin plot me dashurinë e Zotit, i cili nuk na dërgoi një engjëll, një kryeengjëll a një profet, një politikan a një ambasador, por u nis e erdhi vetë ndër ne, sepse Zoti e do me të vërtetë njeriun, me vepra, jo me fjalë. E nëse  bota vijon të tronditet nga dhuna në rritje, nga krimet e terrorizmi, e gjithë kjo ndodh  -  kujton me hidhërim të thellë patriku Tawadros - sepse në zemrat e njerëzve mungon dashuria”.

Shpirti, që di ç’është paqja, nuk e pranon dhunën

Ndërmjet kishave katolike, sot në festë për lindjen e Shëlbuesit, ajo greko-ukrainase, e udhëhequr nga kryeipeshkvi i madh Sviatoslav Shevchuk: “Të kremtosh Krishtlindjen - nënvizon prelati - do të thotë të mbushesh me paqen e qiellit e t’i thuash ‘jo’ dhunës, me fjalë e me vepra, si në jetën private, posaçërisht në familje, në marrëdhëniet burrë-grua ose prindër- fëmijë, ashtu dhe në të gjitha frontet e luftës. Nuk duhet të lejojmë - qorton imzot Shevchuk - që dhuna e verbër fizike e morale të bëhet mjet i luftës politike në shoqërinë ku jetojmë!”.

Meshë në mbarë botën, në pritje gazmore të Jezusit

Lindjen e Krishtit e kremtuan sot edhe të krishterët ortodoksë në Rusi, në Biellorusi, Serbi, Kroaci, Maqedoni, Tokë Shenjte e edhe shumë besimtarë, që ndjekin kalendarin julian në bashkësitë e përhapura në të katër anët e botës. Meshë solemne Natën e Krishtlindjes u kremtuan në mbarë botën, me pjesëmarrjen edhe të autoriteteve civile: përveç Egjiptit, në katedralen e re të Lindjes së Krishtit, ngritur në lindje të Kairos, ku do të jetë kryeqendra administrative, Mesha solemne u kremtua dhe në Kiev të Ukrainës, në katedralen e Shën Sofisë; në Betlehem, në Kishën e Lindjes së Jezusit, ku kryesoi patriku greko-ortodoks, Teofili III; në Moskë, në katedralen e Krishtit Shëlbues, ku ritin e kryesoi patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Kirilli I, në prani të kryeministrit Medvediev; në Shën Pietroburg, në katedralen e Shndërrimit të Zotit, ku mori pjesë edhe kreu i shtetit, Putin; në Beograd, në tempullin e Shën Savës, ku kremtoi patriku Irineu, primat i Kishës ortodokse serbe; në Sydney, në kishën ortodokse kopte të Shën Markut e në të gjitha skajet e Planetit, ku Krishti u prit si Zot e Shëlbues!

07 janar 2019, 17:31