Kërko

I Lumi dom Luigj Prendushi I Lumi dom Luigj Prendushi 

I Lumi dom Luigj Prendushi, në përvjetorin e martirizimit

I Lumi dom Luigj Prendushi, e flijoi jetën për Krishtin dhe për Atdheun, gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Dom Luigji kishte një zemër të mirë e bujare. Gjithçka, ishte lutje, pendesë e flijim dhe gjithçka shkonte kah Eukaristia e Shenjtë, që kremtonte, përditë dhe nga e cila pambarimisht merrte energji gjithnjë të freskëta dhe frytdhënëse. Jetoi në varfi, e kujdesej për të gjithë.

R.SH. - Vatikan

Më 24 janar kujtojmë të Lumin dom Luigj Prendushin, njërin nga martirët shqiptarë që u shpallën të Lumë në Shkodër më 5 nëntor 2016, që flijuan jetën për Krishtin dhe për Atdheun, gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri.

Dom Luigj Prendushi (Shkodër, 24. 01. 1896 – Shelqet, 24. 01. 1947) u arrestua, u torturua dhe u pushkatua nga regjimi komunist si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.  

Dom Luigj Prendushi lindi në Shkodër, më 24 janar 1896. U nis krejt i mitur për në Piemont të Italisë, ku i kreu të gjitha shkollat: nga fillorja, në kolegjet më të mira të Skarnafacios e të Sarvanos. Gjatë shkollimit, zgjodhi edhe rrugën e jetës: atë të përkushtimit ndaj Zotit e të afërmit. Pas shumë motesh në dhe të huaj, ai mund të vijonte qetësisht udhën e zgjedhur, aty ku e kishte nisur. Në vise të begata, të përparuara.

Tregohet se motit qe mbytur një varkë, ku kishte shumë tregtarë, me shumë mallra, Njerëzit shpëtuan, po mallrat u mbytën. Si kaloi droja e rreziku, tregtarët nisën të qanin me lot për mallrat e humbura. Ndërmjet tyre, vetëm njëri nuk ankohej. Ishte meshtar. Kur e pyetën si mund të rrinte aq i qetë, u përgjigj: – Nuk kam asnjë arsye për t’u qarë. Kapitali im është Ungjilli. Ai nuk mund të mbytet në det!

Me këtë kapital kthehej Dom Luigj Prendushi, në një vend ku të shkelshe i ngarkuar vetëm me dije, nuk ishte ndonjë nder i madh. E kështu, nga drita e dijes evropiane, në terrin e shpeshtë të padijes së vendit, prej të cilit qe larguar fare i vogël. Mes njerëzve, që i gjeti, si i kishte lënë. Prandaj erdhi, për t’i çliruar shqiptarët nga mendësia e kërkimit të një kafshate buke, një zheleje në shtat, dy tjegullave mbi kokë, një grazhdi për shtroje e një pushke në gozhdë, për t’u ruajtur nga bishat e egra e nga armiku.

Erdhi të banonte pranë tyre, në shtëpitë, që ishin më shumë shpella, të ndriçuara nga zjarri i vatrës, në Mazrek, Nënshat, Shllak, Dardhë (Pukë), Koman, Kaçë, Naraç, Shelqet. Erdhi në viset e veta, nga viset me pallate të larta, kisha madhështore, hotele vezulluese, rrugë, që zienin nga njerëzit, gjithë gjallëri. Erdhi, duke sjellë me vete një pasuri të pallogaritshme, një pikë takimi me viset më të përparuara të botës perëndimore. Ungjillin!

Pa i shkuar për asnjë çast në mendje të dredhonte rrugë, të rikthehej në vendet e lulëzuara, ku mund ta vijonte qetësisht jetën meshtarake. E aq më pak, t’ia mbathte  këmbëve, nga një vend që kishte nisur të ushqehej me bijtë e vet.

Dom Luigji kishte një zemër të mirë e bujare. Mbresa e tij Marije Kri, më 16.03.2044, vajza e së motrës Luçe, pohoi për dom Luigjin: “Nga karakteri ishte i përvuajtur, i dashur, i ëmbël dhe i shoqërueshëm. E donin shumë sidomos të rriturit. Ishte i përvuajtur dhe dinte të flijohej, ishte gjithnjë i gatshëm”. Ndërsa mbesa tjetër e tij Angjelina Gegaj pohon:” ..Nuk donte që njerëzit t’i puthnin dorën apo që t’i preknin petkun, sepse dëshironte që besimtarët të mos lidheshin me personin e tij, por me atë të Krishtit. Nipi tij Kol Marashi, shton: “ Kishte shumë zell,  veçanërisht ishte aktiv me të rinjtë, që përpiqej t’i afronte nga Krishti. Këtë ma kanë konfirmuar, pos nënës sime, edhe besimtarët e fshatrave ky dom Luigji kishte vepruar. Ndoshta edhe për këtë veprimtari dhe për ndikimin që kishte mbi të rinjtë, u arrestua”.

Predikonte në mënyrë shumë të qartë, konkrete dhe me një zë të ëmbël. Fjala e tij qëndronte e ngulitur në shpirt dhe të folurit të tij të tërhiqte në dëgjim. Kuro, pati një përkujdesje të veçantë për formimin njerëzor dhe të krishterë të të rinjve. Ku nuk kishte mësues, apo më mirë shkolla, dhe faktikisht në të gjitha fshatrat nuk kishte, dom Luigji zëvendësonte mësuesit duke u mësuar fëmijëve të lexonin dhe të shkruanin. Ditën e natën shkonte pranë të sëmurëve me sakramente. Shoqëronte me të gjitha ritet liturgjike të vdekurit në varreza, edhe kur komunistët morën pushtetin, që që e vinte në rrezik. Prandaj, gjithçka, ishte lutje, pendesë e flijim dhe gjithçka shkonte kah Eukaristia e Shenjtë, që kremtonte, përditë dhe nga e cila pambarimisht merrte energji gjithnjë të freskëta dhe frytdhënëse. Jetoi në varfi, e kujdesej për të gjithë

Për këto krime, e arrestuan. Akuzat e vetme “prift katolik” e “spiun i Vatikanit”. Dënimi, me vdekje. Pushkatimi, më 24 janar 1947. I vetmi shpërblim i jetës së tij, shkrirë për Ungjillin dhe njerëzit e kombit të vet, gjetja e eshtrave. Që nga maji i vitit 1992 pushon në Tënzonë, duke pritur zgjimin e madh, në varrezën e Rrëmajit, pranë njerëzve të familjes, të cilët i pati lënë ende i njomë, për t’i shërbyer Zotit e shqiptarit! 

Më 5 nëntor 2016, së bashku me 37 martirë tjerë, u shpall i Lum, gjatë Meshës solemne me ritin e lumnimit, në katedralen e Shën Shtjefnit, në Shkodër, nga i dërguari i Papës Françesku, Kardinali Angelo Amato, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Në fjalët e kardinalitAmato gjatë homelisë të 5 nëntorit 2016, shkëlqeu edhe një herë madhështia e flijimit të 38 bijve të Kishës katolike dhe të popullit shqiptar, që dhanë jetën për Krishtin e për Atdheun e lirë. E që nga dita e 5 nëntorit 2016 mund dhe duhet të themi; Martirë shqiptarë, që dhatë jetën për "Fe e Atdhe", na mbroni ne! Amen!

 

24 janar 2019, 15:06