Kërko

 Dhjetra kolumbianë kujtojnë viktimat e atentatit kundër policisë Dhjetra kolumbianë kujtojnë viktimat e atentatit kundër policisë 

Kolumbi: ipeshkvijtë dënojnë atentatin e Bogotasë

Shkaktoi vdekjen e më se 20 vetëve, shpërthimi i një bombe para akademisë General Santander të Bogotasë. Shoferi i kamioni të mbushur me 80 kilogram lëndë shpërthyese, ishte i sëmurë, në prag të vdekjes. Dyshohen luftëtarët e së majtës të Ushtrisë kombëtare të çlirimit (Eln). Për ipeshkvijtë “nuk mund të ketë kthim mbrapa në udhën drejt paqes”.

R. SH. - Vatikan

Bilanci i përkohshëm i atentatit, para shkollës së kadetëve të Policisë General Santander të Bogotasë, në periferinë jugore të metropolit, historikisht më e prekura nga kriminaliteti, është 21 të vdekur e 68 të plagosur. Shpërthimi i fuqishëm u shkaktua nga një autobombë, që  shkatërroi  pikat e kontrollit  të shkollës së policisë.

Ipeshkvijtë: nuk mund të kthehemi pas në rrugën e paqes

Kisha kolumbiane ngriti zërin, duke deklaruar se është kundër çdo forme të terrorizmit e të dhunës. “Kërkojmë paqe përmes dialogut, pajtimit e drejtësisë shoqërore. Solidarizohemi me policinë vendase dhe me familjet e viktimave” - theksoi imzot Oscar Urbina Ortega, kryetar i ipeshkvijve  të Kolumbisë. Edhe sekretari i përgjithshëm i Konferencës ipeshkvnore, imzot Elkin Fernando Alvarez Botero, i ftoi të gjithë kolumbianët për solidaritet me policinë: “Kisha bën thirrje që ta realizojmë së bashku projektin e paqes për vendin e të luftës kundër terrorizmit. Kjo do të thotë  se i dënojmë plotësisht qëndrime të tilla, me vetëdijen se asnjë nga format e dhunës nuk mund t’i zgjidhë problemet”. Prelati i fton, më pas katolikët, t’i shpeshojnë lutjet, që të mund të gjinden, me  urti e qetësi, udhët  që çojnë në sigurimin e paqes: “Të prekur thellë, ia kushtojmë lutjet tona viktimave në të gjithë vendin. Terrorizmi është udha e vdekjes, e tmerrit, e shkatërrimit. Asgjë nuk fitohet me dhunë e aksione terroriste”.

Dyshimi bie mbi luftëtarët e Eln

TV Caracol mendon se pas atentatit fshihen luftëtarët e së majtës të Ushtrisë kombëtare të çlirimit (Eln). TV Caracol  citon burimet e policisë, sipas të cilave shoferi i kamionit të mbushur me 80 kilogram lëndë shpërthyese, i sëmurë, në prag të vdekjes, u pagua nga Eln për t’u hedhur në erë. Atentatori u identifikua. Është - a ishte - 57 vjeçari Jose Aldemar Rojas Rodriguez, ish-luftëtar i Eln. Gjithnjë sipas Tv-së, terroristët e planifikonin atentatin që prej tre muajsh. E realizuan në përkim me betimin e kadetëve të akademisë General Santander, në jug të Bogotasë.

Bisedimet  ndërmjet qeverisë dhe Eln, nisur nga presidenti Juan Manuele Santos - protagonist historik i marrëveshjes së paqes me Farc - u ndërprenë nga pasardhësi, Ivan Duque, vitin e kaluar, sapo nisi presidencën. Duke vizituar akademinë, pas atentatit, foli për një sulm “kundër mbarë kombit”.

18 janar 2019, 13:29