Cerca

Vatican News
Foto nga revista Minerva, vjeti IV. – N. 38 Maj 1936 fq X E Emzot Gaspër Thaçi, Argjipeshkop Metropolit i Shkodrët dhe Emzot Vinçenc Prennushi, peshkop i Zadrimës, me rastin e shugurimit të tyre në Katedralen e Shkodrës Foto nga revista Minerva, vjeti IV. – N. 38 Maj 1936 fq X E Emzot Gaspër Thaçi, Argjipeshkop Metropolit i Shkodrët dhe Emzot Vinçenc Prennushi, peshkop i Zadrimës, me rastin e shugurimit të tyre në Katedralen e Shkodrës  

Imzot Gaspër Thaçi, kryeipeshkёv i Shkodrёs, nё pёrvjetorin e lindjes

Imzot Gaspër Thaçi, si klerik dhe atdhetar i spikatur lë përshtypjet më të mira në autoritetet e vendit e të huaja që takohnte. Nuk i del në pritje Mehmet Shehut, kur erdh për vizitë në Arqipeshkvi tё Shkodrёs, ditën e Pashkëve, një javë pas pushkatimit të Dom Zadejës. Mbrojtës i zjarrte i Fesë dhe idealeve, politikan e diplomat në kushtet e vështira që jetoi, shkëlqeu kurdoherë në dobi të Fesë dhe të kombit.

R.SH. - Vatikan

Më 23 janar kujtojmë kryeipeshkvin e Shkodrës, imzot Gaspër Thaçin (23 janar 1889 – 25 maji 1946), në përvjetorin e lindjes. Me vdekjen e Imzot Lazër Mjedës, vendin e tij e zuri Imzot Gaspër Thaçi, i cili lindi më 23 janar 1889, ishte njeri i ditur, i vendosur, me aftësi të rralla organizative në përkim me frymën e Kishës.

Gaspër Thaçi vinte nga radhët e shtresave të mesme të qytetit të Shkodrës. Mësoi së pari në shkollat kishtare të vendlindjes e më pas, së bashku me dy sivëllezër, dom Gaspër Gurakuqin dhe dom Mati Fishtën, shkoi të plotësonte kulturën e tij filozofike, teologjike e humane në Insbruck të Austrisë. Meshën e parë e kremtoi më 21 nëntor 1911 e menjëherë nisi shërbimin si famullitar në dioqezën e Sapës, në Nënshat, Dajç e në Qelëz, ku do të ngrinte flamurin shqiptar më 8 dhjetor 1912.

Më pas vijoi shërbimin si prift famullitar në qytetin e Shkodrës, asokohe një nga kryeqendrat më të zhvilluara të Shqipërisë, me 15 mijë katolikë e 50 priftërinj. Pati si sekretar një tjetër figurë të shquar, sa për përkushtim fetar, aq për kulturë: dom Tomë Lacen, që do të radhitej ndërmjet martirëve të parë të Kishës katolike në kohën e diktaturës komuniste, duke i mbyllur ditët e jetës i pushkatuar te Zalli i Kirit.

Kur u sëmur imzot Lazër Mjeda, prifti i ri u emërua si Vikar i Përgjithshëm i Kryedioqezës së Shkodrës. Më 19 mars 1936 Katedralja e Shkodrës ishte në festë: delegati Apostolik imzot Giovanni Della Pietra shuguronte njëherësh du ipeshkvij, dy emra të shkruar me shkronja ari e gjaku në historinë e Kishës: priftin dioqezan, imzot Gaspër Thaçin dhe françeskanin Imzot Vinçenc Prennushin.

Kështu filloi veprimtaria e jashtëzakonshme, në një kohë të pazakontë, e kryeipeshkvit të ri të Shkodrës, seli e shquar në rrjedhë të historisë për prelatë që mbrojtën me guxim të jashtëzakonshëm grigjën në dimrin e acartë të historisë së Shqipërisë.

Nën drejtimin e tij u organizuan një sërë konferencash tepër të rëndësishme me karakter doktrinor e shoqëror, që patën për qëllim t’i përgatitnin besimtarët përballë ngjarjeve të rënda historike që po afroheshin. Imzot Thaçi organizoi e drejtoi Komitetin për kremtimin e festave jubilare të Shëna Ndout e të Shën Luigjit si dhe 700-vjetorin e lindjes së Shën Françeskut, ngjarje që u pasqyruan gjerësisht në shtypin kishtar të kohës.

Si kryeipeshkëv, veç ndihmave të shumta që u dha kishave të fshatrave, si ajo e Bërdicës për shembull, përfundoi Kishën e Shën Kollit në Rus (shembur nga komunistët), Kapelën e Varrezave të Rrëmajit (pikërisht atë kapelë që më pas u bë simbol i rikthimit të Krishtit në trojet shqiptare), shuguroi elterin e ri të Shëna Ndout në Kishën françeskane të Gjuhadolit, i dha një hov të ri revistës dioqezane “Kumona e së Dielllës” di dhe të përkohshmeve të tjera fetare e kulturore.

Shquhej për guxim të jashtëzakonshëm, kur ishte fjala për të mbrojtur mësimet e Ungjillit e grigjën që i qe besuar. E kjo, në kohë të vështira, kur Kisha shqiptare, me kryqin e rëndë mbi supe, po ngjitej, e sharë, e pështyrë, e gjakosur, në majën e Golgotës.

Po kujtojmë vetëm se një javë pas pushkatimit të dom Ndré Zadejës, në pallatin e argjipeshkvisë erdh papritmas vetë Mehmet Shehu. Ishte dita e Pashkëve. Kryeministri donte të takonte kryebariun e grigjës në gojë të ujkut. Prelati i madh nuk pranoi të delte në takim, ndonëse kjo mund t’i kushtonte jetën. Po ai nuk u bë kurrë vegël e asnjë politike: mbeti atdhetar i kulluar, predikatar i zjarrtë i Lajmit të Mirë - Ungjillit, orator i shquar, njeri që nuk dinte t’i përdridhte fjalët, shpirt i kulluar, meshtar i vërtetë i Krishtit. Prandaj i tërhiqte aq fort besimtarët, që shikonin në Të njeriun i cili jetonte ashtu si predikonte.

Mbylli sytë më 25 maj të vitit 1946, pas një sëmundje të gjatë, të cilën e barti me durim shembullor. Salikimet e tij u kremtuan më 29 të atij muaji. Qenë të fundmet salikime madhështore që pёrjetonte Shkodra  - ato të Prelatit të madh. Rinia katolike, ndonëse e ndaluar rreptësishtë të merrte pjesë nga diktatura komuniste, shkallmoi dyert e mbyllura të gjimnazit të qytetit e, me lot në sy e kunora të panumërta në duar, rrethoi katafalkun ku dergjej Bariu, i cili do të varrosej po në Katedralen e Shkodrës. Ai varr nuk është më: një ditë të zezë të vitit 1967 eshtrat e Imzotit të Madh Gaspër Thaçit e të prelatëve të tjerë, u flakën. Askush nuk e di se ku. Veç emri i tij mbet, si shembull e si model për Kishën e re që hodhi sërish shtat mbi atë varr pa eshtra!

23 janar 2019, 05:20