Kërko

 KIsha e Zojës së Karmelit pas shpërthimit të bombës KIsha e Zojës së Karmelit pas shpërthimit të bombës 

Filipine. Bomba para katedrales së Jolo-s: 20 të vdekur

Para katedrales të Zojës së Karmelit, në Jolo City, provincë filipine e Sulu, shpërthyen dy bomba, duke vrarë 20 vetë. Atentati ndodhi një javë pas referendumit, që sanksionoi krijimin e një province autonome me shumicë myslimane, në jug të vendit.

R. SH. - Vatikan

Arriti në 20 të vdekur e 81 të plagosur bilanci i atentatit para katedrales të Zojës së Karmelit në Jolo City, jug i Filipineve, gjatë Meshës Shenjte të së dielës. Njoftimin e jep policia vendase. Viktimat janë 15 civilë e 5 ushtarakë, ndërsa mbetën të plagosur  65 civilë. Dy bomba - saktësojnë forcat e sigurimit - shpërthyen gjatë Meshës. E para, pranë portës së katedrales. Shpërthimi i parë u ndoq menjëherë nga i dyti, brenda ndërtesës kishtare, ndërsa forcat e policisë po merreshin me sulmin e parë. Në fotot e përhapura nga mjetet e komunikimit shihen trupat e të vrarëve ndërmjet rrënojave të rrugës plot me njerëz, jashtë katedrales të Zojës së Karmelit, ku nuk është hera e parë që shpërthejnë bomba. Kisha u rrethua menjëherë nga trupa ushtarake në pozicion lufte, ndërsa të vdekurit e të plagosurit mbarteshin në spital. Të plagosurit rëndë u transportuan me helikopter në qytetin e afërt Zamboanga. Të gjitha vendet e kultit  në zonë janë në gjendje alarmi.

Ishulli i Jolos tronditet shpesh nga prania e militantëve të Abu Sayyaf, në listën e zezë të SHBA-ve dhe të Filipineve si organizatë terroriste, pas atentatesh, rrëmbimesh e prerjes së shumë kokave.

Pak ditë më parë, referendumi për autonominë e provincës

Deri tani askush nuk  e ka pranuar autorësinë e sulmit, realizuar në më pak se një javë  pasi pakica myslimane në vend fitoi një autonomi të veçantë, me shpresë se kjo do t’i jepte fund konfliktit, në vijim që prej 50 vjetësh, gjatë të cilit gjetën vdekjen më se 150 mijë vetë. Ndërsa shumica myslimane e zonës e pranoi marrëveshjen për autonominë,  pjesa tjetër,  që banon në provincën  Sulu, ku ndohet edhe Jolo, i  kundërvihet.

27 janar 2019, 10:16