Cerca

Vatican News
Valle e të rinjve hebrenj në Murin e Lotëve, në Jeruzalem Valle e të rinjve hebrenj në Murin e Lotëve, në Jeruzalem 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Nehemisë

“Tepricat që shpëtuan nga shpërngulja dhe gjenden në krahinë, janë si është më zi, në mjerim e të poshtëruar. Muret e Jeruzalemit janë të rrënuara e dyert e tij të djegura nga zjarri” (Neh 1,3). Nga ky tregim i burrave të Judës për kupëmbajtësin e mbretit persian Artaserse, Neheminë, zë fill Libri biblik, që mban emrin e atij, i cili së bashku me Esdrën, vuri bazat e fesë hebraike, siç e njohim nga Ungjijtë. Sot, flasim pikërisht për këtë Libër, bazuar në vëllimin e shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Nga fjalët, që sapo thamë, Nehemia merr vesh se gjendja e Jeruzalemit ishte vërtet e trishtuar e shpërthen në vaj, duke iu përgjëruar Zotit ta ndihmojë të kthehet në atdhe. Mbreti Artaserse e sheh dhe e pyet për arsyen e atij trishtimi. I frikësuar në kulm, Nehemia merr gjithsesi guximin t’i kërkojë leje për t’u kthyer në vendin e vet e çuditërisht, mbreti persian e lejon, madje i shkruan një lejekalimi. Kur mbërrin në Jeruzalem, Nehemia mbetet pa frymë nga gjithçka sheh, por mjerimi nuk ia heq dëshirën për ta ndryshuar gjendjen.

Nehemia e Esdra, themelues të hebraizmit, siç e njohim nga Ungjijtë

Libri i Nehemisë, s’është tjetër, veçse tregimi i veprave të kupëmbajtësit, që bëhet guvernator i Jeruzalemit e, së bashku me skribin Esdra (për të cilin ju folëm të enjten e kaluar), jo vetëm restauron Qytetin e Shenjtë, por i jep jetë hebraizmit. Formohet një komb pa liri politike, që e gjen forcën dhe identitetin e vet në respektimin e ligjit, në kultin e tempullit dhe në centralitetin e vetë Jeruzalemit. E guvernatori, Nehemia, është shembull edhe për politikanët e sotëm të çdo ngjyre.

Nehemia, shembull i politikanit të mirë

Gjendja ekonomike e vendit ishte e dëshpëruar dhe Nehemia e kupton se nuk ishte vetëm çështje muresh të shkatërruara. Shtresat më të përvuajtura të shoqërisë ishin në varfëri të skajshme e detyroheshin të hipotekonin shtëpi e terrene, ose të kërkonin para me kamatë, për t’i paguar taksat mbretit të Persisë. Këta njerëz ngrenë zërin në atë, që mund të konsiderohet protesta e parë shoqërore në gjithë Biblën. Nehemia indinjohet dhe i akuzon pasanikët hebrenj si fajdexhinj, duke u dhënë urdhër të anulojnë interesat mbi kreditë e dhëna. Fantastik, Nehemia, edhe për kohën e sotme!

“Unë, vëllezërit e mi dhe djelmoshat e mi, u dhamë para e drithëra hua shumë vetëve; nuk do t’ua kërkojmë më këto. Kthejuani sot arat e tyre, vreshtat, ullishtat dhe shtëpitë e tyre dhe faljuani përqindjen e parave, të grurit, të verës e të vajit, që ua keni caktuar” (Neh 5,10-11).

Ah ç’politikan është Nehemia, guvernator i vërtetë! Mos vallë kërkoi pagesë për shërbimet e tij? Aspak!

“Qeveritarët e mëparshëm, që kishin qenë para meje, e kishin rënduar popullin dhe marrë prej tyre çdo ditë nga dyzet sikla të argjendit për bukë. Kështu edhe nëpunësit e tyre e kishin shtypur popullin. Unë nuk veprova kështu sepse e droja Hyjin. Madje as nuk iu ndava rindërtimit të mureve e s’bleva asnjë copë tokë” (Neh 5,15-16).

Lind Izraeli si entitet politik

Edhe sot, hebrenjtë e marrin si shembull Neheminë për bujarinë e tij pa interes ndaj popullit. Edhe Nehemia, si çdo politikan i ndershëm, pati shumë armiq, të cilët bënë ç’është e mundur ta tërhiqnin në kurthe e ta vrisnin, por me ndihmën e Tënzot e duke vënë në punë inteligjencën e tij, ai iu shmang këtyre atentateve. Arrin të ndërtojë murin e qytetit në 52 ditë e bën të lindë zyrtarisht Izraeli si entitet politik, megjithëse nën autoritetin persian.

Në kapitullin 8 zë fill leximi publik i Shkrimit Shenjt

Kapitulli i tetë i Librit është themelor. Nehemia organizon një takim madhështor, që s’ka shoq në Bibël. Gjatë tij, lexohet solemnisht para popullit hebraik Ligji i Moisiut, tashmë kodifikuar gjatë mërgimit në Babiloni, nga ana e Esdrës meshtar dhe e levitëve. Teksti duhet përkthyer për popullin, sepse shumica nuk e dinte më hebraishten, por vetëm gjuhën aramaike.

Falë Esdrës dhe Nehemisë zuri fill tradita e leximit publik të Shkrimit Shenjt, që vijon edhe sot në sinagoga, ku përgjatë vitit paraqitet krejtësisht Pesëlibërshi, ndërsa në kishat e krishtera, lexohet Ungjilli, në një periudhë 3-vjeçare.

Ç’maja mund të kapen me ndershmërinë

Libri përfundon me një formulë solemne pendestare, në të cilën përshkohet gjithë historia e atdheut, duke nisur nga Krijimi e deri në shkatërrimin e Jeruzalemit. Nga kjo sintezë varet gjithë interpretimi tradicional i Biblës, që ka ardhur deri në ditët tona. Por natyrisht, në qendër të Librit është Nehemia, i cili lë pas salltanetet e oborrit mbretëror të Persisë për t’i dhënë jetë një qyteti, një populli, një feje. Njeri i veprimit dhe i qeverisjes së mirë, besimtar i sinqertë, i ndershëm dhe pa interes. Në mos tjetër, duke parë rezultatet që arriti, shembulli i Nehemisë duhet të bindë politikanët e sotëm për majat që mund të kapin, duke përdorur ndershmërinë.

24 janar 2019, 11:56