Kërko

Vatican News
Hebre Hebre  (AFP or licensors)

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Esterit

Kush lexon për herë të parë historinë e Esterit, vështirë se i jep këtij libri biblik rëndësi themelore për traditën hebraike. Por, për hebrenjtë, në të gjendet zanafilla e festës së Purimit, që ka të njëjtën rëndësi me ditën solemne të shlyerjes së mëkateve, Yom Kippur, gjatë së cilës besimtarët agjërojnë e bëjnë pendesë. Vetëm se Purimi, në të kundërt me Yom Kippur, karakterizohet nga të ngrëna e të pira aq të shumta, sa mund të mos marrësh më vesh ç’bëhet në këtë botë. Në këtë rubrikë të parë të vitit 2019, do t’ju flasim pikërisht për Librin e Esterit, menjëherë pas të ngrënave e të pirave të Vitit të Ri.

R.SH. - Vatikan

Historia e përshkruar në Libër, gati kinematografike, zhvillohet në oborrin e mbretit të Persisë, në shekullin V para Krishtit. Xhelozi, intriga oborri, edikte mbretërore, një harem i jashtëzakonshëm, gosti që zgjasin një javë, eunukë, shërbëtorë, dashuri plot pasion e vdekje me dhunë: asgjë nuk mungon në të. Fillimisht, ky Libër është shkruar në hebraisht e pastaj, është përkthyer në greqisht, duke e zgjeruar mjaft tregimin e zanafillës me çaste “shpirtërore” në një histori, që dukej pak si tepër e kësaj bote. Në qendër, figura e Esterit dhe e ungjit të saj, Mardokeut.

Historia e Esterit

         Kur mbretëresha Vasti bie në fatkeqësi për shkak të tekave të veta, mbreti kërkon një mbretëreshë tjetër. Mardokeu paraqet të mbesën, e cila me hiret e saj, lë pas konkurrentet nga 127 provincat e mbretërisë. Ester shpallet kështu mbretëreshë, duke shkaktuar xhelozinë e princit Aman, që e nxit mbretin kundër Mardokeut dhe popullit hebraik. Mbreti shpall një edikt, që do të mbetet profetik në kujtesën e ardhshme të popullit izraelit, me të cilin urdhëron të shfarosen të gjithë hebrenjtë. E vetmja shpresë për popullin e zgjedhur është Esteri, e cila, pas një nate agjërimi e lutjeje, del para mbretit për t’i kërkuar mëshirë e për t’ia çjerrë maskën Amanit. Mbreti i beson gruas së guximshme, vret Amanin dhe i jep dinjitetin e humbur Mardokeut. Me një edikt të ri, i fton hebrenjtë të hakmerren kundër armiqve.

Libri i Esterit sjell guxim e shpresë

         Një dramë dyfish e rëndësishme, sepse kremton fitoren mbi ata, që janë kërcënim për fatet e popullit të Zotit e sidmos, sepse ky kërcënim do ta shoqërojë në shekuj Izraelin, i cili, gjithnjë, do ta rilexojë Librin e Esterit për të gjetur guxim e shpresë. Jo rastësisht, ai është libri më i dashur për hebrenjtë e ndihmon për të kuptuar traditën shpirtërore të Izraelit, që karakterizohet nga disa aspekte, nganjëherë, befasuese.

Roli i gruas për hebrenjtë

         Nga jeta hebraike, asnjë aspekt tjetër nuk duket kaq i keqkuptuar sa roli i gruas dhe statusi i saj. Sipas Ligjit, sfera kryesore e veprimtarisë së gruas është private, por tradita shpirtërore e mëvonshme – e shprehur, për shembull, në Kabala – e sheh femëroren të lidhur me konceptin e sovranitetit, që është faza e fundit e dukjes së hyjnisë. E në Librin e Esterit, pikërisht mbretëresha personifikon këtë lloj gruaje, që e shpëton popullin e vet. Për këtë arsye, siç shkruajnë rabinët, festa e Purimit përfaqëson majën më të lartë të shenjtërisë. Hebrenjtë pranojnë se kur Zoti shfaqet në gjithë lavdinë e Tij - si Moisiut në malin e Sinait, për shembull, - ata nuk mund ta rezufojnë, por besëlidhja e vërtetë me Hyjin shihet kur Zoti e fsheh fytyrën e vet (Lp 31). Ky sinqeritet shihet tek Esteri, prandaj, paradoksalisht, ajo konsiderohet më e madhe se Moisiu, pasi shpreh femëroren, atë që fshihet, është shembëlltyra më e plotë e Zotit.

Në fenë biblike ka vend për materialen e për shpirtëroren

         Në Librin e Kishtarit vihet në dukje se ka një kohë të caktuar për çdo gjë: gjallëria e historisë së Esterit dhe e të gjitha historive biblike, ku gjejmë humanitet, emocione, gabime, dëshira, pasione, e bëjnë fenë diçka tmerrësisht njerëzore, aspak të ndarë nga gjërat materiale. Në fenë biblike ka vend për paratë, për suksesin, për pasurinë, për kënaqësitë, për fitoren, për humbjen, për gruan, për burrin, për luftën, për urtinë, për virtytin, për mëkatin; ndeshemi me një këmbëngulje e me një dëshirë befasuese për të jetuar, sidomos sepse shprehur nga një popull i persekutuar, i mohuar, i kritikuar, nga i cili të tjerët kanë edhe frikë. E ajo që e ka përforcuar fenë e këtij populli shprehet qartas në këtë libër. Libër fatkeqësish e persekutimesh, në të cilin populli, falë një gruaje, gjen shpëtim dhe e kthen vajtimin në gëzim, agjërimin në dehje, pa hije mëkati, sepse në shpëtimin e plotë material gjen atë shpirtëror.

Këndvështrimi katolik

         Për katolikët e sotëm, ky lloj tregimi është disi i çuditshëm. Ne kemi Karnevalet para Kreshmëve (e kundërta me Esterin që më parë agjëron e pastaj feston) e kur festohen Pashkët, pas agjërimeve gjithnjë e më të rralla, disa sikur e humbasin kuptimin e festës, që vjen nga feja, nga fakti se mund t’i gëzohemi mishit e ta hamë atë, për arsye shpirtërore. Është njëlloj sikur Papa t’u kërkonte katolikëve për Pashkë, ta pijnë me fund verën e Kanës, verën e gëzimit, që Krishti erdhi të na e sjellë, deri sa – ashtu si në festën e Purimit – të mos marrim vesh ç’bëhet në këtë botë e madje, ta shkëmbejmë mallkimin me bekimin. Sa kritika do të kishte për një ftesë kaq materialiste, në një festë kaq shpirtërore! Dualizmi ndërmjet materies dhe shpirtit, kënaqësisë e gëzimit, trupit e shpirtit, është problem serioz, që vetëm Bibla e, në veçanti, Besëlidhja e Vjetër, mund të na ndihmojnë ta zgjidhim. Libri i Esterit na nxit – së paku për një çast – të mendojmë se Zoti, ndoshta, dëshiron ta gjejmë edhe në plotësinë e jetës sonë materiale, e cila, në këndvështrimin e fesë, mbetet një himn për jetën, për jetën e bukur, për jetën e bekuar nga Hyji.

03 janar 2019, 17:25