Kërko

 Zoja e Ngjitur në Qiell Zoja e Ngjitur në Qiell 

Nëntëditëshja e Zojës së Papërlyer (29 nëntor - 7 dhjetor) dita IX

Dita e nëntë dhe e fundit e nëntëditshes së Zojës së Papërlyer, i kushtohet “Marisë, Nënë që hap portat e Parrizit”

R: SH. - Vatikan

Sot dita e fundit e nëntshes kushtuar Zojës së Papërlyer: nesër, solemniteti  i Saj, që tingëllon si ftesë për t’i sjellë sytë kah Maria, për t’i kënduar himne, për t’i kushtuar shpirt e korp, në gjunjë para altarit, stolisë me zëmbakë e trëndafilë, të bardhë, si zemra e saj e papërlyer.

Jemi bij të saj

Duke qenë Jezusi, sot më shumë se kurrë, fryt i Marisë, e duke dëgjuar qiell e tokë kah përsërisin mijëra herë në ditë: “Bekuar qoftë fryti i barkut tënd, Jezus”, është e sigurt se Jezu Krishti, për çdo njeri, posaçërisht për atë që e pushton, por edhe për të tërë në përgjithësi, është fryt i vërtetë e vepër e Marisë. Nëse Jezu Krishti merr trajtë në zemrën e besimtarit, ai mund të thotë i sigurt: “Të falënderoj, Mari: gjithçka kam, është fryti e pasoja jote; pa ty, nuk do ta kisha”. Marisë mund t’i përshtaten edhe më vërtetësisht se Shën Palit, këto fjalë të thëna prej Apostullit: “Bijtë e mi të dashur, që unë ju lind me dhimbje rishtas, deri që Krishti të formohet në ju”. “Unë lind çdo ditë bij të Hyjit, e i përkujdes, derisa në ta të marrë trajtë, në gjithë pjekurinë e tij, Krishti, biri im”. Shën Agostini, duke kapërcyer vetveten, shkruan se të gjithë besimtarët e vërtetë, për t’u përputhur plotësisht me figurën e Zotit, sa janë mbi këtë tokë, fshihen në kraharorin e Virgjërës Shenjte, ku ruhen, ushqehen, ndreqen e rriten nga kjo Nënë e mirë, deri në çastin kur ajo i nxjerr në dritën e lumnisë, pas vdekjes, që është pikërisht dita e tyre e lindjes, siç e quan Kisha vdekjen e të drejtëve. O mister hiri! I panjohur për kë nuk ka fe e pak i njohur deri për vetë besimtarët.

Maria, Nëna që hap portat e Parrizit

Vetëm Marisë Hyji i dha kyçet e dhomave të dashurisë hyjnore; asaj ia dha pushtetin të hyjë në udhët sublime e sekrete të përkryerjes e t’u prijë edhe të tjerëve. Maria është e vetmja që ua hap portat e Parrizit tokësor bijve të mjeruar të Evës, të pabesës, që të mund të shëtisin këndshëm me Hyjin, të gjejnë strehë të sigurt për t’u mbrojtur nga armiqtë, të ushqehen me kënaqësi, e pa u trembur më nga vdekja – me frytin e pemës së jetës e të shkencës të së mirës e të së keqes e - të pijnë me gllënjka të gjata ujërat qiellore të kësaj gurre të bukur, që gufon begatisht. Madje është ajo vetë ky parriz tokësor, kjo tokë e virgjër, e bekuar, nga cila Eva e Adami mëkatarë, u flakën jashtë; e ajo i lë të hyjnë vetëm ato e ata, të cilëve dëshiron t’u prijë kah shenjtëria.

Lutja: Mbas teje!

Flakëzat e qirinjve sonte

xixëllojnë ndër bebe sysh.

Zëra të bardhë lartohen

nga kishat e botës

drejt Teje

të papëlyer - sonte,

në ngjasim tënd!

Ëndrra e jetës fafitet

në flakëzat e altarëve,

që ndrijnë në kujtim të ditëve

të largëta, sonte fare pranë,

kur Engjëlli i Tënzot

ta solli lajmin e madh

të padëgjuar të Mishërimit…

E qielli priti gjegjen tënde.

E toka mbarë

mbetur pa frymë, dëgjoi:

“U bëftë mbi mua

Zotynë si e premtoi”.

Gjithkush ka dy shtigje në jetë:

Një të bardhë

e një që të çon ndër prita:

Ne, nisim shtegtimin

mbas Teje,

në shtegun e bardhë,

porsi drita!

07 dhjetor 2018, 12:28