Cerca

Vatican News
E diela e 3-tё e kohёs sё Ardhjes E diela e 3-tё e kohёs sё Ardhjes  

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të kohës së Ardhjes

Profeti, Gjon Pagëzuesi në emër të Zotit, nuk u kërkon njerëzve të bëjnë gjeste të jashtëzakonshme; u kërkon vetëm ta kryejnë me nder detyrën e tyre. Hapi i parë kah jeta e pasosur është gjithnjë zbatimi i urdhërimeve, posaçërisht udhrit të dashurisë.

R.SH. - Vatikan

Prania e Zotit është gëzim për njeriun! Ja përsëri në takimin tonë javor me liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës, kësaj radhe  meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 3-të të kohës kishtare të Ardhjes, ciklit të tretë, që paraprin e përgatit Krishtlindjen.

E diela 3-të e kohës kishtare të Ardhjes, ciklit të tretë

E diela e tretë e Ardhjes përshkohet nga tema e gëzimit. Zoti është afër! Për këtë liturgjia e kësaj së diele na fton në gëzim. Gëzohuni sepse Zoti na sjell paqen e shpëtimin, thotë Shkrimi i Shenjtë. 

Leximet biblike (Sof 3,14-18.a; Fil 4.4-7; Lk 3.10-18) të kësaj së diele na thonë se Zoti është afër nesh: ne nuk e shohim, por Ai po afrohet dhe dëshiron të na dhurojë gëzimin e vet hyjnor, atë gëzim që do të përsoset me kthimin e Tij, por i cili gëzim që tani mund të fillojë të zërë vend në jetën tonë për ta bërë më të bukur e të lumtur. Zoti ka dashur që historia njerëzore, kaq shumë e mbushur me vajë e vuajtje, të shoqërohet nga kumtimi i lumturisë, që në Mishërimin e Krishtit realizohet e sjell fryte.

Në zemrën e çdo njeriu ekziston një nevojë kaq e madhe shpëtimi saqë nëse njeriu nuk e pranon, jeta e tij dështon. Ata që në Ungjill e pyesin Gjon Pagёzuesin, “ne, pra, ç’na duhet të bëj-më?” shfaqin pikërisht këtë nevojë. Dhe ai u përgjigjej atyre: “Kush ka dy palë petka, le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu!”. Kërkonte që të kryheshin gjeste bashkëndarje dhe solidariteti ndaj të afërmit. Në dashurinë që ke për të afërmin dhe në drejtësinë sociale përjetohet dashuria që Hyji ka për ne dhe për të tjerët.

Në Kohën e Ardhjes, Kisha na fton t’i kushtohemi me zell lutjes dhe veprave të paqes. Ungjilli i dielёs sё 3-tё tё kohёs sё Ardhjes na flet për figurën e Shën Gjon Pagëzuesit. Tё ndalemi sidomos tek dialogu i Gjonit me turmën, publikanët e ushtarët. Në dialogun e parë, shohim qartë se drejtësia duhet të frymëzohet nga dashuria e krishterë.

Drejtësia kërkon të kapërcehet mungesa e drejtpeshimit ndërmjet atij që ka me tepri dhe atij, të cilit i mungon edhe kafshata e përditshme; dashuria e krishterë na shtyn të jemi të vëmendshëm ndaj tjetrit e ta ndihmojmë kur ka nevojë, në vend që të kërkojmë justifikime, vetëm e vetëm për të mbrojtur interesat vetjake. Drejtësia e dashuria e krishterë nuk i kundërvihen njëra-tjetrës, janë të dyja të nevojshme e plotësojnë njëra-tjetrën.

Ndërsa publikanëve, siç quheshin tagrambledhësit e kohës, Gjon Pagëzuesi u kujton se nuk duhet të kërkojnë kurrë më tepër, se shumat e caktuara. Profeti, në emër të Zotit, nuk u kërkon njerëzve të bëjnë gjeste të jashtëzakonshme; u kërkon vetëm ta kryejnë me nder detyrën e tyre. Hapi i parë kah jeta e pasosur është gjithnjë zbatimi i urdhërimeve; në këtë rast, urdhërimi i dhjetë i Tënzot: “Mos vidh!”.

Pastaj Gjoni u drejtohet ushtarëve, të cilëve u kërkon të mos e shpërdorojnë pushtetin e tyre. Edhe këtu biseda nis nga ndershmëria e respekti, që duhet pasur për të tjerët: porosi, që vlen për të gjithë, posaçërisht për ata, që kanë më shumë përgjegjësi.

Gjoni, pararendës dhe dëshmitar i Atij që po vjen e që do të pagëzojë me zjarrin e Shpirtit, thotë që ky është një moment vendimtar. Hyji na takon këtu dhe tani, sepse ndryshojmë jetë, e fillojmë të praktikojmë solidari-tetin dhe ndershmërinë.

                                             Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Sof 3, 14-18

Profeti Sofonia i këndon gëzimit të takimit të ri mes dhëndrit, Hyjit, dhe nuses, Izraelit. Hyji përtërin besëlidhjen me popullin e tij. Pas shumë luftërash dhe lotësh që populli ka duruar, profeti sheh një të ardhme gëzimi dhe shpëtimi. Ai shpall se gëzimi dhe dashuria e Hyjit do të fitojnë mbi fatkeqësitë. 

Lexim prej Librit të Sofonisë profet

Këndo hareshëm, bija e Sionit, thuaja gëzueshëm këngës, o Izrael! Gëzo e galdo me gjithë zemër, ti, bija e Jerusalemit! E tërhoq Zoti dënimin tënd, i shpërndau larg armiqtë e tu. Mbret i Izraelit është Zoti midis teje, s’ke pse më ta druash të keqen! Jerusalemit atë ditë do t’i thuhet: “Frikë aspak mos ki, Sion, assesi të mos mpaken duart! Në mesin tënd është Zoti Hyji yt, trim mbi trima, Shpëtimtar! Do të galdojë për ty hareshëm, i përmalluar nga dashuria, do të kërcejë për ty me gëzim porsi në ditë feste.” 
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin!

Psalmi( Kënga) Is 12,2-6

Aleluja, në mesin tonë 
po vjen Hyji i gëzimit e i haresë

Qe, Hyji Shëlbuesi im,
kam besim e nuk kam frikë,
sepse fuqia ime e mburrja ime 
është Zoti, Ai është shpëtimi im.

Me galdim do të merrni ujë 
nga burimet e shëlbimit.
Edhe thoni atë ditë: 
“Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,
shpallni ndër popuj veprat e tija,
kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!

Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli,
le ta marrë vesh bota mbarë!
Brohoritni e këndoni lavde, 
ju banorët e Sionit,
sepse i madhërishëm është 
në mesin tuaj Shenjti i Izraelit!”

Leximi i dytë Fil 4,4-7

Të krishterët zotërojnë qartësinë se “Zoti është afër”. Jeta është plot shqetësime dhe shpresa, por pas ardhjes së Jezu Krishtit, jetohet në paqe dhe gëzim. Për këtë të krishterët duhet t’i dëshmojnë botës besimin përballë së ardhmes, qartësinë e qetë që jeta merr një kuptim me ardhjen e Krishtit. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
Vëllezër, gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni! Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është ngjat! Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka – me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim – paraqitni Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus. 
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajmin e gëzueshëm.
Aleluja.

Ungjilli Lk 3, 10-18

Gjon Pagëzuesi shpall lajmin e mirë. Mesia që vjen do të vërë drejtësi jo nëpërmjet shenjash të jashtme (erë, zjarr, tërmet, kërcënime), por nëpërmjet shenjave të përvuajtura dhe personale të një ndryshimi të dukshëm të mentalitetit. Ai që kthehet është një njeri që jeton për të tjerët. Njerëzit që ndihen mëkatarë përgatiten për ardhjen e Mesisë që do të japë Shpirtin Shenjt, nëpërmjet pagëzimit të Gjonit, shenjë pendimi dhe kthimi.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, turmat e pyetnin Gjonin: “Ne, pra, ç’na duhet të bëjmë?” “Kush ka dy palë petka – u përgjigjej – le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu!” Erdhën edhe disa tagrambledhës t’i pagëzojë dhe i thanë: “Mësues, po neve çka duhet të bëjmë?” Ai u përgjigji: “Mos kërkoni asgjë më tepër se ju është caktuar.” E pyetën edhe disa ushtarë: “Po ne, çka duhet të bëjmë?” Edhe atyre u përgjigji: “Askënd mos merrni me të keq! Askënd mos paraqitni rrejshëm dhe jini të kënaqur me rrogën tuaj!”. E pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidhë lidhëzat e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr. Ai e mban në dorën e vet terploten për të pastruar lëmin e vet, për të mbledhur grurin në grunarin e vet, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm”. E me shumë mësime të tjera ia shpallte popullit Ungjillin. 
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht

 

 

14 dhjetor 2018, 18:07