Cerca

Vatican News
Tregu i Krishtlindjes në Strasburg, ku ndodhi atentati Tregu i Krishtlindjes në Strasburg, ku ndodhi atentati  (ANSA)

Atentat në Francë. Kryeipeshkvi i Strasburgut: pas dhunës, të lindë shpresa

I intervistuar nga Vatican News, kryeipeshkvi i Strasburgut, imzot Luc Ravel, tregon për çastet e ethshme pas atentatit në tregun e Krishtlindjes së qytetit dhe shpjegon nëvojën për shëlbimin, që vjen nga Jezu Krishti.

R.SH. - Vatikan

Kisha e gjithë Evropës shtrëngohet rreth Francës, pas atentatit të mbrëmshëm në tregun e Krishtlindjes në Strasburg. Një 29 vjeçar francez me origjinë afrikano-veriore hapi zjarr mbi turmën, duke shkëmbyer më pas të shtëna me forcat e rendit: tre viktima, më se një dyzinë të plagosurish, gjashtë prej të cilëve në gjendje serioze. “Akt i tmerrshëm”: kështu u quajt atentati nga zëdhënësi i ipeshkvijve francezë, imzot Olivier Ribadeau Dumas. Mendimi i ipeshkvijve, shkruan ai në një tweet, “shkon tek familjet e viktimave, sprovuar aq ashpër, si edhe tek ata, që po luftojnë për jetë a vdekje”. Ipeshkvijtë ia besojnë Zotit “të gjithë ata që vuajnë”, duke shprehur simpatinë për “forcat e sigurisë”.

Dëshmia e kryeipeshkvit të Strasburgut

Çka ndodhi, do të mbetet “shenjë për gjithë jetën”, pohon për Vatikan News, imzot Luc Ravel, kryeipeshkëv i Strasburgut. Në mikrofonin tonë, ai rikujton çastet menjëherë pas sulmit, kur popullatës iu kërkua të qëndronte në shtëpi për arsye sigurie:

Sigurisht e njoh shumë mirë qytetin e vjetër të Strasburgut: banoj 150 metra nga vendi ku ndodhën ngjarjet. Ishim mbyllur në shtëpi [natën e kaluar], prandaj nuk mund të merrja pjesë në ankthin e ndodhive në rrugë, por dëgjuam gjithçka: sirenat, ardhjen e helikopterëve, pastaj rrugët e shkretuara ... Mendimi i parë qe ankthi: çfarë kishte ndodhur? Më erdhi ndërmend gjithçka kam përjetuar si ipeshkëv në ushtri, gjithçka ndodhi në vitin 2015 me sulmet kundër Charlie Hebdo, në Bataclan, në rrugët e Parisit ... Edhe një herë, një ndjenjë e thellë ankthi dhe pastaj shqetësimi për njerëzit: fillon të mendosh edhe për të dashurit e tu, ende nuk dinim emrin e viktimave, pastaj, mendimi për familjet e të vrarëve ... Të mbetet një shenjë për gjithë jetën ...

Strasburgu është qytet simbol: është qytet evropian, me një katedrale madhështore, me tregun e Krishtlindjes më të rëndësishëm në Evropë ... Mendohej se mund të ishte objekt sulmesh. Sot, ç’mund të thuhet?

Sulmet e fundit, e gjithsesi, ato të kryera në tokën franceze, tregojnë se të gjitha objektivat kishin edhe një vlerë të madhe simbolike. Sigurisht, viktimat janë reale ... Për Strasburgun, simbolika është e dyfishtë: ai është kryeqyteti i Krishtlindjes dhe kryeqyteti i Evropës.

Mendonim se tashmë, kërcënimi terrorist është larg. E sotmja na dëshmon se nuk duhet ulur vigjilenca. Nga ana tjetër, mediat po përpiqen t’i japin kësaj ngjarjeje një interpretim, që niset nga kriza shoqërore. Çfarë mund të thotë Kisha për këtë?

Në trashëgiminë e saj, Kisha ka të ashtuquajturën “Bibël të dhunës”, pra, tekste ku ka dhunë. Zoti nuk e injoron dhunën, as atë shoqërore, si për shembull, atë që po ndodh tani në Francë, me protestat e “jelekëve të verdhë”, ku ka edhe fraksione, që sjellin shkatërrim. Megjithatë, duke lënë mënjanë “shkatërrimtarët”, ndihet ky zemërim shoqëror, që perceptohet në çdo cep, në Alsazë e kudo. Ndodh që kjo dhunë të marrë formën e terrorizmit, e madje, të një terrorizmi me konotacione fetare. Mendoj se është shumë e rëndësishme të përsërisim se mesazhi i Biblës e merr parasysh këtë dhunë – qoftë ajo shoqërore, personale, zemërimi, vrasëse e kështu me radhë – jo për ta justifikuar e aq më pak për ta miratuar, por për të sjellë në zemrën e kësaj dhune një shpresë me të vërtetë të jashtëzakonshme. Më lejoni të them se Koha e Ardhjes është përgatitje për Krishtlindje: shpesh e ruajmë në zemër këtë vetëdije, që vjen nga butësia e fëmijërisë, në të vërtetë, një ndjenjë shumë e gëzueshme dhe shumë e thjeshtë. Njëkohësisht, e kujtojmë këngën e Krishtlindjes “Një Shpëtimtar ka lindur për ne”: kemi nevojë për shpëtim, sidomos, sepse kjo dhunë është në zemrën e çdo qenieje njerëzore. Për këtë arsye, kemi nevojë të shëlbohemi.

12 dhjetor 2018, 14:16