Kërko

 Kamerun: manifestim në  Bamenda Kamerun: manifestim në Bamenda 

Vritet, në Kamerun, atë Ondari, meshtar katolik

Në fshatin Kembong, dioqeza kameruneze e Mamfe, vritet atë Cosmas Ombato Ondari. Është meshtari i dytë që humbet jetën në vendin afrikan, katër muaj pas vrasjes së famullitarit të Buéa-s.

R. SH. - Vatikan

Një meshtar katolik, atë Cosmas Ondari, me origjinë nga Kenia, u vra me të shtëna arme zjarri dje, në jug-perëndim të Kamerunit, zonë aglishtfolëse, teatër i një konflikti të armatosur ndërmjet ushtrisë qeveritare dhe separatistëve të lëvizjes Fronti i Bashkuar i Kamerunit të Jugut.

Në vend vijon konflikti ndërmjet separatistëve anglishtfolës e qeverisë

Rregulltari, i Shoqërisë Misionare të Shën Jozefit të Mill Hill, 30 vjeç,  shuguruar vitin e kaluar, u vra në fshatin Kembong, pranë qytetit Mammfe, në kontenë e Manyu. Shkaqet nuk dihen akoma me saktësi, por sipas disa burimeve vendase, duhet të ketë mbetur i vrarë gjatë një operacioni të forcave kameruneze të sigurisë, kundër milicëve separatistë.

Pritë para Kishës së Shën Martinit të Tur  

Mendohet se ishin disa ushtarë, hipur mbi makina ushtarake, ata që shtinë mbi meshtarin, mëkëmbës i famullisë së Shën Martinit të Tur, në Kembong, ndërsa ndodhej pranë kishës së tij, duke e vrarë. Nuk dihen akoma hollësirat e ngjarjes. Për t’u kujtuar se më 20 korrik u vra edhe një meshtar tjetër, atë Alexander Sob Nougi, famullitar i Bomakos, lagje e qytetit Buéa.

Padia e Kishës kameruneze: dhunë çnjerëzore!

Në Kamerun, sipas një Letre publike të Konferencës ipeshkvnore të vendit afrikan, vijon prej kohe një konflikt çnjerëzor ndërmjet popullsive frëgjishtfolëse e anglishtfolëse. Ipeshkvijtë e dënojnë ashpër dhunën çnjerëzore, të verbër, të përbindshme dhe radikalizmin e këtyre qendrimeve në provincat anglofone. Prej këndej, ipeshkvijtë bëjnë thirrje për ndërmjetësim, që të dilet nga kriza e t’i kursehet vendit një luftë civile e kotë e pa bazë. Prej vitesh këto provinca, ish-koloni britanike, të bashkuara me Kamerunin, pas pavarësisë, fituar më 1960, kërkojnë më shumë autonomi. Pasojat: konflikti i armatosur, viktimat e reja e, sidomos, më se 400 mijë të shpërngulur e refugjatë jashtë vendit, shumica në Nigeri.

22 nëntor 2018, 15:18