Cerca

Vatican News
Imzot Simon Kulli në mesin e besimtarëve Imzot Simon Kulli në mesin e besimtarëve 

Veprimtari në dioqezën e Sapës: famullitari i ri dhe Dita e të Varfërve

E diel e rëndësishme, ajo e sapokaluar, për dioqezën e Sapës, e cila pati dy veprimtari të rëndësishme. Kisha famullitare e shën Pantaleonit në Mabë priti famullitarin e saj të ri, don Massimo di Lulla, nga dioqeza italiane e Peskarës. Ndërsa të varfërit e dioqezës patën fatin të shërbehen nga ipeshkvi, imzot Simon Kulli, në drekën e organizuar nga Karitasi për 170 vetë.

R.SH. - Vatikan

Bashkëpunëtorja jonë nga Vau i Dejës, Violeta Marashi na njofton për të dyja këto ngjarje. Fillimisht, ta dëgjojmë, në informacionin për pritjen e famullitarit të ri në Mabë e për bekimin e këmbanës së kishës së shën Pantaleonit, dhuratë e dioqezës italiane të Peskarës…

Dëgjo informacionin mbi famullitarin e ri...

EMËRIMI I FAMULLITARIT TË RI DOM MASSIMO DI LULLO, NË FAMULLINË “SHËN PANTELEONI” MABË

Në të dielen e XXXIII të vitit, 18. 11. 2018, bashkësia famullitare e “Shën Panteleonit” në Mabë u bashkua në një moment gëzimi, në Meshën Shenjte, duke pranuar nga Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, famullitarin e saj të ri, në personin e misionarit nga Dioqeza e Pescarës, dom Massimo Di Lullo. Është një ngjarje mjaft me rëndësi kjo në jetën e një bashkësie, që shënon fillimin e një misioni të ri për meshtarin të cilit i besohet kjo grigjë. 
Përveç popullit të Zotit të pranishëm në meshë ishin edhe meshtarë të tjerë, si dhe i deleguari i Imzot Tomasso Valentineti, ipeshkvi i Pescarës, dom Marco së bashku edhe me një grup miqsh, të cilët bashkëpunojnë prej vitesh në binjakëzimin e dioqezave Sapë-Pescara.
Menjëherë pas shenjës së kryqit, ipeshkvi Kulli ftoi meshtarin e ri, dom Massimon për të bërë përtëritjen e premtimeve meshtarake, i cili do të përmbushë denjësisht dhe urtisht, shërbimin e fjalës në predikimin e Ungjillit dhe në mësimin e fesë Katolike. 
Ndërsa në fjalën e rastit, imzot Simoni “në fillim falenderoi mikun dhe vëllain, ipeshkvin e Pescarës, Imzot Valentinetin për bashkëpunimin prej vitesh me dioqezën e Sapës, si dhe për dërgimin e misionarëve laik dhe të meshtarëve në këtë tokë martire të Shqipërisë, ku dëshmon edhe një herë dashurinë dhe kujdesin ndaj nesh tha ipeshkvi”. Ndërkohë, duke i uruar mirëseardhjen famullitarit të ri, imzot Simoni i uroj bekimin e Zotit në punën baritore, duke iu bashkuar punëtorëve në arën e Zotit në Dioqezën e Sapës.
Festa e kësaj dite vazhdoi më pas edhe me bekimin e këmbanës, dhuratë nga Dioqeza e Pescarës për famullinë e Mabës. 

Violeta Marashi

Po Violeta Marashi na njofton për kremtimin e Ditës Botërore të të Varfërve në dioqezën e Sapës, në mensën e Karitasit, në praninë e ipeshkvit, imzot Simon Kullit, por edhe të nuncit apostolik, imzot Charles Brown, i cili kremtoi meshën në katedralen e Shën Nënë Terezës në Vaun e Dejës. Të dëgjojmë informacionin…

Dëgjo informacionin mbi Ditën e të Varfërve...

Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi!

Dita II Botërore e të Varfërve

Në përgjigje të thirrjes së Atit të Shenjtë, me rastin e Ditës Botërore për të varfërit, Caritas Dioqezan Sapa kremtoi të dielen e 18 nëntorit si ditën e dytë botërore për të varfërit e themeluar nga Papa Françesku. 
Nën kujdesin e Ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kullit dhe stafit të Caritasit kjo ditë mblodhi një përfaqësi prej 170 personash, të cilët u pritën në ambjentet e mensës së Caritasit. 
Në këtë ditë kushtuar të varfërve, nderoi me praninë e tij, Nunci Apostolik Imzot Charles John Braën, i cili kremtoi Meshën e Shenjtë në Katedralen “Shën Tereza e Kalkutës” në Vau Dejës. Ai e vlerësoi shumë këtë gjest dashurie që Caritas Sapa tregon për këto njerëz në nevojë, dhe jo vetëm. Ata krahas ushqimit kanë nevojë edhe për ngrohje shpirtërore. 
Pjesë e drekës u bënë edhe Nunci Apostolik, Ipeskvi si dhe meshtarët, që ashtu në thjeshtësi u gjenden afër këtyre personave duke iu ofruar shërbimin nëpërmjet rolit të kamarierit dhe duke i trajtuar me dinjitetin e duhur. Edhe pse jeta i ka përballë mes vështirësive të shumta për jetesë, këto njerëz meritojnë shumë e më shumë. Gjithashtu momentet e drekës u shoqëruan edhe me muzikë dhe argëtim, duke krijuar një klimë vëllazërore taman si një familje e bashkuar në Krishtin. 
Siç e ka theksuar edhe Ati i shenjtë në mesazhin e tij: “Varfëria u krijua nga mëkatet, që lindin pasoja dramatike: përballë një farë “fobie”, apo përçmimi për të varfërit, të përgjigjemi duke u angazhuar e duke bashkëpunuar me realitete të tjera të solidaritetit”. E pikërisht ky është dhe misioni i të gjithë neve, qoftë individualisht, qoftë institucionalisht të angazhohemi duke u solidarizuar për t’u gjendur pranë njerëzve në nevojë, e të bëhemi promotorë të dashurisë dhe jetës.

Violeta Marashi

21 nëntor 2018, 18:13