Kërko

Benedetta Bianchi Porro Benedetta Bianchi Porro 

Së shpejti të Lume, Benedetta Bianchi Porro dhe Edvige Carboni

Papa Françesku miratoi dekretin për lumnimin e dy laikeve italiane, Edvige Carboni dhe Benedetta Bianchi Porro. Do të lumnohen gjithashtu 11 martirë, përfshirë një baba familjeje, vrarë nga urrejtja për fenë gjatë Luftës Civile Spanjolle.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti këto ditë, kardinalin Angelo Becciu, Prefektin e Kongregatës për Ҫështjet e Shenjtorëve, duke autorizuar Dikasterin të shpallë dekretet lidhur me disa lumnime dhe me njohjen e virtyteve heroike të dhjetë Shërbëtorëve të Zotit. Ndër të tjera, ai konfirmoi kultin, i cili vijon nga kohë që s’mbahen mend (lumnim “ekuivalent”), për Shërbëtorin e Zotit Michele Giedrojć, lajk i Urdhrit të Shën Agustinit, lindur në Giedrojce të Lituanisë, rreth vitit 1420 dhe vdekur në Krakov të Polonisë, më 4 maj 1485 .

Ndër meshtarë e rregulltarë, edhe dy besimtare laike

Ndër të lumët e rinj, edhe dy laike. Njëra është Edvige Carboni, lindur në Pozzomaggiore (Itali) më 2 maj 1880 dhe vdekur në Romë, më 17 shkurt 1952. Që e vogël, pati hirin e vizioneve mistike. Shpesh luante me Krishtin Fëmijë. Dëshironte t’i kushtohej krejtësisht Zotit, por vendosi t’i shërbejë nënës së sëmurë dhe të kujdeset për gjithë familjen. Qëndistare e zonja, me punën e saj kontribuoi në mbajtjen e familjarëve, përfshi vëllain dhe motrën. Jeta e saj rridhte midis punës së përditshme të përvuajtur dhe fenomeneve mistike: gjendej në dy vende njëherësh, ngrihej në ajër, kalonte në ekstazë, kishte vizione të njëpasnjëshme, luftonte me djallin, deri sa mori si dhuratë varrët e Krishtit, që u përpoq t’i fshihte me të gjitha mënyrat. Për këtë, iu desh të përballet me thashetheme dhe shpifje, madje, edhe t'i nënshtrohej një hetimi kishtar, të cilin e pranoi pa bërë fjalë. Shfajësohet plotësisht. E ktheu jetën në shërbim, duke iu kushtuar veçanërisht të varfërve dhe të sëmurëve.

“Ta doni jetën, sepse edhe unë isha e lumtur me atë që më fali Zoti”

E lume do të jetë edhe Benedetta Bianchi Porro, lindur në Dovadola (Itali) më 8 gusht 1936 dhe vdekur në Sirmione del Garda (Itali), më 23 janar 1964. Me shëndet të brishtë që nga lindja, tre muajshe u sëmur me poliomelit e mbetet e çalë: ka një këmbë më të shkurtër. Ajo dëshironte të bëhej mjeke, por në moshën 13-vjeçare, gjendja shëndetësore iu keqësua e zbulohet se vuante nga sëmundja e Recklinghausen. Dha disa provime në mjekësi, por gradualisht u bë e verbër, e shurdhër dhe e paralizuar. Në terrin e dhimbjes, shndritej nga një dritë: Jezusi. Ëmbëlsia e pranisë së Tij, e bënte të thoshte: “Jeta në vetvete më duket mrekulli dhe do të doja t’i lartoj një himn lavdi Atij, që ma ka dhuruar”. Benedetta bëhet dhuratë për të tjerët. Shumë njerëz shkojnë për ta vizituar, të tërhequr nga misteri i një vajze, që vuan tmerrësisht, por reagon me dashuri e shpresë: “Zoti ekziston – pohonte ajo - dhe është dashuri, besnikëri, gëzim, siguri”. Pak para vdekjes, dha këtë mesazh: “Ta doni jetën, sepse edhe unë isha e lumtur me atë që më fali Zoti”.

Përveç dy laikeve, pas njohjes së martirizimit për shkak të fesë, do të shpallen të lum edhe 11 vetë, ndërsa pas njohjes së virtyteve heroike, Kisha do të ketë edhe dhjetë Shërbëtorë të rinj të Zotit – hapi i parë drejt lumnimit.

09 nëntor 2018, 09:40