Cerca

Vatican News
 Papa Françeku me Imzot George Frendon Papa Françeku me Imzot George Frendon 

Në Tiranë, përurohet Sinodi Arqidioqezan: Fjala e kryeipeshkvit, imzot George Frendo

Në Tiranë përurohet Sinodi Arqidioqezan: “Një Kishë e mbyllur në sagristi ose në zyra nuk mund të masë pulsin e popullit, të hyjë në zemrat e popullit, të qajë me popullin. Ja pse Papa Françesku thotë se Kisha duhet të paraqitet më shumë si spital në fushën e luftës sesa një vend ku populli mendon dhe shkruan libra”- thekson Kryeipeshkvi, imzot Frendo, në homelinë e përurimit.

R. SH. - Vatikan

Sot, në Tiranë, Kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit dhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, hapi punimet e Sinodit arqidioqezan, kushtuar ungjillëzimit. I pari, pas periudhës së së komunizmit. Për rëndësinë dhe problematikën e  kësaj ngjarjeje të madhe për Kishën katolike në Shqipëri, foli Kryeipeshkvi Frendo. Më poshtë, homelia që mbajti, me rastin e këtij përurimi, duke iu drejtuar të pranishëmve:

“Para më shumë se një viti, dhe pikërisht më 23 shtator të vitit të kaluar, në meshën në të cilën kam përkujtuar përvjetorin e 11 e shugurimit tim ipeshkvor, kam shpallur dekretin për kremtimin e një Sinodi Dioqezan. Në atë Dekret kam thënë: “Kam menduar sesi mund të rritemi si një familje që ushqehet me Fjalën e Zotit, që bashkohet rreth sofrës së Krishtit Shpëtimtar, dhe që shquhet për dashuri. Me fjalë të tjera, si mund të rritemi si një bashkësi, familje, që pasqyron Krishtin profet, prift dhe mbret. Dhe, pasi u konsultova me Këshillin Meshtarak dhe me Këshillin Baritor, vendosa të planifikojmë dhe përgatisim një Sinod Dioqezan, që do të jetë i pari në dioqezën tonë”.

Pas asaj dite, domethënë gjatë këtyre katërmbëdhjetë muajve, nuk kemi pushuar së punuari në përgatitje për këtë Sinod. Mbi të gjitha, ju kemi dëgjuar. Sepse nuk mund t’i mësojmë të tjerët nëse nuk mësojmë nga të tjerët, dhe nuk mund të mësojmë nga të tjerët nëse nuk jemi të gatshëm të dëgjojmë. Puna jonë nuk ishte kufizuar në zyrat, por edhe në rrugët.

Librat tanë keni qenë ju, më shumë sesa librat në bibliotekat tona. Keni pasur mundësi të na tregoni cila është Kisha Katolike që dëshironi të shihni, cilat duhet të jenë prioritetet për të cilat Kisha jonë në Tiranë-Durrës duhet të angazhohet, ku duhet të jetë më e pranishme, si mund të jetë më afër bashkëshortëve dhe familjeve, të varfërve, punëtorëve, të rinjve, si duhet të kremtojmë misteret e Jezu Krishtit, etj.

Ju lutem, vazhdoni të jeni libra për ne, sepse në secilin prej jush duhet të shohim fytyrën e Jezu Krishtit, veçanërisht në fytyrën e të varfërve dhe të viktimave të padrejtësisë. Ungjilli disa herë tregon sesi Jezusi kishte dhembshuri për popullin, për të sëmurët, për të uriturit, për vejushën djali i vetëm i së cilës kishte vdekur, si edhe për ata që ishin si dele pa bari.

Në filmin shumë të bukur të Charlie Chaplin-it The Great Dictator (Diktatori i Madh) ai, që në film luan pjesën e një berberi të thjesht hebre, ankohet sepse thotë,  We think too much, but feel too little  (Ne mendojmë shumë, por ndiejmë shumë pak). Një Kishë  e mbyllur në sagristi ose në zyra nuk mund të masë pulsin e popullit, të hyjë në zemrat e popullit, të qajë me popullin. Ja pse Papa Françesku thotë se Kisha duhet të paraqitet më shumë si spital në fushën e luftës sesa një vend ku populli mendon dhe shkruan libra.

Ka kaluar më shumë se një vit nga dita kur kam shprehur dëshirën time të organizojmë këtë Sinod. Dhe ja, sot, po fillojmë punën tonë si Sinod. Do të jemi 75 veta Sinodalë nga e gjithë dioqeza, që përfshijnë 27 meshtarë, 14 motra, dhe 34 laikë (17 burra dhe 17 gra).

Pra kemi një përfaqësim të bukur të laikëve, që përfshijnë edhe disa të rinj. Kemi shumë persona të tjerë që do të kisha dëshirë të numëroheshin ndër sinodalët. Sepse kemi shumë besimtarë që e duan sinqerisht Kishën dhe duan me të vërtetë t’i shërbëjnë Kishës më shumë sesa  të   përfitojnë  nga  Kisha. Por isha i detyruar, për shumë arsye,  ta   kufizoja numrin e sinodalëve në jo më shumë se 75 veta.

Shpresoj që ky Sinod të shërbejë, ndër të tjera, që të gjithë besimtarët të kuptojnë se ata janë Kisha. Kisha e gjallë jeni ju. Duhet t’i pastrojmë idetë tona që e shohin Kishën vetëm në Papën, ipeshkvinjtë dhe meshtarët. Kisha nuk është një piramidë ku në kulm është Papa dhe   në   bazë ka besimtarët laikë. Kisha është një bashkësi, është Populli i   Hyjit, ku hierarkia, domethënë Papa, ipeshkvinjtë dhe meshtarët janë   në  shërbim të të gjithë popullit. Ju, besimtarë laikë, nuk jeni thjesht objekt i ungjillëzimit, por edhe subjekt. Të gjithë formojmë një Kishë që ungjillëzon dhe ungjillëzohet.

Sa shumë deshiroj të shoh më shumë besimtarë laikë që kanë dashuri të madhe dhe të sinqertë për Kishën, që nuk janë anëtarë pasivë të Kishës, por nxënës të vërtetë dhe apostuj të zellshëm të Krishtit! Që me jetën dhe angazhimin e tyre të formojnë një Kishë më tëfortë, më të gjallë, më të shenjtë, më ndikuese në shoqëri. Dhe këtu dëshiroj t’u drejtohem shkurtimisht bashkëshortëve. Dua t’ju   kujtoj se familja është vendi i   privilegjuar i ungjillëzimit. Sepse familja dëgjon Fjalën e Zotit, por edhe shpall këtë Fjalë. Të parët që u mësojnë fëmijëve kush është Zoti dhe si t’i afrohen Zotit në lutje dhe në sakramente nuk është ipeshkvi, as prifti, as murgesha, as katekisti, por jeni ju. Mësojani fëmijëve tuaj si t’ia tregojnë dashurinë e mirënjohjen e tyre Zotit. Flisni më shumë për Zotin me fëmijët tuaj. Tregojuni fëmijëve tuaj të rinj që Jezu Krishti është miku i tyre, që i do, i kërkon, i pret me krahët e hapura.

Të dashur meshtarë, situata e sotme e Kishës është një apel për përvuajtëri. Kjo situatë na thotë: Duhet të jeni një Kishë e përvuajtur, një Kishë shërbëtore. Kërkoni gjithmonë delen e humbur, e shikoni çdo person çdo ditë me sytë e rinj, jo me sytë e djeshëm. Nëse dje ai besimtar ka gabuar e ti ke vënë re se ai ka gabuar e ndoshta e ke qortuar, sot mos e shiko me sytë e djeshëm. Ki parasysh një shenjt si Agustini. Ndoshta sot, në shoqërinë e sotme,që na ka bërë më të rreptë me të tjerët por jo me vetveten, ndoshta sot s’do ta kishim pranuar si meshtar, do të kishim protestuar fortë në shugurimin e tij ipeshkvor, e do t’i kishim djegur ata shumë libra që ka shkruar me shumë urti dhe përshpirtëri dhe me të cilët ka pasuruar shumë Kishën Katolike.

Ju, të dashura motra, si persona të kushtuar Zotit, jini dritë për popullin besimtar, që, i tërhequr nga shembulli juaj i angazhimit, zellit, solidaritetit dhe dashurisë të mësojë si të pranojë me gëzim lajmin e mirë të Zotit. Dashuria që tregoni për njëra-tjetrën në bashkësi le   të   jetë   shembull   edhe   për   bashkëshortët,   si   të   duan   njëri-tjetrin.   Përgjigja juaj e pakthyeshme që i keni dhënë Zotit le t’i bindë bashkëshortët se  është  e mundshme të bashkohen në dashuri dhe besnikëri ndaj njëri-tjetrit deri në vdekje.

Dhe ju, të dashur besimtarë, tregojini botës që jeni shumë të lumtur sepse keni hyrë jo në një rrugë qorre, por në një rrugë që ju çon drejt së vërtetës dhe jetës. Dhe jetoni në mënyrë që, me sjelljen dhe angazhimin tuaj, të ndikoni për formimin e një Kishe më të gjallë dhe të një Shqipërie më të drejtë dhe më vëllazërore.

Gjatë këtyre viteve, pas rënies së komunizmit, Shqipëria ka bërë hapa shumë të mëdha përpara nga pikëpamja materiale. Shohim një infrastukturë që Shqipërinë e ka afruar më shumë me vendet më të përparuara në Evropë; kemi rrugë shumë më të mira sesa ato që kemi trashëguar nga komunizmi. Shumë shqiptarë janë pasuruar shumë, disa në mënyrë të drejtë, disa në mënyrë të pandershme, për shembull me trafikimin e drogës ose të armëve ose edhe me trafikimin njerëzor – krimi i tmerrshëm kundër Zotit i cili e krijoi njeriun në përngjasimin e vet. Kemi më shumë siguri në rrugët tona. Vlerësojmë shumë përpjekjet që po bëhen   në   luftë   kundër   drogës   dhe   korrupsionit.   Por   ende   ekzistojnë   probleme, problemet e drogës dhe të korrupsionit ende nuk janë zgjidhur krejtësisht, dhe urojmë që lufta kundër këtyre plagëve shoqërore të vazhdojë. Varfëria nuk është aq e përhapur si ka qenë deri para disa vitesh. Për shembull, ndërsa në vitin 2002 numri i personave që jetonin në   varfëri   ishte   mbi   800   mijë,   pas   gjashtë   viteve,   në   vitin   2008,   ky   numër   është përgjysmuar. Megjithatë ka edhe disa gjëra që duhet të na shqetësojnë. Do të përmendkatër situata që, sipas mendimit tim, duhet t’i shohim seriozisht.

Dhe së pari përmend atë pjesë të popullsisë që deri para disa viteve ishte e varfër, por sot është bërë edhe më shumë e varfër. Së dyti, ka shumë punëtorë që nuk u jepet as rroga minimale, disa të tjerë që punojnë më shumë sesa lejon ligji, e disa të tjerë që punojnë në kushte shumë të vështira ose të rrezikshme. Së treti na shqetëson edhe fakti i migrimit të të rinjve, të cilët nuk shohin asnjë të ardhme në vendin e tyre dhe  detyrohen të migrojnë. Para katër viteve gati 60  përqind e të rinjve   kanë   shprehur   dëshirën   të   emigrojnë   jashtë Shqipërisë. Natyrisht, e lidhur me këtë është numri i lartë i personave të papunë, sepse ishte papunësia ajo që  ka detyruar shumë shqiptarë të emigrojnë. Dhe  së  katërti, kam përshtypjen se ka rritje të kriminalitetit. Por, si të krishterë, ne jemi populli i shpresës. Shpresa na jep kurajë. Le të ëndërrojmë një të ardhme kur Kisha Katolike do të ndikojë më shumë për një shoqëri më vëllazërore, më të drejtë, më solidare, më paqësore, një vend më i denjë për popullin shqiptar, që ka një histori të dhimbshme, por që ka merituar një çmim të lavdishëm.

Sot, nga kjo Kishë Katedrale, në këtë ditë solemne, dua t’u drejtohem disa kategorive të ndryshme të popullit tonë, atyre që, deri para disa vitesh, i shikonim këtu, bashkë me ne dëgjonin Fajlën e Zotit dhe merrnin pjesë në sakramentet e Kishës, por sot, fatkeqësisht, janë zhdukur.

Dhe së pari u drejtohem atyre që janë larguar nga Kisha Katolike dhe janë anëtarësuar në një sekt: ju keni qenë me ne në adhurimin e Zotit në Kishën e vetme të Jezu Krishtit, Kisha që ka lindur mbi kryq dhe vazhdon të jetojë deri më sot, dhe jo si sektet që kanë lindur shumë  shekuj  pas  vdekjes   dhe  ngjalljes  së  Krishtit,   dhe  që   Biblën   e  kanë   trashëguar nëpërmjet Kishës së vetme të Krishtit. U drejtohem edhe atyre që kanë qenë me ne, por sot kanë hequr dorë nga besimi i krishterë dhe janë larguar nga Zoti: ju ftoj të vini një ditë në kishë, do të shikoni përpara jush kryqin e Krishtit, ku ende shohim Krishtin e varur mbi kryq me krahët e hapur: nuk i ka mbyllur kurrë, ende jane të hapur, duke ju ftuar: “Ejani tek unë... unë do t’ju dhuroj paqen”. U drejtohem edhe atyre që janë larguar nga Kisha sepse ndoshta ndihen të fyer nga ndonjë person me autoritet në Kishë, ndoshta ndonjë meshtar  ose murgeshë:  ju  nxis  të vlerësoni  guximin  e  faljes,  që do  t’ju  bëjë  më afër Krishtit  i  cili,   mbi  kryq,  ka  falur  ata  që,  para  Pilatit,  kishin   bërtitur: “Kryqëzoje!” U drejtohem atyre që, veçanërisht në këto kohët e fundit, kanë humbur besimin e tyre në Kishën  pasi  kanë   dëgjuar  apo  lexuar për ndonjë skandal nga  ana  e  mbarështuesve të Kishës: ju lutem të shikoni tërë të vërtetën, dhe lirohuni nga paragjykimet, sepse në Kishë kemi shumë meshtarë, motra dhe besimtarë laikë që jetojnë një jetë shumë shembullore, të shenjtë, dhe sakrifikohen për ju, dhe çdo ditë shikoni realitetin më sy të rinj, çdo ditë le të jetë një ditë e re. Dhe së fundi u drejtohem të rinjve, që janë larguar nga Kisha sepse mendojnë se në një shoqëri bashkëkohore dhe të përparuar s’ka më vend për besim, që është thjesht një paragjykim, një iluzion: ju kujtoj se ka qenë krishtërimi që ia ka mësuar shoqërisë dinjitetin e njeriut, i ka mbrojtur të drejtat e njeriut dhe ia ka treguar shoqërisë rrugën   për   vlerat   që   ende   duam t’i ruajmë dhe t’i  çmojmë, siç janë drejtësia, paqja, vëllazëria dhe solidariteti. Afrohuni një miku që nuk do t’ju braktisë,   nuk do t’ju zhgënjejë, që gjithmonë do t’ju quaj dhe t’ju mbajë si miq. Quhet Jezu Krishti!

Dhe më lejoni tani t’i drejtohem Zotit: “O Zot, na kujto vazhdimisht se jemi një Kishë shërbëtore,  që  nuk  kërkon privilegje,  por   të   jetë  një  Kishë  që  shërben.  Vetëm  kështu tregohemi si Kisha jote, sepse ti vetë erdhe jo për të qenë i shërbyer, por për të shërbyer.

Dhe të falënderojmë, sepse na ke mësuar si të përjetojmë gëzim duke u shërbyer të tjerëve”.

24 nëntor 2018, 14:55