Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Jezu Krishti Mbret Jezu Krishti Mbret  

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 32-të gjatë vitit kishtar “B”

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na flet për provaninë Hyjnore që është fryt i fesë së vërtetë e të gjallë në Hyjin, fletpër mikpritje e bujari.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të Fjalës së Zotit të dielës së 32-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 32-të gjatë vitit Kishtar ‘B’

Tema e liturgjisë së Fjalës së Zotit e kësaj së diele është mikpritja e bujaria. Leximet biblike të kësaj së diele tregojnë historinë e dy grave të veja e të varfëra, por të afta të dhurojnë veten e gjithçka kanë për mbijetesë.  Mikpritja e bujaria shpërblehen, kompensohen nga mrekullia e Elisë profet ( Leximi I nga Libri i parë i Mbretërve 17,10-16). Po kështu edhe bujaria e përvujtë e vejushës së dytë, e cila meriton lëvdatën  e jashtëzakonshme nga Jezusi ( Pjesa Ungjillit kësaj së diele nga Marku 12,38-44).

Këto dy gra të veja, në aftësinë e tyre të bujarisë, të dhurimit, të zemërgjerësisë së tyre shëmbëllejnë figurën e Krishtit, i cili ka ofruar vetveten, një herë e përgjithmonë, për shëlbimin e mbarë njerëzimit, pra për çlirimin e njerëzimit nga egoizmi, nga robëria e mëkatit dhe e vdekjes.

Këta shembuj  themelor për fenë e krishterë, sot është objekt edhe i  lutjes së Meshës së kësaj të diele. Në të vërtetë, në lutjen e dytë të Meshës, ne si besimtarë, i kërkojnë Zotit ndihmë në mënyrë që “…të gjithë të mësojmë të falim, të mësojmë të dhurojmë, sipas shembullin të Atij që ka dhuruar vetveten…”.

Libri parë i Mbretërve na rrëfen për takimin e Elisë profet me një vejush nga Serepta. Buka nuk është gjë e madhe: por është shumë kur kjo lidhet me mbijetesën e ekzistencës. Është pikërisht kjo që bëri vejusha e Sareptës me Elinë. Profeti nuk heziton, as nuk ka frikë ti kërkojë gjithçka i mbetët kësaj vejushe për mbijetesë, dhe ajo, i beson profetit e dhuron gjithçka kishte. Në këtë vejusha e Sareptës bëhet simbol i atyre që janë të aftë ti besojnë Zotit e të mbështeten në Fjalën e Tij Hyjnore, përkundra të gjitha vështirësive të jetës.

Kështu, Krishti, siç pohon Letra e Hebrenjve (Leximi II Heb 9.24-28): është Ai, ndërmjetësues i vetëm, ndërmjet njerëzve e Hyjit, Ai ka ofruar e dhuruar vetveten Atit Qiellor, njëherë e përgjithmonë, për shpëtimin e çdo njeriu, të mbarë njerëzimit. Në këtë dhurim të vetëm e përfundimtar, Jezusi bartë me vete mbarë njerëzimin, që tani mund të shpresojë në përqafimin e Atit Qiellor.

E veja, për të cilën na flet pjesa e Ungjillit të kësaj së diele (Mk 12.38-44), lavdërohet nga Jezusi, jo për  ofertën e saj të vogël e të pakët që fali në tempull, por sepse me atë ofertë ajo dha “gjithë atë që kishte për të jetuar”. Kjo fjali përmbledhë e pasqyron gatishmërinë e plotë të kësaj gruaje të varfër, e cila në atë shenjë të vogël që fali, dhuroi tërë vetveten. Për këtë arsye ajo bëhet shenjë e dashurisë së Zotit.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, na flet për një realitet që duket se është harruar nga shoqëria jonë e pasur dhe e ngopur bashkëkohore, na flet për provaninë Hyjnore, që është fryt i fesë së vërtetë e të gjallë në Të, në Hyjin.

Një grua e vejë e Sareptës e dhuron bukën e mbrame që kishte. Një tjetër grua e vejë e Jerusalemit, e dhuron paranë e fundit që kishte. Dy gra, të varfëra, pa identitet, pa emër, të lënduara në dashuri, e dorëzojnë jetën e tyre.

Në Sareptë përgjigjja është një mrekulli, buka e pashtershme, buka që nuk ka të mbaruar.

Në Jeruzalem nuk ka kurrfarë mrekullie. Po mrekullia tashmë ka ndodhur, është dhurimi i pjesës së mbrame të jetës: kështu të japësh, do të thotë të jetosh, të mbash vetëm për vete, do të thotë të vdesësh.

Gjesti që dy gratë bëjnë është diçka e palogjikshme, nuk është punë e mençur. Nuk është urti të hedhësh paratë e vogla që ke në thesarin e tempullit. Nuk është punë e mençur, por është shkandull i shpresës.

Kësaj gruaje, nuk i dimë as emrin, nuk ia njohim as fytyrën, as sytë e saj, por njohim zemrën e saj, me rrahjet e veta të çuditshme, ato të vetmisë, të varfërisë, por edhe të shpresës. Shpresa e dëshpërimit të atij që e provokon Zotin e gati gati e detyron: unë kam menduar në Ty, të kam konsideruar e trajtuar si Thesarin e gjënë më të rëndësishme të jetës sime. Tani të takon Ty të mendosh për mua.

Jezusi, ulur, vështron se si njerëzit hidhnin monedha në thesarin e tempullit. Vështron jo sa jepnin, por si i dhuronin. Jezusi nuk shikon sasinë, por  me sa zemër  e bëjnë gjestin e bujarisë e të dashurisë, me sa vërtetësi e zemër të pastër dhurojnë e ndihmojmë të tjerët. Zotit nuk i jepet as shumë, as pak, as asgjë, por gjithçka. 

                                                Liturgjia e Fjalës së Zoti

Leximi i parë 1 Mbr 17, 10-16
Çfarë duhet të admirojmë më shumë në këtë pjesë: besimin e profetit Elia apo bujarinë e vejushës së shkretë që heq dorë nga ushqimi i pakët i mbetur për t’ia dhënë profetit? Elia, njeri i Hyjit, pranon varfërinë e tij të thellë dhe i kërkon ndihmë një paganeje për të vazhduar të jetojë. Ndërsa vejusha është e gatshme të japë të gjithë ushqimin duke mos menduar për atë që do të ndodhë nesër. Kush ka dhënë gjithçka nuk habitet kur merr gjithçka.

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve
Në ato ditë, Elia u çua e shkoi në Sareptë. Kur arriti te dyert e qytetit, gjeti një grua të vejë duke mbledhur dru. Elia e thirri e i tha: “Ma sill pak ujë në katrovë që të pi.” Kur u nis ajo për t’i sjellë ujë, ky e thirri prapë dhe i tha: “Të lutem, më sill edhe një kafshatë bukë në dorë!” 
Ajo iu përgjigj: “Pasha Zotin, Hyjin tënd, unë nuk kam bukë, por vetëm një grusht miell në tinar dhe pakëz vaj në qyp. Ja, po i mbledh dy-tre dru e do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për mua e për djalin tim, do ta hamë e do të vdesim.” Por Elia i tha: “Mos ki frikë aspak por shko e bëj siç the; porse më parë ma piq mua një kulaç të vogël me atë miell që ke e ma sill, dhe pastaj gatuaj për vete e për djalin tënd. Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Në tinar mielli s’do të mbarojë, në qyp vaji s’do të mbarojë – derisa të vijë dita që Zoti të falë shi mbi tokë’.” 
Ajo shkoi e bëri si i tha Elia. Dhe u ushqye ajo, Elia dhe familja e saj për shumë ditë. Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit nuk u pakësua sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të Elisë. Fjala e Zotit.

Psalmi 146
Lum skamnorët në shpirt: sepse e tyre është Mbretëria qiellore
----------
Zoti e mban besnikërinë për amshim,
u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqim të uriturve.
Zoti i çliron robërit.
----------
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët.
----------
U ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
----------

Leximi i dytë Heb 9, 24-28
Kryepriftërinjtë hynin në shenjtëroren e tempullit një herë në vit. Kur Jezusi, nëpërmjet kryqit hyn në shenjtëroren e qiejve, veprimi i tij nuk mund të përsëritet: ndodh një herë e përgjithmonë. 
Për historinë universale, vdekja e Krishtit është përmbysja më e madhe pas së cilës njerëzimi nuk mund të kthehet prapa, dhe lufta e njerëzve bëhet një ringjallje ashtu si ajo e Jezusit.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e thjeshtë e asaj të vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne para fytyrës së Hyjit. Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; - përndryshe i ishte dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një herë të vetme – në mbarimin e kohës – për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetes. 
Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin – e pastaj vjen gjyqi – kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve, kurse herën e dytë – jo më në lidhje me mëkate – do t’u duket atyre që e presin për të qenë shëlbuar.  Fjala e Zotit.

Ungjilli Mk 12, 38-44
Edhe sot në mes nesh fshihen skribët që kërkojnë vendin e parë dhe të jenë të nderuar. Sa herë edhe të krishterët kanë ngrënë lekët e të varfërve me pretekstin për të ndërtuar një shtëpi lutjeje. Figura e vejushës që hedh ofertën e saj të mjerë në thesarin e tempullit, do të tregojë urdhërimin e dashurisë së Hyjit. Hyji sheh zemrën.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin tjerët në sheshe, të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e këndej kinse thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!” Pastaj u ul kundruall arkës e vërente si populli qittë para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, domethënë një të katërt të asit.
Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha: “Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që qitën para në arkë. Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.” Fjala e Zotit!

Lutu me Ungjillin

O Zot, 
bëj që të kuptojmë 
që bamirësia kërkon 
sakrificë dhe jo hipokrizi. 

Çliroje zemrën tonë nga çdo interes 
në kryerjen e së mirës 
dhe na mëso të dhurojmë vetveten 
me dashuri bujare dhe të lirë 
dhe tu ofrojmë shërbimin tonë 
vëllezërve për lavdinë tënde. 

Bëj që dëshmia jonë 
të mos jetë vetëm një shfaqje e jashtme, 
por një shenjë e vërtetë dhe konkrete 
e dashurisë sonë drejt të afërmit!

09 nëntor 2018, 15:55