Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Papa Françesku me Kardinalin Simoni, në Shqipëri Papa Françesku me Kardinalin Simoni, në Shqipëri  (Vatican Media)

Kryedioqeza e Firences feston 90-vjetorin e kardinalit Simoni

Meshë për të festuar ditëlindjen e kardinalit shqiptar Ernest Simoni e, pasdite, dorëzimi i “Vulës së paqes”, një ndër dekoratat më të larta të Firences, qytet që Kardinali e zgjodhi prej kohe si vendbanim. Dëshmia e kryeipeshkvit të Firences, kardinalit Giuseppe Betori

R. SH. Vatikan

I mbushi më 18 tetorin e kaluar 90-vjetët, kardinali Ernest Simoni. E i kremtoi në Shën Martë, së bashku me Papën Françesku, që e krijoi kardinal në nëntor 2016. Në figurën e  këtij meshtari të motuar shqiptar Papa, si dëgjoi dëshminë e tij në Shqipëri, pa dashurinë e vërtetë për Kryqin, fenë e palëkundshme, që bëhet mburojë për përballimin e çdo flijimi e vuajtjeje. Simoni u dënua dy herë me vdekje nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, që e shpalli Shqipërinë i pari Shtet ateist në botë. Dënimi iu shndërrua në 28 vjet punë të detyrueshme. Atëhere meshtarit iu desh të thyente gurë në një gurore, të punonte në minerë, 500 metra në thellësi të tokës. Po ata, që e dënuan, nuk u kënaqen me kaq: i zgjodhën një zanat tjetër: të pastronte gjirizet e qytetit të Shkodrës.

Firence kremtoi Kardinalin “e vet”

Për festën e kardinalit Simoni, në orën 10.30 u kremtua një Meshë në katedralen Santa Maria del Fiore, kryesuar nga kryeipeshkvi, Giuseppe Betori, në të cilën mori pjesë edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Pasdite, dorëzimi i “Vulës së paqes”, dekoratë nderi e qytetit të Firences.

Kardinali Betori: Simoni, martir i fesë e dëshmitar i dinjitetit të njeriut

Ja si e përshkruan kardinali Betori, kryeipeshkëv i Firencës, figurën e kardinalit Simoni, në Vatican News:

Kush është kardinali Simoni për kryedioqezën e Firences?

Dhuratë e madhe për dioqezën e Firences fakti që kardinali Simoni zgjodhi, për të banuar, qytetin tonë. Ai është dëshmitar i madh i fesë. Papa Françesku u përlot tri vjet më parë, duke dëgjuar dëshminë e tij. E është prani e gjallë, që dëshmon  sesi feja e krishterë ngadhënjen mbi të keqen e sesi përballë besnikërisë së padiskutueshme ndaj Krishtit, keqbërësit pësojnë disfatë të plotë.

Njëzet e tetë vjet punë të detyruar, dy dënime me vdekje të shndërruara në burgim të përjetshtëm, purpuri i kardinalit, simbol i gjakut, që duhet derdhur në mbrojtje të fesë: kjo, e gjithë jeta e tij…

Është kuptimi i martirizimit të krishterë! U preka thellë duke shkuar për t’i kremtuar këto 90 vjet të kardinalit, menjëherë pasi mora lajmin e lirimit të Asia Bibit. Kemi akoma shumë të krishterë, që paguajnë haraç të lartë për shkak të besnikërisë së tyre ndaj Krishtit. Ajo grua ndenji 9 vjet në burg - kardinali Simoni, 28 në punë të detyruar; kjo na tregon se besimi në Krishtin e shtyn njeriun të mbajë qëndrime, që ne na duken të pamundura. E pra bëhen të mundura, me hirin  e Zotit, i cili u jep guxim të pashoq atyre, që vuajnë për Krishtin.

Hirësi, pasdite do t’i dorëzoni Vulën e paqes kardinalit Simoni?

Është një nga dekoratat më të larta, që jepet fort rrallë në Firence. Vula e paqes  tregon thirrjen universale të qytetit të Firences, që u shpreh me forcë në shekullin e kaluar nga Giorgio La Pira, i cili tërhoqi shumë njerëz në dialog e hapi shumë udhë për paqen. Ishte kryebashkiaku Dario Nardella, që deshi t’ia jipte këtë dekoratë kardinalit tonë,  sepse  personaliteti i tij lidhet jo vetëm me temën e fesë së krishterë, por edhe me atë të dinjitetit të njeriut, që duhet respektuar me drejtësi, nëse duam të ketë paqe në botë. Kardinali nuk është vetëm dëshmitar feje, por edhe dëshmitar i dinjitetit  të njeriut, themel i paqes.

Ju e emëruat kardinalin Simoni kanonik nderi i kapitullit Metropolitan. Ç’kuptim ka ky emërim?

Mendova se ishte gjë e bukur ta bëja anëtar të presbiterit tonë. Ai nuk është i inkardinuar në kryedioqezën tonë, por kryedioqeza jonë dëshiron ta ndjejë si prift, ndërmjet priftërinjve tanë, e, prej këndej, ta radhisë në një histori priftërinjsh me të kaluar të rëndësishme: në vitet ‘500, për shembull, pati shenjtorë të mëdhnej, si Shën Anton Pierozzi e Shën Filip Neri. Në ‘900-tën patëm figura  si kardinali Elia Della Costa, imzot Bartoletti, don Lorenzo Milani, don Divo Barzotti: personalitete, që e bënë të madh presbiterin fiorentin. M’u duk gjë e bukur ta kem unë nderin - jo ai - për ta radhitur këtë dëshmitar të fesë ndërmjet priftërinjve fiorentinë.

Kardinal Simoni e ndjen veten edhe fiorentin, e ka në stemë zëmbakun e Firences….

Ai është shumë i lidhur me këtë qytet. Vinte këtu edhe para se të bëhej kardinal. Pas lirimit, kalonte shumë kohë këtu, tek i nipi.  E ndjen se i përket edhe Kishës fiorentine, gjë që e ndjen fort edhe Kisha fiorentine si dhe bashkësia civile.

Urimi, që dëshironi t’i bëni kardinalit Simoni për këto 90 vjet?

Para së gjithash, që të vijojë të japë edhe për shumë vjet dëshmi në bashkësitë tona. Eshtë prift me të vërtetë i palodhshëm, ka një agjendë përplot me angazhime. Kërkon të shkojë vazhdimisht të kremtojë, të japë dëshmi. Për të nuk ekziston koha e kaluar kot, e vdekur. Dëshiron t’ia kushtojë plotësisht vetveten shërbesës meshtarake. E këtë uroj që të mund ta bëjë për shumë vjet, e që të mund të marrë edhe mirënjohjen nga Kisha e nga shoqëria për flijimin, në emër të Krishtit, por edhe të dinjitetit të njeriut.

 

01 nëntor 2018, 15:11