Cerca

Vatican News
Lutje për të krishterët e persekutuar në Irak Lutje për të krishterët e persekutuar në Irak 

I dërguari i BE-së, Figel: akoma dënime me vdekje për fenë

“Në botë, 13 shtete zbatojnë dënimin me vdekje për ateizëm, 22 vende për kthimin në fe tjetër dhe 70 të tjerë kanë ligje, që dënojnë blasfeminë”. Kështu deklaron për agjencinë katolike Sir, i dërguari i veçantë për promovimin e lirisë fetare jashtë Bashkimit Evropian, Jan Figel, sllovak.

R.SH. - Vatikan

“Shohim se ekstremizmi me dhunë ushqehet nga terrorizmi islamik, nga nacionalizmi hinduist apo budist, por edhe nga statalizmi ateist apo nga laicizmi ideologjik”, nënvizon ai. Trajtimi “jashtëzakonisht çnjerëzor i pakicave” konsiderohet nga i dërguari i veçantë për promovimin e lirisë fetare jashtë Bashkimit Evropian, Jan Figel, si “formë genocidi”. Figel, në një intervistë për agjencinë katolike Sir, vëren paaftësinë e kësaj bote për të mbrojtur grupet më të ligshta të shoqërisë.

Liria e fesë është kriter qytetërimi

         “Liria e fesë apo e besimit – vijon intervista me agjencinë Sir – është kriter qytetërimi. Është masë për të gjitha të drejtat e njeriut. Në një botë të globalizuar, të pasur me larmi, duhet të mësojmë edhe alfabetin e fesë, përkrah atij dixhital”.

         Duke iu referuar tri feve monoteiste, i dërguari i veçantë i OKB-së u kërkon të japin shembullin pozitiv. “Ato – thekson Jan Figel – luajnë rol qendror në promovimin e drejtësisë e të paqes, sidomos në Lindjen e Mesme, djepi i kulturës së tyre. Besimtarët e krishterimit, të hebraizmit e të myslimanizmit përfaqësojnë më se 55% të popullsisë botërore. Kur kjo shumicë do të punojë për një botë më të mirë, ky objektiv mund të arrihet”.

Fetë kanë përgjegjësi shoqërore

         Bindja e të dërguarit të veçantë të Evropës është se “krerët dhe bashkësitë fetare kanë një kuotë të tyre në ‘përgjegjësinë shoqërore fetare’ që të mbizotërojë paqja, drejtësia dhe zhvillimi i qëndrueshëm”. Duke treguar mundësitë, që jep zyra e tij në këtë fushë, Figel sqaron se “për mbështetjen e të drejtave të njeriut, përfshirë lirinë fetare, përdoret një mjet financiar i veçantë, në dispozicion të të cilit është një buxhet prej 1,4 miliardë eurosh”. “Për herë të parë – përfundon ai – përkrahim edhe dialogun ndërfetar e ndërkulturor si parandalim për ekstremizmin me dhunë”.

14 nëntor 2018, 12:33