Cerca

Vatican News
Bibla Bibla 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Fjalëve të Urta

Në emisionin e sotëm do t’ju paraqesim një Libër tjetër të Biblës, atë të Fjalëve të Urta, duke u bazuar, si gjithnjë, në vëllimin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Termi ynë “fjalë të urta” nuk është përkthim krejtësisht i saktë i fjalës hebraike “meshalim” (shumës i “mashal”), sepse rrjedh nga greqishtja e latinishtja “proverbia” e tregon një shprehje të shkurtër letrare, shpesh të ritmuar, jo pa humor e ironi, me të cilën transmetohen frytet e përvojës e të urtisë së një populli.

Termi “mashal” ka një kuptim më të gjerë. Në fakt, ai do të thotë: poemë, vepër letrare, orakull profetik, satirë, shembëlltyrë, thënie popullore. Mashal-i, para se të jetë formë letrare, i referohet idesë së mësimdhënies, të drejtimit të jetës, të rregullave të sjelljes. Argumenti i mësimeve është kryesisht fetar e moral.

E argumentet, që hasen më shpesh në Librin e Fjalëve të Urta, janë pikërisht: urtia; i pamendi dhe i urti; përdorimi i fjalës; gjaknxehtësia dhe vetëkontrolli; përvujtëria dhe mendjemadhësia; dhurata; miqësia; mirësia; besnikëria dhe dyfytyrësia; dembelia; pasuria; prindërit e bijtë; gruaja; shpërblimi për të drejtët e për të këqinjtë.

Libri përmbledh urtinë e kohrave, por është i vështirë për t’u pranuar, sidomos nga të rinjtë. Për shembull, le të marrim këtë frazë:

“Dëgjoje, biri im, mësimin e tyt et dhe mos e përbuz shtjellimin e Ligjit të nënës sate, sepse do të jenë kezë për kokën tënde, gjerdan për qafën tënde. Biri im, nëse të joshin mëkatarët, assesi mos prano!” (Fu 1,8-10).

Problemi është se në kohën e sotme nuk u besojmë më mësuesve të urtë, askush nuk u jep atyre autoritet. Na duket sikur ky autoritet është abuzim me lirinë tonë; këshillat që na japin duken si “ndërhyrje në punët tona të brendshme”; kujdesi si burracakëri dhe urtia, gati-gati si dinakëri. Më se një herë, papët i kanë kërkuar këtij njerëzimi të mos e harrojë të kaluarën, por gjithnjë e më shumë njerëzit e konsiderojnë përvojën e tyre si të vetmin kriter urtie. Pra, mendojmë se jemi në gjendje të mësojmë diçka vetëm nga përvoja personale, nga rruga e gabimet e jetës. Libri i Fjalëve të Urta, pavarësisht se i vështirë për t’u lexuar, na kujton se kemi nevojë për një mësues, na sjell ndërmend rëndësinë që ka transmetimi i urtisë së lashtë të njerëzimit.

Mësuesi i vërtetë është ai që të tregon drejtimin për nga duhet të ecësh, duke e ditur se fillimisht nuk do ta kuptosh e vetëm më vonë, kur ta kesh hapin më të sigurtë, do ta shohësh dritën, që ta tregon me gisht gjithë kohës. Si mbreti Salomon, të cilit i atribuohet Libri i Fjalëve të Urta, i cili, pavarësisht nga urtia e madhe, e braktisi fenë, sepse mësuesi, në fund të fundit, është pikërisht një gisht që të tregon dritën, por ajo dritë duhet arritur si prej teje, ashtu edhe prej tij.

Mësimet e tij të urta mbeten, siç dëshmojnë këto radhë:

“ Më mirë një lëng barishtesh me dashuri, se mish viçi të majmë me urrejtje”. (Fu 15,17)

“Zemra e shëndoshë jeta e trupit, smira kalbësim i eshtrave” (Fu 14,30).

“Gjuha e të urtëve pikon dijen, goja e të marrëve valon marrëzinë” (Fu 15,2).

“Udha e të drejtëve është si drita e mëngjesit, nis e rritet deri në dritën e plotë të ditës. Udha e të ligjve është e errët, nuk dinë se ku do të hasin në pengesa” (Fu 4,18-19).

“Pasuria shton shumë miq; kurse skmanori mënjanohet edhe prej mikut (Fu 19,4).

“Më i mirë është njeriu i durueshëm se trimi i fortë, dhe ai që zotëron vetveten se ai që pushton qytete” (Fu 16,32).

“Kush e shpërblen të mirën me të keqe, prej shtëpisë së tij kurrë s’do të largohet e keqja” (Fu 17,13).

“Mos u lakmo njerëzve të këqij, as mos dëshiro të jesh me ta, sepse ata s’mendojnë tjetër por cubni, buzët e tyre flasin veç për dhunë. Me urti ndërtohet shtëpia e me mençuri ajo forcohet, me dije mbushen drithnikët me çdo lloj të mirash të çmueshme e të dëshirueshme” (Fu 24,1-4).

         Mjaftojnë vetëm këto shembuj për të kuptuar sa i vlefshëm mund të jetë leximi i Librit biblik të Fjalëve të Urta. Lexim të mbarë, pra!

15 nëntor 2018, 14:04