Kërko

Shenjtoret Shenjtoret 

Gjithë Shenjtorët na ftojnë t’i ndjekim me gëzim gjurmët e Jezusit

Në udhën e shenjtërisë nuk jemi kurrë vetëm. Na shoqërojnë shenjtorët e të gjitha kohëve. Prandaj Kisha na kujton sa gjë e bukur e ngushëlluese është shoqëria e shenjtorëve, realitet me përmasa krejt të ndryshme, nga ato të jetës sonë.

R.SH. - Vatikan

Më 1 nëntor, Kisha kremton Gjithë Shenjtorët. Solemniteti na kujton se shenjtëri nuk do të thotë të kryesh vepra të jashtëzakonshme. Shenjtëri do të thotë të ndjekësh Jezusin me besim të plotë se Zoti nuk të lëshon kurrë dore, se është gjithnjë pranë teje, në të mira e në të vështira! Solemniteti i sotëm na fton t’i lartojmë sytë kah qielli e të meditojmë për përsosurinë e jetës hyjnore, që na pret.

Kjo festë na kujton se, në sa nxitojmë t’i kryejmë punët e përditshme, që nuk mbarojnë kurrë, shpesh harrojmë se caku i fundmë i këtij nxitimi, është takimi ballë për ballë me Zotin. E në këtë cak mund të arrihet vetëm përmes shenjtërisë, që nuk është privilegj për pak të zgjedhur, por detyrë kryesore për gjithë njerëzit.

Por, ç’duhet bërë, për të qenë shenjtorë?

Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjemi në radhë të parë duke kujtuar ç’nuk duhet bërë: për të qenë shenjtorë, nuk duhet të kryejmë vepra të jashtëzakonshme, gjëra të mëdha, e as të kemi cilësi të rralla. Pastaj duke kujtuar edhe ç’duhet bërë: kryesorja është t’i shërbejmë Jezusit, ta dëgjojmë zërin e tij, ta ndjekim pas, pa u trembur nga vështirësitë. Shenjtëria kërkon përpjekje të vazhdueshme, por mund të arrihet prej të gjithëve nga që, më shumë se vepër e njeriut, është dhuratë e Zotit. 

Në udhën e shenjtërisë nuk jemi kurrë vetëm. Na shoqërojnë shenjtorët e të gjitha kohëve. Prandaj Kisha na kujton sa gjë e bukur e ngushëlluese është shoqëria e shenjtorëve, realitet me përmasa krejt të ndryshme, nga ato të jetës sonë. Nuk jemi kurrë vetëm! Bëjmë pjesë në një bashkësi shpirtërore, në të cilën mbretëron plotësisht solidariteti: e mira e secilit, është e mira e të gjithëve dhe anasjelltas, lumturia e njërit, rrezaton në fytyrën e secilit. Është mister të cilin, në një farë mase, mund ta shijojmë që në këtë botë, në familje, mes miqsh e, posaçërisht, në bashkësinë shpirtërore të Kishës

Shenjtorët na ftojnë ta jetojmë me frymë të krishterë përkujtimin e të vdekurve

Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve na fton t’i ndjekim me gëzim gjurmët e Jezusit, pa ndërlikime e pa mediokritete, duke ecur me përvujtëri në udhën e përsosjes së dashurisë e duke përjashtuar çdo gjë, që nuk është e denjë për jetën tonë si të krishterë: këtë na kujton Kisha, në një ditë mahnitëse vjeshte, përplot me vezullimet e të gjitha ngjyrave të stinës së verdhë. 

Fjala e Zotit na fton ta jetojnë me frymë të vërtetë kristiane përkujtimin e besimtarëve të vdekur, që Kisha e kremton, më 2 nëntor, me vetëdijen se në varre pushon vetëm pjesa e vdekshme e trupit të të dashurve tanë, në pritje të ringjalljes përfundimtare. Mos të kemi frikë të jemi shenjtorë! Është shërbimi më i mirë që mund t’u bëjmë vëllezërve tanë! Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve, e fton Kishën shtegtare mbi tokë të parashijojë festën pa fund të bashkësisë qiellore e të ringjallë besimin tonë në jetën e pasosur.

Kisha na fton ta jetojnë përkujtimin e të gjithë besimtarëve të vdekur, sipas shpirtit të vërtetë të krishterë, domethënë, në dritën që buron nga Misteri i Pashkëve. Krishti vdiq e u ngjall e na hapi shtegun drejt shtëpisë së Atit, drejt Mbretërisë së jetës e të paqes. Kush e ndjek Jezusin në këtë jetë, pranohet atje, ku Ai na parapriu.

Ndërsa bëjmë vizita në varreza, të mos harrojmë se atje, ndër varre, pushon vetëm pjesa e vdekshme e të dashurve tanë, që presin ringjalljen përfundimtare. Shpirtrat e tyre – siç na kujton Shkrimi Shenjt, Bibla - janë tashmë në duart e Hyjit (Urt 3,1). Prandaj mënyra më e përshtatshme e më e frytshme është t’i nderojmë duke u lutur për ta, duke kryer vepra feje, shprese e dashurie. Në bashkim me Flijen Eukaristike, mund të ndërmjetësojmë për shëlbimin e tyre të pasosur e të provojmë bashkimin më të thellë, në pritje të ditës, kur do të jemi përsëri bashkë, për të gëzuar, në amshim, Dashurinë që na krijoi e na shpërbleu.

Në mënyrë të veçantë, sa e bukur e sa ngushëlluese është bashkësia e shenjtorëve; realitet, që i jep një përmasë krejt tjetër gjithë jetës sonë. Nuk jemi kurrë vetëm! Bëjmë pjesë në një ‘shoqëri’ shpirtërore, në të cilën sundon solidariteti më i thellë: e mira e secilit, është e mira të gjithëve e, anasjelltas, lumturia e përbashkët rrezaton mbi secilin. Është një mister që, në një farë mase, mund ta provojmë që në këtë botë, në familje, ndërmjet miqsh e, posaçërisht, në bashkësinë shpirtërore të Kishës. Na ndihmoftë Zoja e Bekuar të ecim me shpejtësi në udhën e shenjtërisë e qoftë Nënë e Mëshirës për shpirtrat e të vdekurve.

31 tetor 2018, 14:26