Kërko

 Atë Maccalli duke kremtuar Meshën Atë Maccalli duke kremtuar Meshën 

Misionarët në Niger: të mos harrohet rrëmbimi i atë Maccalli-t

Kaloi më se një muaj nga rrëmbimi i atë Luigi Macalli-t, meshtar i Shoqërisë së Misioneve Afrikane. Sivëllai i tij, atë Mauro Armanino, duke folur nga Niamey, shpjegon se nuk dihet ende si ndodhi ngjarja e flet edhe për situatën në vend.

R. SH. - Vatikan

Gjashtë javë pas rrëmbimit, në Niger, të atë Pier Luigi Macalli, meshtar i Shoqërisë së Misioneve Afrikane, bashkësia e krishterë e vendit afrikan shpreson se nuk do të shuhen reflektorët mbi zhdukjen e misionarit italian natën e 17 shtatorit, kur një grup burrash të armatosur, që hamendësohet të kenë qenë milicë islamikë, hynë përdhunisht në misionin e Bomoangës, në jug-perëndim të Nigerit.

Dëshmia nga Niamey

Pas tri ditë lutjesh, më 17, 18 e 19 tetorin e kaluar, gjatë të cilave, me ftesën e ipeshkvit të Niamey, imzot Laurent Djalwana Lompo, të krishterët e vendit - me shumicë myslimane -  u lutën për lirimin e atë Macallit e për paqen në zonë, në Vatican News flet, nga kryeqyteti Nigerian, atë Mauro Armanino, koordinator i bashkësisë së etërve të Shoqërisë së Misioneve Afrikane në Niger:

Atë Macalli – thuhet se sivëllai juaj është në duart e milicëve islamikë. A mund të na shpjegoni pse u rrëmbye misionari në Niger, në këto çaste?

Tani për tani nuk dihet ende kush e rrëmbeu e nuk është hera e parë, që ndodh kjo. Në zonën e Sahelit më se 13 vetë ndodhen në duar të panjohura. Pastaj duhet thënë se ishte e lehtë të rrëmbehej një atë misionar, sepse i pambrojtur e njeri, të cilit as nëpër mend nuk i shkonte se mund t’i ndodhte kjo gjë. Ndoshta në të ardhmen do të kërkojnë ndonjë shpërblim: po kjo nuk dihet ende.

Dy fjalë për zonën e Bomoangës?

Zonë kufitare me Burkina Fason, që prej disa muajsh po sulmohet nga grupe xhihadist e edhe ish-ushtarakë të regjimit të mëparshëm të Blaise Compaoré. Zonë e pakontrolluar: hapësira të pafundme savane, që shpesh  nuk njihen si pjesë e Nigerit. E duhet thënë edhe se banohen nga fshatarë të varfër, që nuk kanë kurrfarë peshe politike. Pak njerëz, të etnisë Gourmantché, për të cilët atë Pierluigi  po shkrin gjithë jetën e tij.

Bashkësitë e krishtera, natyrisht, nuk mund të mos kenë frikë, edhe pse  këtu nuk ka ndodhur kurrë diçka e tillë. Ngjarja u pasua nga  një deklaratë islamo-kristiane, që shprehu solidaritetin, me parrullën: “Lirojeni Macall-in”, deklaratë që mendoj se nuk e pasqyron klimën, e cila po jetohet në këtë vend!

Në këtë kuadër që përshkruat, ç’duhet bërë, sipas jush?

Të vijojë të kujtohet rrëmbimi, para së gjithash, duke mos lejuar që jeta të ecë në udhën e vet pak a shumë normale. E të bëhet presion mbi autoritetet, por gjithnjë vëmendshëm, sepse nuk jemi në shtëpinë tonë, ndonëse vëllai, që nuk dihet ku është, nuk i bëri kurrë keq kujt. Nuk duhet harruar edhe se ndonjë ditë më parë, dy sivëllezër misionarë spanjollë, kërkuan të largohen nga bashkësia e Toriosit, 50 km larg Niamey, sepse kishin frikë. E tani ndodhen edhe ata në Niamey. Pra është një situatë e paqëndrueshme, megjithatë duhet të vijojmë të jemi të pranisshëm, ta shoqërojmë këtë proces e të shikojmë, në udhë e sipër, nëse ka elemente, që na kujtojnë mundësinë për të ndërhyrë!

25 tetor 2018, 15:16