Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Kryqëzimi Jezu Krishtit Kryqëzimi Jezu Krishtit  (Vatican Media)

Më 5 tetor kalendari kishtar përkujton Shenjtorët Plaçidi e Mauri

Plaçidi dhe Mauri, nxënësit më të dashur të Shën Benediktit, u bënë të njohur përmes një episodi, që tregohet nga Shën Gregori i Madh në veprën e tij ‘Dialogët’.

R.SH. - Vatikan

Plaçidi dhe Mauri, nxënësit më të dashur të Shën Benediktit, u bënë të njohur përmes një episodi, që tregohet nga Shën Gregori i Madh në veprën e tij ‘Dialogët’. 

Shën Gregori tregon sesi një ditë, në sa Benedikti ishte në qelën e tij, Plaçidi u nis për të mbushur ujë në liqen. Humbi drejtpeshimin e ra në ujë. Në sa po e merrte rrjedha, duke e shtyrë larg bregut, Abati pa në vegim gjithçka po ndodhte. Thirri atëherë Maurin dhe e nisi për të shpëtuar sivëllain. E djaloshi u nis vrap, arriti bregun e, pa u kujtuar fare, filloi të ecte mbi ujërat, si Shën Pjetri në liqenin e Tiberiades e si shoqëruesit e Zojës së Këshillit të Mirë. Arriti tek Plaçidi, që po fundosej, e kapi për flokësh dhe e shpëtoi. Vetëm pasi e kishte shpëtuar, u kujtua se kishte ecur mbi ujëra. 

Sipas Shën Benediktit, mrekullia ndodhi për shkak të dëgjesës së Maurit, ndërsa nxënësi ngulte këmbë se kishte ndodhur me ndërmjetësimin e Abatit. Kërkuan mendimin e Plaçidit, e ai u përgjigj: “Kur ndjeva se po më nxirrnin nga uji, hapa paksa sytë, pashë mbi kokën time mantelin e abatit e mendova se ishte ai që po më shpëtonte”.

Kaq mësojmë nga shkrimi i Shën Gregorit të Madh, ndërsa në një biografi apokrife të gjysmës së shekullit IX, lexojmë se Mauri u dërgua nga mësuesi i tij në Francë, ku themeloi manastirin benediktin të Glanfëj në Anzhu e ku edhe vdiq, pasi bëri shumë mrekulli. Të dhënat për jetën dhe vdekjen e Shën Plaçidit janë edhe më të pakta. Disa biografë shënojnë se vdiq i martirizuar nga saraçenët në Sicili.

05 tetor 2018, 12:26