Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Shen Marku, ungjilltar Shen Marku, ungjilltar  (© Biblioteca Apostolica Vaticana)

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 30 gjatë vitit kishtar “B”

Feja që shpëton.Një i verbër bëhet mësues i atyre që shohin dhe dëshmon se feja shpëton. Feja është shtegtim ndriçimi: niset nga përvujtëria e njeriut që e pranon se ka nevojë për shëlbim dhe arrin në takimin personal me Krishtin, që e thërret ta ndjekë në rrugën e dashurisë.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku, leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të së dielës së 30-të gjatë vitit kishtare, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 30-të ‘B’

Rizbulimi i vlerës së pagëzimit është bazë për impenjimin misionar të çdo të krishteri’: këto fjalë nxitëse u drejton Kisha gjithë të krishterëve gjatë kësaj së diele të 30-të gjatë vitit liturgjik.. Duke iu referuar Ungjillit, të kësaj së diele, kushtuar shërimit të të verbërit të Jerihonit, vërejmë se Zemra e Krishtit preket thellë nga vuajtja e njerëzve. Në ngjarjen që tregon shërimin e Bartimeut të verbër, çasti vendimtar është pikërisht ai i takimit personal, të drejtpërdrejtë të Zotit me këtë njeri që vuante.

Ndodhen njëri përballë tjetrit: Zoti Jezus me dëshirën për ta shëruar dhe njeriu me dëshirën për t’u shëruar. Dy liri, dy vullnete që përkojnë: “Ç’ dëshiron të bëj për ty?” - e pyet Krishti. “Të më kthehet drita e syve” - përgjigjet i verbëri. “Shko, feja jote të ka shpëtuar”. Me këto fjalë bëhet mrekullia. Gëzimi i Zotit dhe gëzimi i njeriut!

I dalë përsëri në dritë, Bartimeu bëhet nxënës i Krishtit e ngjitet së bashku me Mësuesin në Jeruzalem për të marrë pjesë në misterin e madh të shëlbimit. Ky rrëfim na kujton rrugën e katekumenit drejt sakramentit të Pagëzimit, që në Kishën e lashtë quhej “Ndriçim”. Feja është shtegtim ndriçimi: niset nga përvujtëria e njeriut që e pranon se ka nevojë për shëlbim dhe arrin në takimin personal me Krishtin, që e thërret ta ndjekë në rrugën e dashurisë.

Po kujtojmë se ndër viset që u ungjillëzuan në lashtësi, ku Sakramenti i Pagëzimit merret menjëherë pas lindjes, fëmijëve, të rinjve e të rriturve u propozohen takime katekizmi e përshpirtërie, që u krijojnë kushtet të ecin në rrugën e rizbulimit të fesë me pjekuri e vetëdije, për të pranuar, pastaj, impenjimin koherent të dëshmisë.

Kisha, pra, na drejton nxitjen e fuqishme për të rizbuluar vlerën e Pagëzimit tonë, si bazë të impenjimit misionar të çdo të krishteri, sepse në Ungjill shikojmë se kush e lë veten të mahnitet prej Jezu Krishtit, nuk mund të mos e dëshmojë gëzimin që buron nga ecja në gjurmët e Zotit. Në këtë muaj të tetorit, që i kushtohet posaçërisht misionit, e kuptojmë edhe më mirë se pikërisht përmes forcës së Pagëzimit, në shpirtin tonë buron thirrja e natyrshme për të qenë misionarë

                                       Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Jer 31, 7-9

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Kështu thotë Zoti: “Brohoritni me gëzim për Jakobin, lavdëroni të parin ndër popuj t’ju kumtoj zëri, këndoni e thoni: ‘Shpëtoje, o Zot, popullin tënd, tepricat e Izraelit!’ Ja, unë po i kthej nga toka e veriut, do t’i bashkoj nga skajet e tokës: ndër ta janë të verbër e të shqepët, së bashku shtatzëna e ajo që do lindë: bashkësi e madhe që këtu po kthehet! Do të vijnë duke vajtuar prej mallit, do t’i kthej duke u lutur, do t’u prij gjatë rrjedhës së përrenjve, udhës së drejtë ku s’do të zënë në thua, sepse jam babai i Izraelit, Efraimi është djali im i madh.” Fjala e Zotit.

Psalmi 126

Punë të mëdha bëri Zoti për ne

----------

Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,

na dukej si të ishim në ëndërr.

Atëherë goja na u mbush me gaz

e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!

----------

Asohere thuhej ndër paganë:

“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”

Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli

e zemrat na u mbushën me gëzim!

----------

Ktheji, o Zot, robërit tanë

porsi përrenjtë e Negebit!

Ata që mbjellin me lot,

deh, le të korrin me gëzim!

----------

Në të shkuar ecnin e qanin

duke mbartur farën për ta mbjellë,

kurse në kthim do të vijnë plot gëzim

duke mbartur dorëzat e veta.

----------

Leximi i dytë Heb 5, 1-6

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Çdo kryeprift zgjidhet nga mesi i njerëzve, dhe vihet kryeprift për të mirën e njerëzve në marrëdhënie të tyre me Hyjin. Detyra e tij është të kushtojë dhurata e fli për shpërblim të mëkateve. Ai është në gjendje të ketë dhembshuri për ata që nuk dinë e gënjehen, sepse edhe ai vetë është i ngarkuar me ligështi. Këndej i duhet të kushtojë fli për mëkate si për popull ashtu edhe për vete. Dhe askush nuk e merr për vetvete këtë nder, por vetëm ai që thirret prej Hyjit shi sikurse Aroni.

Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë nderin të bëhet kryeprift, po ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, unë sot të linda”- sipas asaj fjale që e thotë diku gjetiu: “Ti je prift për amshim në mënyrë të Melkizedekut.” Fjala e Zotit.

Ungjilli Mk 10, 46-53

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbër, rrinte në anë të rrugës e lypte. Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtasë: “Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort: “Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

Jezusi zuri vend e tha: “Thirreni!” Ata i bënë zë të verbrit dhe i thanë: “Mos u tremb! Çohu se po të thërret!” I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi.

Jezusi e pyeti: “Çka dëshiron të bëj për ty?” “Rabbuni! Që të shoh!” – përgjigj i verbëri. Jezusi i tha: “Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!” Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë mbas Jezusit.  Fjala e Zotit.

26 tetor 2018, 15:24