Cerca

Vatican News
2018.10.04 famiglia - illustrazione al vangelo della domenica 2018.10.04 famiglia - illustrazione al vangelo della domenica 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të 'B'

Nëse duam njëri-tjetrin, Zoti është me ne! Në këtë të diele Liturgjia e Fjalës Hyjnore na paraqet misterin e dashurisë, mister dashurie që bashkon burrin e gruan në qenie të vetme, mister vendosur sipas planit të Zotit që ka krijuar burrin e gruan porsi dy qenie përplotësuese dhe në përngjasimin e tij.

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 27-të gjatë vitit, ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Fjala e Zotit e kësaj së diele na ofron rastin për të reflektuar mbi misterin e dashurisë, të dashurisë që gjen shprehjen më të bukur e të lartë në Sakramentin e martesës. Pra tema kryesore që na propozojnë leximet biblike është vizioni, është vështrimi i krishterë i dashurisë martesore.

Shkëlqimi i thirrjes martesore si dhuratë dashurie, dhe si thirrje që kjo bukuri e harmoni dashurie të mos dëmtohet e të shkatërrohet nga mjerimet dhe mangësitë e njeriut, që shpesh e bëjnë të pafrytshëm e të shterpët dashurinë martesore të vulosur me bekim të Hyjit.

Pra, në këtë të diele Liturgjia e Fjalës Hyjnore na paraqet misterin e dashurisë, misterin dashurisё që bashkon burrin e gruan në qenie të vetme, mister vendosur sipas planit të Zotit që ka krijuar burrin e gruan porsi dy qenie përplotësuese dhe në përngjasimin e tij. Misteri i dashurisë dhe ia i bashkimit ndёrmjet personave është tema qendrore e liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele.

Shembulli tipik i këtij bashkimi është lidhja ndërmjet burrit e gruas, e dashur nga Zoti si shenjë e dashurisë së vet krijuese. Dashuria e anasjelltë ndërmjet personave e posaçërisht e në mënyrë tejet të veçantë ndërmjet burrit e gruas, është shenja më e lartë e lirisë së personit për tjetrin në të cilën dashuri dhuruese, Jezusi na thërret me jetën e tij dhe me kumtimin e tij.

Në këtë aspekt lutja e dytë e hyrjes së Meshës së kësaj të diele na thërret t’i lutemi Zotit me këto fjalë: “...në saje të Shpirtin tënd sjelli bijtë e Adamit në shenjtërimin e zanafillës së parë, e dhuroju atyre, o Zot, një zemër besnike, në mënyrë që kurrfarë pushteti njerëzor të mos marrë guximin të ndajë atë çka ti vet ke bashkuar”. “Të dy do të jenë një trup i vetëm”: kjo është porosia e Leximit të parë nga Libri i Zanafillës, me tërë simbolizmin e tregimit të zanafillës së njerëzimit. Për dashuri burri e gruaja bashkohen e shkrihen në një qenie të vetme, për të dhuruar së bashku jetën, e kështu për të qenë shenjë e nismës së vazhdueshme krijuese të Zotit.

Tema e vet zanafillës dhe thirrja në bashkim karakterizojnë leximin e dytë nga Letra e Hebrenjve: ajo sheh në Krishtin, Njëlindurin e shumë vëllezërve, pikën në të cilën është thirrur të përkojë mbarë njerëzimi. Përsëri, në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, marrë nga shën Marku, na propozohet ideali i zanafillës: “njeriu të mos guxojë të ndajë çka Zoti bashkon”. Për të kuptuar e shijuar këtë mister të bashkimit në dashuri, duhet të kemi sytë e zemrës së dashuruar dhe gatishmërinë e dhurimit e të flijimit të vetvetes, që vetëm personat e thjeshtë e të sinqertë, siç janë fëmijët, mund t’i kenë e të jenë. Referimi ndaj fëmijës si simbol i gatishmërisë dhe aftësisë së besimit, na ofrohet nga pjesa e fundit e tekstit të Ungjillit të kësaj së diele.

Në Ungjillin e kёsaj sё diele, atij që i drejtoi pyetjen në se i lejohet burrit ta ndajë gruan e vet, siç parashikonte norma e ligjit mozaik , Jezusi iu përgjigj se kjo ishte një leje e dhënë nga Moisiu për shkak të zemërgurësisë së njerëzve, ndërsa e vërteta mbi martesën nis që në fillimin e krijimit, kur Hyji – siç shkruhet në Librin biblik tё Zanafillës – i krijoi mashkull e femër; për këtë arsye burri do të lerë të jatin dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm. Njeriu të mos e ndajë atë që e ka bashkuar Zoti!.

Pikërisht ky plan fillestar i Zotit kujtohet edhe nga Koncili II i Vatikanit në Kushtetutën Gaudium et Spes, ku lexohet: “Bashkimi intim i jetës dhe i dashurisë bashkëshortore, themeluar nga Krijuesi, ndërtohet sipas ligjeve të veta e përcaktohet nga marrëveshja bashkëshortore … duke pasur parasysh se autor i martesës është vetë Zoti”. Edhe në Nxitjen Apostolike Familiaris Consortio Papa Shёn Gjon Pali II ka shkruar se Sakramenti i martesës i bën bashkëshortët dhe prindërit e krishterë dëshmitarë të Krishtit deri në skajet më të largëta të tokës, i bën misionarë të mirëfilltë të dashurisë dhe të jetës.

Ky mision është i drejtpërdrejtë si brenda familjes, posaçërisht në shërbimin reciprok dhe në edukimin e fëmijëve, ashtu edhe jashtë familjes, sepse bashkësia shtëpiake është e thirrur të bëhet shenjë e dashurisë së Zotit për të gjithë. Ky është mision që familja e krishterë mund ta kryejë plotësisht vetëm me ndihmën e hirit hyjnor.  Me pak fjalë, Fjala e Zotit e Meshës Shenjte të kësaj së diele ndriçon e përforcon dashurinë që ne kërkojmë ta jetojmë brenda familjeve e bashkësive tona

                                                          Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi I Zan 2,18-24
Fati i njeriut nuk është të zotëruarit, por dashuria. Kur Hyji i paraqet burrit gruan, burri shpërthen në një britmë gëzimi, admirimi dhe butësie. Bibla pohon që burri dhe gruaja që bashkohen në martesë, formojnë, për dëshirë dhe vullnet të Zotit, një bashkësi familjare të pandashme. 

Lexim prej Librit të Zanafillës

Zoti Hyj tha: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm: do t’ia bëjë një ndihmë që t’i përngjajë.” Pasi Zoti Hyj i kishte formuar prej dheut të gjitha kafshët e gjalla të fushës dhe të gjithë shpendët e qiellit, i solli te njeriu, për të parë, sesi do t’i quajë, sepse secila kafshë e gjallë do të mbante atë emër, me të cilin do ta quante njeriu. Njeriu ia ngjiti emrin përkatës secilës bagëti, secilit shpend të qiellit dhe secilës egërsirë të fushës; por për njeriun nuk gjendej një ndihmës që i përngjante atij. Prandaj Zoti Hyj i lëshoi njeriut një gjumë të rëndë. Pasi e zuri gjumi, ia nxori një brinjë dhe vendin e saj e mbushi me mish. Zoti Hyj e përftoi gruan prej brinjës që ia kishte nxjerrë njeriut dhe e solli te njeriu. Atëherë njeriu klithi: “Kjo është tash ashti i eshtrave të mi dhe mishi i mishit tim! Le të quhet Grua, sepse kjo u mor nga njeriu.” Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 128
Na bekoftë Zoti, burimi i jetës

Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej 
punës së duarve të tua,
i lumi ti, mirë do të kalosh.
Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!

Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit.

E pafsh lumturinë e Jerusalemit
në të gjitha ditët e jetës sate,
dhe i pafsh djemtë e djemve të tu!
Paqja qoftë mbi Izraelin!

Leximi II Heb 2,9-11
Jezusi ka bërë një përgatitje të fortë para se të vihej në udhëheqje të njerëzimit. Ai ka provuar vdekjen duke e përjetuar me të gjithë vetminë dhe hidhërimin e saj. Nuk është shtirur sikur është njeri, por është zhytur në thellësinë e situatës njerëzore. Krishti ka jetuar jetën e tij në dobi të të gjithëve duke u bërë shoku i udhëtimit i secilit prej nesh.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, Atë që qe përulur për pak kohë më poshtë se engjëjt, Jezusin, e shohim të kurorëzuar me lavdi e nder për arsye të vdekjes që pësoi, që kështu, për hir të Hyjit, vdekja e shijuar prej tij të jetë në dobinë e të gjithë njerëzve. Dhe vërtet, i kishte hije Atij, për të cilin dhe prej të cilit është çdo gjë dhe që donte t’i çojë në lumturi shumë bij, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve Udhëheqësin e shëlbimit të tyre. Sepse si Shenjtëruesi ashtu të shenjtëruarit, janë të gjithë prej Njërit. Prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Nëse e duam njëri-tjetrin, Hyji mbetet në ne, dhe dashuria e tij në ne është e përkryer.
Aleluja.

Ungjilli Mk 10, 2-16
Sipas ligjit hebraik, divorci është një privilegj mashkullor. Sipas Jezusit, përgjegjësia e vendimit është edhe gruaja. Jezusi shpërndan një mesazh universal, për të gjithë njerëzit e të gjitha kohërave: gruaja ka të njëjtat të drejta dhe të njëjtat detyra si të burrit. Farisenjtë ndalohen në kodin e Moisiut, ndërsa Jezusi rilidhet me planin e Hyjit: nuk është ligji që është i shenjtë, por dashuria është e shenjtë. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusit u afruan farisenjtë e, për ta sprovuar, e pyetën: “A ka leje burri ta lëshojë gruan?” Ai u përgjigj: “Çka ju urdhëroi Moisiu?” Ata iu përgjigjën: “Moisiu lejoi ‘të shkruhet letra e ndarjes e të lëshohet’”. Jezusi u tha: “Atë rregullore e shkroi për ju Moisiu për arsye të kryeneçësisë suaj. Por në fillim të botës, Hyji i krijoi mashkull e femër. Prandaj njeriu do ta lërë babën e vet e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet, e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm. ‘Këndej pra, nuk janë më dy, por një trup i vetëm’. Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë të ndajë!” Në shtëpi nxënësit e pyetën përsëri për të njëjtën gjë. Ai u tha: “Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër së parës. Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje.”
Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin. Jezusi, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha: “Lini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit! Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.” Atëherë i mori fëmijët ngrykë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

05 tetor 2018, 17:18