Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018-05-28 Pellegrinaggio albanesi a Genazzano - la Madonna del Buon Consiglio 2018-05-28 Pellegrinaggio albanesi a Genazzano - la Madonna del Buon Consiglio 

Festa e Zojës e Shkodrës

Në Qytetin e Veriut, në Shkodër që prej kohëve të lashta nderohet me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës. Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan të Italisë. Historia e saj, është vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë.

R.SH. - Vatikan

Besimtarët e krishterë në Shkodër, kremtojnë në një mënyrë të veçantë festen e Zojës së Shkodrës. Kryedioqeza e qytetit, në pjesën e dytë të tetorit, e feston ketë ditë të shënuar për besimtarët katolikë shkodranë, që është pikërisht nderimi i Nënës Hyjnore, Zojës së Këshillit të Mirë, pajtores qiellore të Shkodrës e të Shqipërisë.

Në Qytetin e Veriut, në Shkodër që prej kohëve të lashta nderohet me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës. Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan të Italisë. Historia e saj, është vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë, katolicizëm i cili, me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, më 1468, nisi udhën e vet të kryqit.

Në sa një pjesë e madhe e banorëve, gjatë pesë shekujve të robërisë, do të shtrëngohej të ndërronte fe e një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mërgimit, vetëm një pakicë do të mbetej besnike, duke vuajtur porsi gjarpri nën gur për shekuj e shekuj. E pikërisht në këtë kohë, rreth vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe e sulltanit u dynd mbi Shkodër, sipas gojëdhënës, fugurja e Zojës u shkëput nga muri i Shenjtërores rrëzë Kështjellës së Rozafës, për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake. E mbartur nga engjëjt, mbështjellë prej një reje – vijon gojëdhëna- u ndalua në Gjenacan, afër Romës.

Gojëdhëna tregon edhe se Figurën e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores, e ndërsa ecnin me sytë lart, pa u kujtuar as ata vetë, e kaluan në këmbë detin Adriatik. Si arritën në Romë, fugurja u zhduk nga sytë tyre. Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë u hap zëri se një figure e mrekullueshme kishte zënë vend në muret e Shenjtërores së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin mrekulli të panumërta. Ishte data 25 prill 1467.

Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit, e Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtorja Qiellore e shqiptarëve, nisi të nderohej edhe në Itali, Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me të njëjtën figure, që vijon të nderohet në Gjenacan.  Kjo figure, pra, nderohej në Kishën e vogël dy herë të rrënuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa, një nga më të vjetrat në Shqipëri.

Në këmbë apo gërmadhë, Kisha mbeti gjithnjë cak shtegtimi. Nuk ka besimtar që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur kisha u rrënua për herë të dytë nga diktatura komuniste enveriane, të mos jetë lutur në heshtje për ditë më të mira me një lutje tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret: “O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”.

E kur Kisha u rindërtua, Lutja u pasurua me fjalët: “Ndër duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore”.

19 tetor 2018, 12:07