Cerca

Vatican News
25-vjetori i misionit tё Etёrve Kapuçinё nё Shqipёri, 6 tetor 2018 25-vjetori i misionit tё Etёrve Kapuçinё nё Shqipёri, 6 tetor 2018 

Etërit Kapuçinë kremtojnë 25 vjetorin e misionit në Shqipëri

Atë Sergio, misionari i parë në Shqipëri, u shpreh: “Të falenderoj o Zoti im, sepse në Shqipëri më dhe mundësinë që të punoj jo vetëm për gjërat materiale, por mbi të gjitha ato shpiërtërore. Jam i kënaqur që kam punuar në këtë tokë, që kam vënë në punë dhuratat natyrore dhe hirin që Ti më ke dhënë".

R.SH. - Vatikan

Etërit Kapuçinë në Nënshat, kremtuan, më 6 tetor, 25 vjetorin e pranisë së tyre me mision në Shqipëri. Kremtimi i mbajt në Kishën e Shën Mëhillit në Nënshat, në praninë e besimtarëve zadrimorë, meshtarëve dhe rregulltarëve. Nderoi me praninë e tij edhe Nunci Apostolik, imzot Chales John Brawn, Provinciali i Etërve Kapuçinë, Atë Alfredo, kryeipeshkvi i Shkodrës, imzot Angelo Massafra, si dhe autoritete të pushtetit vendor. Po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit...

Etërit Kapuçinë kremtuan 25 vjetorin e pranisë së tyre me mision në Shqipëri.

25 VJETORI I MISIONIT TË ETËRVE KAPUÇIN

Këtë fundjavë, me daten 6 tetor, bashkësia e Etërve Kapuçinë në Nënshat, kremtoi 25 vjetorin e pranisë së tyre me mision në Shqipëri.

Ceremonia u mbajt në Kishën e Shën Mëhillit në Nënshat në praninë e besimtarëve zadrimorë, meshtarëve dhe rregulltarëve. Nderoi me praninë e tij edhe Provinciali i Etërve Kapuçinë, Atë Alfredo, Nunci Apostolik, imzot Chales John Brawn, Arqipeshkvi i Shkodrës, imzot Angelo Massafra, si dhe autoritete të pushtetit vendor.

Mesha u udhëhoq nga Nunci Apostolik, vlerësoi dhe uroj fretërit për misionin ungjillëzues në tokën shqiptare. Ndërsa ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli në homelinë e rastit tha se: “Ardhja e Etërve Kapuçin, njëzet e pesë vite më parë në Shqipëri shënon një epokë të re të rilindjes së bashku me këtë popull kaq të vuajtur gjatë regjimit komunist. Ardhja e tyre ishte një dhuratë për vendin tonë, dhe mbi të gjitha për dioqezën tonë të Sapës, sepse ato u vendosën në Nënshat, pikërisht aty ku më parë ishte qendra e kësaj dioqeze.

Në këtë 25 vjetor, që përkon dhe me një vjetorin tim si bari i kësaj dioqeze, dëshiroj të shpreh gëzimin dhe mirënjohjen time personale dhe në emër të grigjës që drejtoj, për punën, veprimtarinë dhe aktivitetet e shumta  që  etërit kryejnë gjatë këtyre viteve në vendin e vaditur me gjakun e martirëve tonë”.

Në këtë ceremoni Bashkia Vau Dejës, me propozimin e Kryetarit të Bashkisë, ka nderuar me  titullin “Nderi i Bashkisë Vau Dejës” misionin e Vellezërve Kapuçin në zonën e Nënshatit. E po kështu kjo Bashki nderoi ndërkohe edhe dy misionarët e parë Atë Sergio La Fogia dhe Atë Bonaventura Mossuto, me titullin “Qytetar Nderi” të Bashkisë Vau Dejës, për kontributin e tyre në rindërtimin e kishave të shkatërruara gjatë regjimit komunist dhe misionin e tyre human ndaj banorëve të zonës.

Si lindi Misioni i Etërve Kapuçinë në Nënshat?  

Ishte muaji maj i vitit 1993, ku Provinciali i asaj kohe, fra Lorenzo Invidia dhe sekretari provincial, fra Benito De Caro, u nisën me traget nga Bari për në Shqipëri për të parë se ku duhet të fillonte prania misionare e etërve kapuçinë. Dhe më vonë, provinciali nisi misionarin e parë në tokën shqiptare, Atë Sergio La Fogia, i cili pas ndihmës që i dhanë dom Injac Dema dhe etërit Rrogacionistë, me 29 shtator të vitit 1993, në festën e Shën Mëhillit, për herë të parë, Atë Sergio pasi kishte qëndruar 20 ditë me d. Injacin, për herë të parë kremtoi meshën Shenjte në gjuhën Shqipe. E kështu për 9 muaj, Atë Sergio është bujtur pranë shtëpisë famullitare në Dajç të Zadrimës. Pastaj filloi organizimin e punës baritore në fshatrat Nënshat, Hajmel dhe Dheu –Lehtë. Në fillim rikonstruktoi kishën e parë në Nënshat, dhe me ardhjen edhe të dy fretërve të tjerë, Atë Bonaventura Mossuto dhe Fra Angelo Argese, misioni i etërve kapuçinë po merrte një hov të ri, si nga ana shpirtërore me besimtarët ashtu edhe në objektet e kultit.  Gjatë këtyre 25 viteve etërit Kapuçinë kanë punuar shumë në çdo fushë dhe në çdo kujdes për besimtarin. Madje Atë Sergio, që është dhe misionari i parë në këtë vend, në dëshminë  e tij falenderon Zotin duke thënë: “Të falenderoj o Zoti im, sepse në Shqipëri më dhe mundësinë që të punoj jo vetëm për gjërat materiale, por mbi të gjitha ato shpiërtërore. Jam i kënaqur që kam punuar në këtë tokë pa interes, që kam vënë në punë dhuratat natyrore dhe hirin që Ti më ke dhënë. Falë teje kam arritur të bëj çfarë u lë të tjerëve, por gjithmonë jam i pasur me dashurinë tënde” – përfundon Atë Sergio La Fogia.

Violeta Marashi

08 tetor 2018, 14:50