Kërko

Bibla Bibla 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: 10 nga Psalmet më të bukura

Në emisionin e kaluar ju folëm për Librin e Psalmeve. Me shpresën se do të filloni t’i lexoni, po paraqesim sot, 10 nga Psalmet më të bukura të këtij Libri, si gjithnjë, sipas vëllimit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Po e fillojmë këtë “Top 10” nga fundi i listës. Në vendin e dhjetë, Psalmi 130/129, i njohur si “De profundis”, kryevepër që, më shumë se çdo lutje tjetër, shpreh frikën nga vdekja, por edhe besimin në Zotin. Jo rastësisht, këndohet për gjithë të vdekurit.

        Kah ti, prej humnerës, po e çoj zanin, o Zot;

        o Zot, vështroje zanin tem!

        Veshët tú të jenë të hapun

        Për brimë të lutjes seme.

Një Psalm, që niset në terr e përfundon me dritën e mëshirës hyjnore, që shpërblen mëkatet.

         Në vendin e nëntë, Psalmi 19/18, psalm kozmik, që kremton Zotin – diell i drejtësisë.

         Qiellët kallëzojnë lumninë e Hyut

         E veprën e duerve të tija e rrëfen rruzullimi.

         Dita ia kalon ditës kumtimin e tij,

         e nata natës ia përcjellë lajmin e Zotit.

Zoti, që përfytyrohet si dhëndërr, si edhe lavdia e Tij, përfshin çdo gjë në këtë Psalm muzikor, i cili nga dielli e qielli, arrin pastaj t’i thurë lavde ligjit të Zotit.

         Në vendin e tetë, Psalmi 63/62, psalmi i atij që kërkon Zotin e Gjithpushtetshëm, Absolutin, lutja e njeriut, që ka etje për Hyjin e ditë-natë jeton me kujtimin e Tij të përmallshëm. Psalm i të dashuruarit, që i atribuohet Davidit, ndërsa endej në shkretëtirën e Judesë.

         O Hy, ti je Hyu em, ty të kërkoj në agim,

         për ty ka et shpirti em,

         për ty mishi em rreshket,

         porsi toka zhari, e thatë, pa ujë.

vendin e shtatë të listës sonë personale, Psalmi 83/82, që e shkandullon ndokënd për mallkimet dhe sharjet kundër të pabesëve. Por ata, që e ndiejnë padrejtësinë kundër të pafajshmëve, e kërkojnë këtë Pslam, për t’ia përplasur në fytyrë shfrytëzuesve, kur duket sikur Zoti hesht e nuk shikon ç’bëhet.

         Mos heshto, o Zot, gojën mos e mbaj mbyllë,

         o Hy, mos rri me duer në ijë!

         Përsè anmiqtë tú qe se po ziejnë,

         e ata që ty të mëninë, kryet e kanë çue.

vendin e gjashtë, Psalmi 103/102, shembulli i përsosur i mënyrës si e bekon njeriu Zotin, përshkrimi plot pasion i veprave të Hyjit, tregim i ëmbël, këngë e vërtetë mrekullie.

         Bekoje Zotin, o shpirti em,

         gjithçka asht në mue të bekojë emnin e Tij shenjt.

         Bekoje Zotin, o shpirti em,

         mos i qit në harresë të mirat që të ka bâ.

vendin e pestë, Psalmi 22/21, Psalmi i vuajtjes, i atij që lëngon pa shpresë, i atij që e ndjen se po i vjen vdekja. Është Psalmi, që Jezu Krishti e bëri të vetin në Kryq, duke shqiptuar fjalët e tmerrshme, me të cilat nis:

         Hyu em, Hyu em, psè më ke lëshue doret?

         Larg janë prej pështimit fjalët e ankimit tem.

         Gjithë ditën të thërras, o Hy, e ti s’më përgjegjë,

natën të thërras, e ti veshin s’ma vên.

vendin e katërt, Psalmi 23/22, që njihet nga të gjithë si Psalmi i Bariut të Mirë. I atribuohet Davidit, i cili qe bari para se të bëhej mbret e, ndoshta, është Psalmi më i bukur, ai që më tepër se të tjerët shpreh shijen dhe ngjyrën e përvojës së njeriut, që e lëshon veten në dorën e Zotit.

         Zoti asht bariu em: asgja s’më mungon;

         në rudina të blerta më bân me mrizue,

         më çon ndër gurra të qeta

         Më freskon, më prinë ndër shtigje të drejta,

për dashtëni të emnit të tij.

E ja, mbërritëm në podium! Në vendin e tretë, Psalmi 51/50, “Miserere”, i cili kremton si askush pranimin e mëkatit e rrëfimin e tij para Zotit. S’ka gjë më të bukur se këto vargje për të shprehur kërkesën e faljes:

         Dhimbë për mue, o Zot, simbas mëshirës sate;

         në mirësinë tande të madhe, shlyeje mëkatin tem.

         Më lajë prej tana fajeve të mia,

         prej mëkatit tem më pastro!

vendin e dytë, Psalmi 131/130. Në se vogëlsia është masa e madhështisë hyjnore, ja imazhi më i ëmbël e më i guximshëm i krejt Librit të Psalmeve, në pak rreshta, që të lënë pa frymë:

         O Zot, zemra eme përsè të krenohet s’ka,

dhe sytë nuk kam pse t’i çoj me kreni;

punë të mëdha s’kërkoj me krye,

as vepra që fuqitë e mia i kalojnë.

I qetë unë jam, në zemër kam paqë,

si fëmija përkëdhelë në krahë të nanës,

si foshnje që lëmohet asht shpirti em.

E së fundi… në vendin e parë, jo një Psalm, por një grup psalmesh, që quhen “të Lartimit”. Janë këngë të shtegtarëve, që shkonin në Jeruzalem, zemra e të cilëve – atëherë e sot – mbushej plot emocion, ndërsa viheshin për udhë drejt malit të Zotit. 15 kryevepra të vogla, nga Psalmi 121/120 tek Psalmi 134/133, që na dhurojnë vargje plot pritje e fe.

         Sytë e mi kah malet i çoj:

         Prej kah me më ardhë ndihma?

         Mue ndihma më vjen prej Zotit,

         që qiellë e tokë ka krijue.

E akoma:

         Sa gëzim pata kur më thanë:

         “Kemi për të shkue te shtëpia e Zotit!”

         E tash kambët tona vend kanë xânë

         Përpara dyerve tua, o Jeruzalem!

Lexim të mbarë…

(Psalmet janë marrë prej përkthimit të atë Daniel Gjeçajt, Libri i Psalmeve, Romë 1991-1999, shtypshkronja Volaj, Shkodër)

11 tetor 2018, 13:33