Kërko

 Shën Mëhilli Kryeengjëll Shën Mëhilli Kryeengjëll 

Ç’kish parë Leoni XIII, kur iu lut Shën Mëhillit ta mbronte njerëzimin nga Djalli?

Zanafilla dhe historia e lutjeve cituar nga Papa Françesku: së pari, “Sub Tuum Praesidium”, kushtuar Marisë; së dyti, lutja kushtuar Shën Mëhillit Kryeengjëll, shkruar nga Papa Leoni XIII.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku na fton vazhdimisht për t’u lutur. Posaçërisht në këtë muaj, kushtuar Rruzares Shenjte. Duke na kujtuar edhe lutjet që mund e duhet t’i themi, si Rruzarja, në radhë të parë. Por kohët e fundit kujtoi edhe dy lutje të lashta, që të dyja me histori të veçantë.

 Së pari, lutjen “Sub Tuum Praesidium”, kushtuar Marisë; së dyti, atë kushtuar Shën Mëhillit Kryeengjëll, shkruar nga Papa Leoni XIII.

Jo rastësisht, Papa i kujton këto lutje të lashta, në një kohë kaq të trazuar, si jona. Historia e zanafillës përsëritet. Prandaj Françesku na fton të lutemi me lutje të lashta e të reja.

“Sub Tuum Praesidium”, “Nën strehën tënde”, është tropari më i lashtë devocional i krishterë kushtuar Marisë, Nënë e Jezusit, që në shekullin III e vijon edhe sot të përdoret në të gjitha ritet kryesore të krishtera. Lutje kolektive e bashkësisë së krishterë, drejtuar drejtpërdrejt Zojës, quajtur “Hyjlindëse”, për t’i kërkuar  ndihmë në orët e zymta të jetës, plot besim në ndërmjetësimin e saj.

E botuar për herë të parë më 1938, u gjet e shkruar në gjuhën greke, në një fletë pakëz të grisur papirusi, me përmasa 14x4 cm, stolisur me elemente ornamentale, gjithsejt, 10 rreshta. Ndërsa në shqip, gjindet në të gjitha oficet e vjetra, nga u mor varianti i mëposhtëm:

“Nen mbrojtjen tande

sot strehë po kërkojmë,

O Nanë Shêjte

e Tynzot;

Mos i përbuz

të lutunat që të bâjmë

ndër nevojë t’ona;

Na libro kurdoherë

prej rreziqesh,

O Virgjin e lume e e bekueme”.

Një lutje tjetër, që na e kujton Papa, me histori tronditëse, është “Kushtim Shën Mëhillit”:

“Shën Mëhill Kryeengjëll, mbrona në luftë, ji mbrojtësi ynë kundër mbrapshtisë e joshjeve të djallit! O Kryetar i ushtrive qiellore, me forcën e Zotit rrokullise në fund të ferrit Shejtanin e shpirtënt e tjerë të këqij, që enden nëpër botë për humbjen e njerëzve. Amen!

Kjo lutje ka një histori të veçantë. Mëngjesin e 13 tetorit 1884, pasi kishte kremtuar Meshën Shenjte në Vatikan, Papa Leoni XIII çoi sytë lart e pa diçka, që i shkaktoi një tmerr të papërshkrueshëm. Aq, sa i ra të fiktë! Si erdhi në vete, u mbyll, në heshtje, në studion e tij. Nësa ndihmësit e prisnin jashtë, plot ankth. Kur doli nga dhoma, Papa u dorëzoi një lutje të shkruar ato çaste, me porosi që të thuhej në përfundim të Meshës, nga mbarë Kisha. Formula e mësipërme është vetëm një pjesë e lutjes më të gjatë, shkruar po nga Papa Leoni. Lutja u bë ligj në Kishë e, në vitin 1886, u radhit në të ashtuquajturat “Preci leonine”, për t’u thënë në meshët e pakënduara. Po ç’kish parë Papa, që e kish tmerruar aq shumë? Janë dy, variantet që flasin për këtë episod. Në të parin flitet për një vegim me urdi të pafundme djajsh, që po rrethonin Romën. Në të dytin, me sa duket, Leoni XIII dëgjoi një bisedë ndërmjet Zotit e Shejtanit. Demoni i mburrej Zotit e i thoshte se mund ta rrënonte Kishën Katolike, me kusht që t’i jepej një kohë prej 75 deri në 100 vjetësh për ta vënë në jetë planin e vet. Papa e dëgjoi djallin edhe duke i kërkuar lejë Zotit për t’ia  nisur punës së tij djallore. E Zotin, që i përgjigjej: “Të qofshin dhënë kohët e edhe pushteti për ta bërë, po munde!”. Kjo, historia, në të dy variantet!

26 tetor 2018, 10:03