Kërko

2018.10.30 Vescovi Albania nella riunione  Ipeshkvijte e Shqiperise 2018.10.30 Vescovi Albania nella riunione Ipeshkvijte e Shqiperise 

Asambleja e LIII-të e Konferencës Ipeshkëvnore Shqiptare dhe rrugëtimi i ri i Kishës

Kisha në Shqipëri është e “vëmendshme për bijtë e saj aq sa të përvishet mëngësh për të zbuluar shtigje të reja rrugëtimi". Punimet e kësaj Asambleje ishin të pasura me informacione, bashkëndarje dhe vendime që lidhen drejtpërsëdrejti me të mirën e besimtarëve që u janë besuar kujdesit dhe mbarështimit të tyre baritor.

R.SH. - Vatikan

Ipeshkvijtë e Konferencës Katolike të Shqipërisë mbajtën Asamblenë e LIII të rregulltë në Tiranë nga data 29 deri më 31 tetor. Në punimet e kësaj Konference, ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë folën dhe trajtuan çështje të ndryshme e të rëndësishme për jetën e Kishës dhe të vendit. Siç njofton zëdhënës i kësaj Konference Ipeshkëvnore, dom Mark Shtjefni, Kisha në Shqipëri është evëmendshme për bijtë e saj aq sa të përvishet mëngësh për të zbuluar shtigje të reja rrugëtimi”. Në vijim komunikata për shtyp e Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë.

                        Komunikatë për shtyp

Kishë nënë e vëmendshme për bijtë e saj aq sa të përvishet mëngësh për të zbuluar shtigje të reja rrugëtimi. Kështu mund të quhet Asambleja e LIII-të e rregullt e Konferencës Ipeshkëvnore Shqiptare (KISH) të mbajtur në Tiranë nga data 29-31, në selinë e saj.

Anëtarët e KISH-it, mbarëvajtjen e punimeve ja kanë besuar Eukaristisë shenjte, Burimi dhe Kulmi i jetës dhe të i çdo të mire.

Punimet e kësaj Asambleje, përmes një rendi dite, të përgatitur dhe të paraparë enkas për t’u shqyrtuar nën dritën e Shpirtit Shenjtë – ishin të pasura me informacione, bashkëndarje dhe vendime që lidhen drejtpërsëdrejti me të mirën e besimtarëve që u janë besuar kujdesit dhe mbarështimit të tyre baritor.

Nuk mund të mos vërehej në fytyrat e Barinjve dëshira e madhe për t’u informuar dhe për t’u pasuruar nga sivëllai i tyre, ati Sinodal imzot Ottavio Vitale, rreth sinodit të të rinjve të mbajtur në Romë në muajin tetor. I freskët në këtë përjetim dhe me një dëshirë të madhe për të bashkëndarë këtë përvojë të tijën, imzot Vitale paraqiti në pika të shkurtra, përmes një relacioni, atë që nga punimet e këtij Sinodi kanë dalë si nevojë për të shoqëruar të riun e sotëm që të bëhet “protagonist i misionit të Kishës..., për një takim jetësor me Krishtin, për të dëshmuar në mënyrë që t’i prekë zemrat”.

Paraqitja e imzot Vitales mund të përmblidhet kështu: nevoja për shoqërimin e të rinjve, përmes shërbimit dhe lutjes; impenjim edukativ, ku të gjithë, pa përjashtim, janë të përfshirë në këtë rol që Kisha e ka në fushën e edukimit; emigrimi si “pasurim për bashkësitë dhe për shoqërinë”; llojet e ndryshme të abuzimeve me angazhim të “vendosur për marrjen e masave rigoroze të parandalimit, që pengojnë përsëritjen e tyre”; drejtësia sociale dhe roli i Kishës, si nxitje për të rinjtë “në pjesëmarrje dhe angazhim në betejat shoqërore, në pasionin e tyre për artin, muzikën dhe sportin; një Kishë që kërkon “mënyra më të përshtatshme për të transmetuar këndvështrimin e krishterë mbi trupin dhe dashurinë njerëzore” duke u propozuar të rinjve “një antropologji dashurie dhe seksualiteti që nxjerr në pah vlerën e dëlirësisë dhe të pastërtisë”; edhe rreth shoshitjes së të rinjve etërit sinodal u “propozojnë Kishave vendore që t’u ofrojnë të rinjve një përvojë shoqërimi për të shqyrtuar nëse kanë thirrje për t’ia kushtuar jetës Zotit”. Në këtë pikë secili bari duhet të jetë shembullor në shenjtëri.

Edhe kësaj here, Anëtarët e KISH-it janë mbështetur në rolin e tyre baritor përmes përvojës së të ftuarve në këtë Asamble. Ndër to vlen të përmendet prania e Drejtuesit të Radio Marisë Shqiptare, dom Prek Lazri, me të cilën bashkëndanë ecurinë e deritanishme të Radios duke e vlerësuar atë si një mjet jashtëzakonisht i vyeshëm dhe i domosdoshëm në Ungjillëzim si dhe duke shikuar mundësinë e pasurimit të saj përmes programeve të tjera që synojnë përfshirjen e moshave dhe gjendjeve sociale te ndryshme. Nga ana e tij dom Preka u shpreh mjaft i hapur dhe i gatshëm në bashkëpunim me cilindo që shpreh dëshirën për të kontribuar, në forma të ndryshme, në Ungjillëzim përmes Radios. Pikërisht, meqë koha e sotme karakterizohet nga ajo që quhet “kohë apo moshë digjitale” ku kanalet informative kalojnë edhe përmes internetit, imzot Meta, president i Komisionit Kulture dhe Komunikim social informoj Anëtarët për hapjen tashmë të një faqe uebi për Konferencën: albkatolik.al. Në këtë ueb site, për secilën dioqezë, është e paraparë një hapësirë për paraqitjen e aktiviteteve dhe të veprimtarive të veta.

Një tjetër i ftuar në këtë Asamble ishte edhe dom Vlash Palaj, famullitari i Katedrales dhe njëkohësisht Rektori i Shenjtërores “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, shenjtërore kjo e cila është në varësi të drejtpërsëdrejti të KISH-it. Ai përfitoj nga rasti për të folur rreth rëndësisë dhe rolit të madh fetar, shpirtëror dhe historik që kjo Shenjtërore paraqet për dhe jetën e besimtarëve.

Nga ana tjetër bëri një paraqitje të gjerë rreth nevojës së një ndërhyrje të mundshme në strukturën e Kishës, meqë ndërtesa aktuale ka nevojë për një rikonstruktim. Nga ana e tyre, Anëtarët e KISH-it e morën në konsideratë këtë kërkesë duke ja besuar ecurinë e saj një grupi pune të caktuar enkas për këtë nevojë.

Jeta e Kishës dhe nevoja e saj për përditësim, bënë që me votim dhe më pas me pëlqim unanim t’i paraqitej Kongregatës për Ipeshkvij ndryshimi i statusit të Konferencës sa i përket kohëzgjatjes së emërimit të famullitarëve si dhe mundësisë që Sekretari i përgjithshëm i KISH-it të mos jetë domosdoshmërisht një ipeshkëv.

Ftesa e Atit shenjtë, papës Françesk për një muaj të jashtëzakonshëm misionar në Tetorin e ardhshëm të vitit 2019, ishte pjesë aktive në punimet e kësaj Asambleje. Në këtë pikë secili prej Anëtarëve të pranishëm mori pjesë duke bashkëndarë mjetet me të cilat duhet vlerësuar misioni “ad gente”, dhe njëri nga këto është edhe “Missione volante” metodë e përdorur nga jezuitët në zonat malore të Shqipërisë së veriut (1880-1932). Të gjithë barinjtë ishin dakord që këtij angazhimi misionar t’i jepej një shtrirje të gjerë, që kapërcen kufijtë dioqezan.

Më pas punimet e kësaj Konference kanë vazhduar me paraqitjen e punës së secilit Komision. Ndër ta vlen të përmendet: Komisioni Katekistik, që përmes atë Flavio Cavallini o.f.m., paraqiti mbi diakonatin permanent dhe mbi botimin e një libri Katekistik. Anëtarët e pranishëm u informuan mbi këto argumente mjaft të domosdoshme për jetën e Kishës dhe sa i përket atij të Diakonatit permanent, përgatitja e një “ratio formationis” ju besua përgjegjësit për Klerin në KISH.

Sjellim edhe paraqitjen e imzot Simon Kullit, përgjegjës i Komisionit të Emigrantëve. Në cilësinë e këtij Komisioni paraqiti një rezyme të shkurtër të veprimtarisë së tij si dhe për kujdesin baritor të besimtarëve që banojnë në vendet e huaja, kërkoj një përfshirje më të madhe të meshtarëve me origjinë shqiptare, ose të misionarëve që tashmë janë kthyer në dioqezat përkatëse nga misioni që kanë pasur në Shqipëri.

Me falënderimet drejtuar Zotit për mbarëvajtjen e këtyre ditëve, u mbyll Asambleja e LIII-të e KISH-it.

31 tetor 2018, 17:14