Kërko

Alfonsa Maria Eppinger Alfonsa Maria Eppinger 

Shpallet e Lume në Strasburg,themeluesja e Motrave të Shëlbuesit

Kisha Katolike ka, që sot, një të Lume të re. Ajo është themeluesja e Kongregatës së Motrave të Shëlbuesit Hyjnor, Alfonsa Maria (Elisabetta) Eppinger. Meshën e lumnimit e kremtoi përfaqësuesi i Papës Françesku, kardinali Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Ҫështjet e Shenjtorëve.

R.SH. - Vatikan

Elisabetta Eppinger u lind më 9 shtator 1814 në veri të Alsazës, në Francë. E para, ndër 11 fëmijë, në një familje bujqësh, u rrit në famullinë e fshatit. E sëmurë që e vogël, e brishtë e gati analfabete, pas marrjes së Kungimit të Parë, i kërkoi famullitarit të kungohej shpesh, gjë e pazakontë asokohe. Gjatë një sëmundjeje më të gjatë e më të dhimbshme se herët e tjera, Elisabetta ndjeu praninë mistike të Krishtit, i cili i dukej, i fliste dhe e ngushëllonte. Pas kësaj, pati dhuratën e profecisë: parashikoi gjëra, që ndodhën brenda një kohe të shkurtër e kështu, fama e saj u përhap edhe jashtë Francës.

Fama e mistikes

         Fenomenet mistike, që përjetonte, u përshkruan nga një dëshmitar pamor, meshtari Claudio Ignazio Busson, i cili, nga viti 1849 deri më 1853, publikoi një sërë shkrimesh mbi Elisabetta Eppinger, me titullin: “Jeta dhe fenomenet mistike të gruas në ekstazë Elisabetta Eppinger nga Niederbronn”. Ipeshkvi i Strasburgut, imzot Andrea Raess, shkoi personalisht në korrik 1848, në Niederbronn, për të verifikuar fenomenet mistike dhe gjeti një grua me virtyte të jashtëzakonshme, e aftë të kalonte të gjitha provat.

Themelimi i Kongregatës

         Në shtator 1848, Hyji i komunikoi Elisabetta-s se duhej të themelonte një institucion në ndihmë të të varfërve. Megjithëse ishte shumë e sëmurë, papritmas, shërohet për të realizuar këtë vepër, së cilës iu kushtua me mish e me shpirt. Kongregata e Motrave të Shëlbuesit Hyjnor u miratua më 28 gusht 1849 e pati për pajtor shën Alfons Maria Liguorin, emrin e të cilit e mori edhe Elisabetta së bashku me kushtet rregulltare, më 2 janar 1850. Ipeshkvi e emëron eprore të përgjithshme, detyrë, që e kryen për 18 vjet me radhë, duke e çuar këtë bashkësi murgeshash edhe në Gjermani, Austri e Hungari, për të ndihmuar të varfërit sidomos gjatë luftrave dhe gjatë kohës së kolerës e të tifos. Nënë Alfonsa Maria ndërroi jetë në Niederbronn, ku kishte lindur, më 31 korrik 1867, në moshën 53 vjeçare. Sot, u shpall e Lume.

09 shtator 2018, 14:06