Kërko

 Anna Kolesarova Anna Kolesarova 

Shpallet e Lume, Anna Kolesárová, besimtare laike

Sot, në Košice të Sllovakisë, u shpall e lume Anna Kolesárová, besimtare laike, martire. Meshën e kremtoi përfaqësuesi i Papës Françesku, kardinali Angelo Becciu, prefekti i sapoemëruar i Kongregatës për Ҫështjet e Shenjtorëve.

R.SH. - Vatikan

Anna Kolesárová, që e quanin me përkëdheli Anka, e re e dioqezës së Košice-s, kaloi një jetë të qetë e paqësore, deri sa ushtarët e Armatës së Kuqe pushtuan fshatin e saj të lindjes, Vysoka nad Uhom. Doli nga rifuxho, ku strehohej së bashku me familjarët, për t’i dhënë të hajë një ushtari, i cili jo vetëm që nuk ia diti për nder, por deshi edhe të abuzonte me të. Nuk iu dorëzua dhe e refuzoi disa herë. Pranoi të vdiste më mirë se të shpërdorohej seksualisht prej tij. Mori si shpërblim për bukën që i dha, një plumb ballit. Vdiq më 22 nëntor 1944, në moshën 16-vjeçare, duke shqiptuar emrat e Jezusit, të Marisë e të Jozefit.

Gjatë komunizmit, historia e vajzës ishte e ndaluar

         Me vendosjen e socializmit në Ҫekosllovaki, Anna Kolesárová u kujtua fshehtas nga njerëzit, pasi qeveria komuniste nuk lejoi të tregohej historia e vajzës e as të shkohej tek varri i saj. Martirizimi i Ankës doli në dritë pas rënies së regjimit. Faza dioqezane e çështjes së lumnimit u hap në dioqezën e Kosice-s, më 2 prill 2005 e vijoi deri më 14 shkurt 2012. Më 6 mars 2018, Papa Françesku e njohu zyrtarisht martirizimin e Anna Kolesárová në mbrojtje të pastrisë së trupit-tempull i Zotit, duke ia hapur kështu udhën lumnimit.

01 shtator 2018, 17:09