Kërko

Shtatorja e Zojës në procesion Shtatorja e Zojës në procesion 

Dje, festa e Lindjes së Zojës

Dje, e gjithë Kisha Katolike kremtoi festën e Lindjes së Zojës. Por ajo kremtohet veçanërisht në Loreto të Italisë, ku ndodhet Shtëpia e Zojës dhe kolegji ilirik, ku kanë studiuar shumë shqiptarë të shquar, si për shembull Pjetër Budi e Pjetër Bogdani.

R.SH. - Vatikan

Pikërisht me rastin e festës, në Loreto, pas disa ditësh mbylljeje, u rihap Muzeu papnor i Shtëpisë së Shenjtë. Mund të admirohen kështu, sërish, koleksionet më të lashta të piktorëve si Lorenzo Lotto, sixhadet e ‘600-ës realizuar sipas skicave të Rafaelos, skicat e Cesare Maccari-t për kupolën e Bazilikës së Shtëpisë së Shenjtë e disa copë nga koleksioni i pllakave majolike të farmacisë.

Programi i kremtimeve

Kremtimet filluan që të premten, me mbrëmësoren dhe me procesionin me shtatoren e Zojës së Loretos, në orën 20.30. Dje paradite, në auditoriumin e Pallatit Ilirik, Legati papnor i Loretos, imzot Fabio Dal Cin, paraqiti projektin e përshpirtërisë familjare me titull “Shtëpia e Marisë, shtëpi për çdo familje”. Më pas, në orën 11.30, kremtimi solemn në Bazilikën e Shtëpisë së Shenjtë, gjatë të cilit, sipas traditës, u ndez Llamba për Italinë. Në orën 12.30, në tremen e Bazilikës, lutja e Engjëllit të Tënzot dhe dorëzimi i targës “Qyteti i Loretos”, komandës së aeroportit “Pratica di Mare”. Në orën 21.00, koncert i fanfarës së Aeronautikës Ushtarake.

07 shtator 2018, 17:30