Kërko

Bibla Bibla 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Agjeut profet

Sot do të flasim për Librin e Agjeut profet, duke u bazuar, si gjithnjë, në vëllimin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Libri i Agjeut profet, së bashku me atë të Zakarisë dhe të Malakisë, përshkruan kohën, që pason mërgimin në Babiloni. Dimë se në vitin 537 para Krishtit, mbreti persian Ҫiro e mund mbretërinë babiloneze dhe imponohet si superfuqi e re lindore, madje e shpall veten “mbret i gjithësisë”. Pas vdekjes së tij, në vitin 529, e merr pushtetin i biri, Kambizi, por vetëm për pak vjet, sepse në vitin 522, Dario i madh do të nisë epopenë e vet si sovran i mbretërisë persiane, për 36 vjet me radhë. Nëse Ҫiro përshkruhet me dashuri në Bibël, sepse mundi Babiloninë dhe lejoi kthimin e të dëbuarve, Dario gati lumnohet, sepse u lejoi hebrenjve të rindërtonin tempullin e tyre.

Gjithsesi, Izraeli nuk do të ketë më një monarki të vërtetë e rindërtimi i filluar pas mërgimit në Babiloni, karakterizohet nga një sërë pushtimesh të huaja, të gjata më se 5 shekuj, që do të arrijnë kulmin me luftrat judaike të shekullit I pas Krishtit e me fundin e kombit të Izraelit.

Agjeu e rindërtimi i Tempullit të Izraelit

Por Agjeu nuk e di akoma këtë, nuk e di as qeveritari Zorobabeli, që do të udhëheqë rindërtimin e tempullit e, nuk e di as Esdra, i ndihmuar nga qeveritari tjetër, Nehemia, i cili do të imponohet si udhëheqës shpirtëror e profet i popullit. E megjithatë, pikërisht këta njerëz i japin sërish shpresën vendit akoma të nënshtruar, me tempullin e shkatërruar e me gjendje jashtëzakonisht të keqe ekonomike, duke përcaktuar rindërtimin e tempullit si guri bazë mbi të cilin do të themelohej sërish kombi.

I pari, që i bie trumpetës në këtë drejtim, është Agjeu profet, që me fjalët e tij ndikon shumë mbi popullin e kërrusur nga barra e mërgimit dhe e pasigurisë. E bën, me këto pyetje:

“Vallë, për ju qenka koha të banoni në shtëpi të mbuluara me çati e kjo Shtëpi të mbesë shkretë? Tani, pra, kështu thotë Zoti i Ushtrive: Vërjani mendjen mirë udhës që keni marrë: mbollët shumë, por bashkuat pak, hëngrët, por nuk u ngitë, pitë, por jo sa ju deshi zemra, u veshët, por nuk u ngrohët e, ai që punoi me mëditje, e vuri në qese të shqyer”(Agj 1,4-6).

Teologjia e Agjeut

Teologjia e Agjeut është shumë e thjeshtë dhe e frymëzoi edhe Jezusin, i cili, një ditë, tha: “Kush s’është me mua, është kundër meje e kush nuk mbledh me mua, ai shkapërderdh” (Mat 12,30). Të mendosh se mund të ndërtosh një vend të tërë, ose edhe një shtëpi të vetme, ose të fillosh çdo lloj ndërmarrjeje, pa Zotin, është marrëzi e vërtetë, ashtu siç thuhet në Psalmin 126: “Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, kot mundohen ata që e ndërtojnë. Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, kot rri zgjuar ai që e ruan” (1).

Tempulli i dytë i Izraelit

Agjeu fton të ndërtohet tempulli i Zotit, sepse vetëm duke formuar kombin e Tij, populli do të shohë vërtet begati. Mesazhi është inkurajues e Zorobabeli, së bashku me krerët e popullit, e pranon ftesën e profetit: në vitin 521 para Krishtit, fillojnë punimet për tempullin e ri, që do të zgjasin pesë vjet.

I ashtuquajturi “Tempulli i dytë” do të mbetet në këmbë për më se 5 shekuj e do të shohë jetën e shpresën, por edhe vuajtjen e Izraelit. Zgjerohet nga Herodi – punime, që i pa edhe Jezusi – e para kësaj, do të jetë aty, dëshmitar i shthurjes së paganëve dhe i luftës së Makabejve, për t’u shkatërruar në vitin 70 pas Krishtit, kur Tito i Romës do ta rrafshojë me tokën.

Histori mijëvjeçare ajo e Tempullit, që vijon edhe sot në Jeruzalem, ku hebrenjtë luten e vajtojnë para murit, që njihet si “Muri i lotëve”. Presin që Zoti të dërgojë Mesinë e të ndërtojë tempullin e tretë.

Pa Zotin, asgjë s’ndërtohet

Për ne të krishterët, gjërat janë pak si ndryshe: Mesia ka ardhur, tempulli u shkatërrua e na u dhurua një kult i ri, që bazohet në shpirtin e në të vërtetën. E megjithatë, argumentimi i Agjeut është gjithnjë i vlefshëm: si kur rrimë të qetë nëpër shtëpitë tona, ashtu edhe kur çohemi herët për ta nxjerrë me djersë bukën e gojës, duhet ta kemi mirë parasysh se pa Zotin është e pamundur të korrim frytet e të mbjellave:

“Vërjani mendjen prej ditës së sotme e në të ardhmen, …a ka më farë në grunar dhe ende vreshti, fiku, shega e ulliri nuk dhanë fryte? Por prej kësaj dite unë do t’i bekoj!” (Agj 2,18-19).

Agjeu u kujton të gjithë atyre që, për shkak të lodhjes a mërzisë, kanë hequr dorë nga shtëpia e Zotit e nga lëvdimi i Tij, se është e vështirë të jetosh pa bekimin e Hyjit.

13 shtator 2018, 14:12