Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Papa Françesku me Konferencën ipeshkvnore të Venezuelës Papa Françesku me Konferencën ipeshkvnore të Venezuelës 

Venezuelë: ipeshkvijtë kundër dhunës politike

Pas atentatit të dështuar kundër presidentit Maduro, ipeshkvijtë venezuelanë kërkojnë të marrin fund arrestimet arbitratre, torturat dhe zhdukja e njerëzve”. Qeveria, në përpjekjen për t’i gjetur fajtorët, po krijon një situatë krize e pasigurie. Ndërsa ka nga ata, që mendojnë se atentati është shpikje e vetë presidentit, për të zhdukur kundërshtarët! Metodë e zakonshme e diktatorëve!

R. SH. - Vatikan

Pas atentatit të dështuar kundër presidentit Nicolás Maduro, në Venezuelë vijon dhuna. Qeveria, në përpjekjen për të gjetur fajtorët, po krijon një situatë krize e pasigurie. Ipeshkvijtë ftojnë t’i jepet fund kësaj situate, me pasoja të rrezikshme për ardhmërinë e vendit.

Kundër shtypjes së dhunshme

“Askujt nuk mund t’i mohohet dinjiteti”: me këtë shprehje të Papës Françesku, Komisioni Drejtësi e Paqe i Konferencës Ipeshkvnore, ndërhyu lidhur me situatën e krijuar pas atentatit të pandehur kundër Presidentit. Në një notë, nënshkruar nga imzot Roberto Luckert, kryetar i Komisionit Drejtësi e Paqe si dhe nga don Saul Ron Braasch, mëkëmbës i përgjithshëm i Drejtësi e Paqe, qeverisë i drejtohet ftesa “t’i japë fund shtypjes së dhunshme kundër qytetarëve dhe aksioneve, të cilat i shtohen situatës së krizës e pasigurisë shoqërore, që po jeton vendi”. Përveç kësaj, i kujtohet Këshillit moral republikan “se e ka për detyrë t’i mbrojë të drejtat e njeriut e të qytetarit e të mos i mbyllë sytë përballë përgjegjësisë administrative të funksionarëve, që i shkelin këto të drejta”.

Jo, burgosjeve arbitrare e trajtimeve mizore

Ipeshkvijtë venezuelanë mbajnë qëndrim të prerë kundër shpërdorimit të të drejtave njerëzore dhe ftojnë të denoncohet çdo akt, që shkel ligjin.

“Faktet, rreth të cilave po zhvillohen hetimet - saktësojnë anëtarët e komisionit - duhen sqaruar përmes kanaleve të proceseve penale dhe Gjykatave kompetente, kushte të domosdoshme për të përcakuar  përgjegjësitë dhe fajet. Përndryshe, pohojnë “arrestimet e parlamentarëve, të funksionarëve, të qytetarëve, mbi bazën e pandehmave për përgjegjësinë e tyre penale, nuk duhet të çojnë në burgosje arbitrare, trajtime mizore ose çnjerëzore, tortura e zhdukje të çuditshme”. Ipeshkvijtë i kërkojnë Këshillit moral republikan “të vigjilojë për respektimin e mirëfilltë të të drejtave të njeriut, t’i kundërvihet arbitraritetit dhe shpërdorimit të pushtetit, duke vënë në jetë masat e nevojshme për të përcaktuar  përgjegjësinë e funksionarëve të çfarëdo lloj tipi, që shkelin të drejtat e njeriut”.

Atentati i 4 gushtit

Atentati ndodhi të shtunën, më 4 gusht. Një bombë me eksploziv plastik, e aerotransportuar nga një dron, shpërtheu në zonën e Karakasit, jo larg tribunës ku presidenti Maduro mbante fjalimin e rastit në përkujtim të 81-vjetorit të themelimit të Rojës Kombëtare. Maduro u rizgjodh më 20 majin e kaluar, me një rezultat që, sipas opozitës, ishte krejtësisht i manipuluar. Ashtu si besohet të jetë edhe atentati kundër tij!

11 gusht 2018, 11:13